Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj i është referuar ngjarjeve të fundit kriminale që kanë tronditur vendin, të cilat kanë kulmuar me masakrën e Lushnjes tre ditë më parë. Nga mbledhja e qeverisë në qytetin e Vlorës, Xhafaj tha se zbulueshmëria e autorëve të këtyre ngjarjeve le për të dëshiruar. Ministri i Brendshëm paralajmëroi furtunë në policinë e Vlorës me qëllim rritjen profesionalisht dhe rritjen e zbulueshmërisë së veprave kriminale.

"Konstatojmë disa dukuri që kanë të bëjnë me mungesë të eficiencës të strukturave të policisë. Është e papranueshme, fakti që vetëm gjatë këtij viti janë 5-6  ngjarje të rënda, vrasje me viktima dhe me jetë të pafajshme qytetarësh dhe zbulimi i autorëve lë shumë për të dëshiruar. Për të mos thënë se për ne është jashtëzakonisht shqetësues. Gjë që do na detyrojë të bëjmë një analizë më të thellë me forcat e policisë dhe duhet të jetë e nevojshme për të bërë ndryshimet dhe përmirësimet e duhura, qoftë në përbërjen e tyre, qoftë në drejtimin e tyre. Por është shumë e rëndësishme për të theksuar edhe një marrëdhënie të re. Një marrëdhënie të re që duhet ndërtuar ndërmjet organeve të qeverisjes vendore dhe strukturave të policisë, policisë dhe komunitetit. Është përgjegjësia jonë dhe sëbashku me organet e qeverisjes vendore këtu dhe me organe të tjera përfaqësuese në territor të bëjmë kthesën e duhur, në mënyrë që të kemi mundësi të ndërtojmë një marrëdhënie krejtësisht të re ndërmjet strukturave të policisë dhe organeve të qeverisjes vendore, ndërmjet policisë dhe qytetarëve. Kjo në funksion të nevojës që kemi për të pasur më shumë efikasitet në parandalimin e krimit, por edhe për një kontroll më të mirë të territorit", u shpreh Xhafaj.

Ministri i Brendshëm theksoi se është një fakt i njohur që në disa nga zonat rurale të Vlorës, gjatë vitit të kaluar ka pasur edhe mbjellje të kanabisit. "Ashtu siç është edhe sot një realitet i prekshëm që ky fenomen nuk ekziston më, edhe në sajë të faktit që kemi një marrëdhënie të re ndërmjet policisë dhe komunitetit, një marrëdhënie të re ndërmjet strukturave të policisë dhe organeve të qeverisjes vendore. Në këtë kontekst, ne jemi të qartë ne këtë vendimmarrje, roli i prefektit në ndërtimin e kësaj marrëdhënie, në koordinimin e kësaj marrëdhënie mbetet përcaktues dhe ky ka qenë dhe është një preokupim i drejtpërdrejtë i Kryeministrit, që t’i japim një dimension të ri rolit të prefektit në territor. Kjo përbën një nga masat kryesore që kemi në kuadër të gjithë këtyre prioriteteve dhe objektiveve. Besoj fort se në radhët e strukturave të Policisë të Qarkut të Vlorës kemi punonjës police, drejtues policie me shumë integritet, të cilët do duhet që të jenë shumë efikasë në ushtrimin e përgjegjësive të tyre", tha Xhafaj.  

Zbulueshmërisë së autorëve të krimeve të fundit në Vlorë i mëshoi me forcë edhe kryeministri Edi Rama i cili u shpreh se nuk duhet të ketë ngjarje të pazbuluara. “Nuk duhet t’ja lejojmë vetës të kemi një ngjarje, një ngjarje të vetme kriminale të pazbuluar, jo më disa”- tha Rama. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com