TIRANE, 20 Dhjetor/ATSH-Almarina Gegvataj/-"Krishtlindje në Tiranë" është spektakli që do të ngrejë siparin në Universitetin e Arteve, që vjen si  një iniciativë e artistëve të Tiranës, të cilët kanë menduar të dhurojnë më shumë ngrohtësi dhe emocion kryeqytetasve.
Ky spektakël do të befasojë jo vetëm me të ftuarit, por do të dhurojë edhe emocione në këtë natë ku të gjithë do të kremtojnë lindjen e Krishtit mes ngrohtësisë familjare.
Emocionet e këtij spektakli në këtë natë të shenjtë, duket se regjisori i ri Sokol Guga ka zgjedhur t'ia dhurojë jo vetëm publikut në sallë, me emra të mëdhenj të artit, kulturës, sportit apo politikës shqiptare, por edhe teleshikuesëve."Kam zgjedhur një format krejt ndryshe nga vitet e tjera, sepse të dhurosh dashuri dhe ngrohtësi përmes fjalës dhe artit është magji" është shprehur regjisori.
Në këtë spektakël do të ngjiten në skenë emra të njohur të artit si sopranoja lirike Marjana Leka, Myfarete Laze, tenori Denis Skura, violinist virtuoz i cili vjen enkas nga Maqedonia Shkëlzen Pajazii, "Artistja e Madhe" Roza Anagnosti, Elvis Vallasi. Nën drejtimin e drejtorit artistik Grid Bici, Sokol Guga këtë herë vjen ndryshe në skenën e Universitetit të Arteve. Një surprizë e këtij spektakli do të jetë dhe partnerja e skenës së Sokol Gugës, ku sipas stafit realizues është një emër i njohur i skenës dhe ekranit.
Pjesë e spektaklit, që do të mbahet me 25 dhjetor është edhe Orkestra Filarmonike e Universitetit të Arteve, si dhe kori i fëmijëve i Liceut Artistik "Jordan Misja", përgatitur nga mjeshtre Irida Spahiu./a.g/