Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë se cila ishte pikënisja e krisjes së koalicionit PS-LSI. 

Gjatë një takimi me të rinjtë e FRESSH në Tiranë, Rama tha se maxhoranca u nda pas vendosmërisë së Partisë Socialiste për të bërë Reformën në Drejtësi. 

“Sistemi ynë politik është i ngritur me vite të tëra mbi një marrëveshje të heshtur, por që ka dalë haptazi prej vitesh, mes politikanëve që zgjedhin gjykatësit dhe gjykatësit që mbyllin çështjet e politikanëve.

Prandaj politikanët nuk kanë qenë kurrë të gatshëm t’i hyjnë Reformës në Drejtësi, sepse është si t’i hyjnë dhe të sharrojnë degën ku rrinë. Ne i hymë dhe e bëmë, e aty filloi krisja e koalicionit”
, tha Rama.

PS dhe LSI nga dy parti aleate në bashkëqeverisje, gjatë kësaj fushate zgjedhore kanë polemizuar në distancë me njëra-tjetrën, duke mos kursyer as akuzat direkte në drejtim të liderëve.