“Ju e mbani mend, po t’i kthehem kronikave të verës që shkoi, ka pasur një seri, një telenovelë shumë të gjatë, marrëdhënia Rama-Meta”, deklaroi Vasili.
Kreu i grupit të LSI deklaroi se nuk kemi kohë për të humbur që të merremi me atë se çfarë po ndodh me mazhorancën, pasi kemi të bëjmë sërish me një çështje madhore siç është reforma në drejtësi, proces që do të kërkoje konsensuse të reja.
“Unë besoj se sot nuk kemi kohë për të humbur se çfarë po ndodh me mazhorancën. Por, këtu kemi të bëjmë me një çështje madhore siç është ajo e drejtësisë. Ky është një proces i cili vazhdon. Ai vetëm sa ka hedhur hapin e parë. Ky është një proces që do të kërkojë konsensuse të reja dhe mirëkuptime të reja”, deklaroi Vasili.
Vasili u shpreh se konsensusi për reformën në drejtësi prodhoi një politikë më solide dhe Shqipëria është më stabël. Falë një veprimi inteligjent, u davaritën hijet e zeza të Maqedonisë.
"Miratimi i reformës në drejtësi rezonoi në mënyrë shumë të shpejtë në sallën e Parlamentit. I gjithë ky konsensus u prodhua për një qetësi të madhe të qytetarëve, jo për shqetësimin e radhës. Qytetarët nuk duhet të shqetësohen. Konsensusi prodhoi një politikë më solide dhe Shqipëria është më stabël. Falë një veprimi inteligjent, u davaritën hijet e zeza të Maqedonisë", deklaroi Vasili.
Kreu i grupit të LSI kërkoi që të marrë fund politika e konfliktualitetit, pasi rruga e konfliktit është një rrugë e mbaruar.
“Miratimi i reformës në drejtësi ishte një kalim i një sprove të rëndësishme për t'i dhënë një mesazh opinionit publik që drejtësia tani e tutje do të ndryshojë. Ne jemi të gjithë shpresëmëdhenj që kjo do të ndodhë, sepse kornizën kushtetuese tashmë e kemi të miratuar. Por mbi të gjitha e rëndësishme ishte që të ndërtonim një reformë, e cila të mos ishte e kërcënuar nga hijet e dyshimit, mosbesimit apo të kapjes politike, apo të stabilizimit të një koorporatizimi të ri. Konsensusi i dha legjitimitetin reformës. Një reformë e miratuar në mënyrë të njëanshme do të kishte një legjitimitet të cunguar në sytë e publikut. Gjithashtu edhe integriteti i saj do të ishte i tronditur. Në stabilizimin e konfliktualitetit politik në vend ka kontribuar e gjitha politika, jo vetëm e majta apo e djathta. Në politikë duhet të tregosh jo duke bërtitur shumë, apo duke treguar se je shumë i ashpër. Kjo mënyrë e të bërit politikë gjithmonë e ka tërhequr mbrapa Shqipërinë, nuk e ka çuar asnjëherë para. Politika shqiptare duhet të kuptojë që rruga e konfliktit është një rrugë e mbaruar, një rrugë pa të ardhme”, u shpreh Vasili
Petrit Vasili tha se e gjithë ajo që deklaroi Meta për qeveri ekspertësh ishte ne funksion të konsensusit për reformën.
“Edhe kjo ishte në funksion të konsensusit. Z. Meta tha: “Çfarëdolloj gjëje që ne kemi mundësi të bëjmë që të arrijë një besim të ri dhe në qoftë se duhen mandatet qeveritare të LSI-së, edhe në qoftë duhet mandati im, por këto palë, të cilat kanë edhe votat më të mëdha duan të krijojnë një besim më të madh, do t’i vëmë në dispozicion”. Pra, është shumë e thjeshtë. Çdo sakrificë, tha Ilir Meta me forcën e tij politike, për hir të konsensusit ja vlen, sepse konsensusi është më i rëndësishëm sesa vetë reforma”, tha Vasili
Kreu i grupit të LSI deklaroi se këmbëngulja e ndërkombëtarëve ishte që reforma të bëhej, pasi ishtë një hap i domosdoshëm.
“Këmbëngulja e ndërkombëtarëve ka qenë një këmbëngulje për ta pasur reformën, sepse ishte një hap i domosdoshëm. Vlahutin e vlerësonte si një nga 5 kushtet kyç për integrimin dhe ishte në natyrshmërinë e saj ta bënte. SHBA janë një aleat strategjik, ku një drejtësi që funksionon do të thotë një shtet me stabilitet më të lartë, që vazhdon të luajë atë rol që Shqipëria vazhdon të luajë në rajon, që nuk mund ta luajë dot as Maqedonia, as Greqia, as Serbia etj., dhe sigurisht në mënyrë shumë korrekte SHBA mbështesin këtë gjë. Nuk mund të ishin ndërkombëtarët që bënin reformën dhe shqiptarët të prisnin. Shqiptarët duhet të merrnin fatet e tyre, përgjegjësinë edhe për votat që bëjnë dhe për zbatimin e ligjeve, sepse shqiptarët duhet t’i zbatojnë ligjet. Vërtet njëri nga ligjet donte mbështetjen e ndërkombëtarëve, po një nga veprimtaritë e sistemit të drejtësisë, në dorë të kujt është? Thënë e gjithë kjo gjë, atëherë gjithsecili ishte në pozicionin e tij të natyrshëm. Pra, në ditët e fundit ne erdhëm në pozicionet e natyrshme”
Vasili deklaroi se nuk ka asnjë kërkesë nga askush që 7 ligjet për reformën të kalojnë këtë sesion
“Kemi rënë dakord që 7 ligjet, nuk kanë mundësi kushtetuese të kalojnë këtë sesion dhe sesioni i radhës është data e parë 4 shtator.
Unë si kryetar i Grupit parlamentar të LSI nuk kam asnjë kërkesë nga askush as me shkrim dhe as me gojë”, tha Vasili.
Redaksia Online
Al.Ç/Shqiptarja.com