Kristaq Traja do t’i mungojë Tiranës, por Tirana nuk do t’i mungojë më Trajës

Kristaq Traja do t’i mungojë Tiranës, por Tirana nuk do t’i mungojë më Trajës

Kristaq Traja

Një nga mendjet më brilante të Tiranës, bohem dhe shkencëtar, serioz dhe hokatar, dashnor dhe i virgjër, stoik dhe drithërues; një nga njerëzit që Shqipëria i pati fat t’i kishte dhe i dha për fat shpinën e kthyer, jurist dhe poet, qytetar i Evropës në të gjitha kuptimet e kësaj fjale, vendosi të Ikë.

Në heshtje dhe pa shqetësuar njeri. Vetëm 66 vjeç. Dy herë moshën e Krishtit, emrin e të cilit e mbante dhe vetë.

Kristaq Traja ju dorëzua sëmundjes së rëndë që i morri jetën, ndërkohë që jeta i kishte dhënë të përpjeta të forta dhe të pamerituara.

Jurist nga më të shquarit në vend, Traja ishte nga të parët që përfaqësoi shtetin shqiptar në beteja juridike jashtë vendit dhe po kështu, i pari që arriti një majë në karrierën e një juristi kur për dy mandate rresht veshi mantelin e gjykatësit të Gjykatës së Strazburgut. Janë pak më shumë se miqtë e tij dhe shumë më pak se ata që rrojnë në botën e Facebook-ut, njerëzit që e dinë se nën lëkurën e juristit, nën vrazhdësinë e kodeve dhe thatësinë e ligjeve, shpesh edhe si jetë e parë mbi to, frymonte një poet klasik dhe një nga përkthyesit më elegantë të shqipes. Sepse i tillë ishte Kristaq Traja, një kombinim perfekt ngjyrash e kontrastesh, vaji e gazi, talljeje me botën dhe një dashuri e frikshme ndaj botës indiferente ndaj të veçantisë.

Kristaq Traja qëndroi në këtë botë sa për të ikur në momentin që nuk do t’i japë shans hipokritëve që t’i dëgjojë kur t’i thonë sesa e kanë dashur, sesa do t’ju mungojë tani që nuk është më, por pa e kujtuar në ngjallje. Iku për të mos pranuar se shoqëria shqiptare vazhdon të jetë në pritje: në pritjen për të vdekur individi që t’i japë funeral me lotë, por duke mos pasur dhembje as për lotët e burrit në ngjallje. Iku për t’i refuzuar vetes sprovën e vetëpëmbajtjes kur të shihte mbas vdekjes ringjalljen e miqve të harruar.

P.S. Ky është një paragraf nga një editorial i botuar në Javanews.al, në 1 shtator 2018, me titull “Standartet e dyfishta të hipokritëve të Tiranës”. Rrekej të dëshmonte pak më shumë optimizëm për ndryshimin e shoqërisë shqiptare, për përpjekjen e saj njerëzore për t;u bërë më e drejtë, më e ndershme, më e sinqertë. E vetmja gjë që nuk ndryshon është epërsia që kanë gjithmonë të ligjtë dhe maskarenjtë, është çudia se pse fati zakonisht ndëshkon të mirët dhe përqafon të fortit. Ata që fitojnë gjithmonë dhe që janë zakonisht, pjesë e rrethit të horrave.

Javanews.al, 1 shtator 2018

“…Daltonikët politikë që njohin vetëm të bardhën e të zezën, duhet të kujtojnë se çfarë ka ndodhur me një rast pothuaj identik pak vjet më parë. Kristaq Traja, absolutisht një nga juristët më të jashtëzakonshëm shqiptarë, jurist e poet dhe një nga njerëzit më të kulturuar të kryeqytetit madje, ish-gjykatës në Strazburg për dy mandate, nuk u kërcënua me lënie pa punë në Tiranë. Në 2010-tën, partia që Lulzim Basha ka marrë në trashëgimi, e rrëzoi kandidaturën e zotit Traja për në gjykatën e lartë. E votuan me unanimitet kundër me një akt të mirëfilltë hakmarrjeje: dikush pse aq dinte, dikush se nuk dinte të bënte tjetër dhe të gjithë votuan kundër sepse ashtu ju tha Berisha. Me një ligësi të skajshme. Me një lehtësi të përbindshme që e pjell vetëm urrejtja dhe injoranca, Berisha, Basha dhe gjithë kompania e juristëve të PD-së së dikurshme, i nxorrën Trajës kartonin e kuq. Nuk e shantazhuan. Kërkuan ta ekzekutojnë profesionalisht.

Sot të gjithë ata që votuan kundër gjykatësit të lartë Traja…, …së paku duhet t’i kërkojnë ndjesë Trajës dhe të kuptojnë se në Tiranën politike, gjithkush, çdo hipokrit që sot qan, ankohet dhe bërtet, e ka mbajtur së paku një herë një pishtar turpi në dorë: për të djegur së paku njëherë Trojën e vet.

Nuk ka vetëm një të vërtetë absolute në këtë botë. Ka më shumë se një të tillë. E vërteta varet nga koha kur thuhet; ajo bëhet e vërtetë apo e rreme edhe varësisht gojës që e thotë, mënyrës si e thotë, arsyeve se pse e thotë. Mbi të gjitha, e vërteta duhet të jetë e moralshme. Dhe ata që e thonë duhet të kenë moral. Mungesa e moralit nga daullexhinjtë, bën që të tingëllojë kaq fallco edhe solidariteti me shtypin, edhe përbetimi për mbrojtje nga shantazhet politike.

…këto janë shembujt që afrohen për të kuptuar se shoqëria shqiptare po shndërrohet në një shoqëri depresive, e cila me Facebook-un, me komentet anonime në fund të shkrimeve, me spiralen e ankesave qaramane në kancelaritë ndërkombëtare për palën tjetër politike në Tiranë, në takime publike, në ligjërimin e përditshëm politik të vendit, po i ngjan gjithmonë e më shumë lypësit të mjerë, fatkeqit të vetmuar që rri në udhëkryqe duke kërkuar lëmoshë. Që tregon plagë të frikshme në trup për të ngjallur mëshirën e kalimtarëve. Më fakt, edhe nëse merr ndonjë qindarkë për bukë, ajo është monedhë krupe dhe neverie. Dinjiteti është muhabet tjetër; ai nuk mund të blihet! Sepse ende nuk ka dalë askush ta ketë me tepricë që ta shesë a dhurojë, njëlloj si qindarkat e mëshirës, krupës dhe hipokrizisë.

Shqipëria ka ndryshuar për mirë, por jo njerëzit! Ata janë të njëjtët”.

Kristaq Traja iku në të vërtetën e tij. Tashmë do t’i mungojë ai Tiranës dhe jo më Tirana atij vetë. Të paktën për tre ditë. Aq sa zgjat kujtesa.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë