Kristaq Tutulani: “Një pjekje të vetme (sa e pastër), patëm ne të dy”

Kristaq Tutulani: “Një pjekje të vetme (sa e pastër), patëm ne të dy”

Dashuria, ndjenja më sublime njerëzore ka pasur shfaqje të ndryshme në kohëra të ndryshme. Në Shqipërinë e trazuar, me popullsi me shumicë rurale dhe analfabete, dashuria ishte gati e pamundur dhe e ndaluar dhe përballej me ndjenja të fshehura, të pashprehura, deri në dhimbje. Këngët që vinë prej shekujsh, tregojnë shprehjet e qarta të këtyre dhimbjeve. Vitet 30-të filluan ta kapërcejnë disi situatën, kur shkollat nisën të frekuentohen edhe nga vajzat. Vetë  miqësitë që u krijuan mes djemve dhe vajzave, lindën ndjenjat e para. Por si perceptoheshin ato aso kohe, sa ndaheshin mes mendimeve, ndrojtjes, veprimeve? Nuk di nëse sot rinia, shumë më praktike dhe vepruese, mendon mënyrën si perceptoheshin dhe jetoheshin këto ndjesi dashurish platonike.

Në këtë ditë Dashurie, po ju sjell një letër të Kristaq Tutulanit, drejtuar shoqes së tij korcare, që e njohu në vitet kur studjoi në Liceun Francez në Korcë, shkruar ne 1940:  

A…..,

Pas më se dy vitesh, po të shkruaj. Heshtja ime deri më sot ka qënë e arsyeshme, në Korcë s’kisha se si të shkruaja. Tani, Xheni, pa të keq, (se ajo nuk di gjë), më dërgoi adresën tënde.

Kjo letër do të jetë vetëm një shpjegim i thatë dhe i shkurtër, ndonëse me ty më lidh kujtimi dhe ëndrra më e bukur e më e ngrohtë e jetës sime. Të kam fshehur mjaft deri më sot. Nuk e kam bërë me prapamendim, për këtë dëshmon sjellja e ime më se korrekte, asnjëherë nuk isha seduktor, asnjëherë nuk kërkova të përfitoj.

Isha një foshnje kur për të parën herë të shkruajta. Dashuroja më fort dashurinë, esencën e saj, se sa tynë. Frikë, dhembje, një aspirtatë e turbullt, pak e qartë edhe për mua vetë. Dhe kur ti m’u përgjigje, të evitoja si një rrezik. Largimi yt erdhi a propos.

Por kthimi i dashurisë më gjeti në një krizë të vërtetë: së bashku me një pjekuri, sa të parakohëshme aq të përnjehertë, më treste edhe një pantheizmë sentimentale, gati mistike. Kjo qe, ndofta, që i dha trajtën përfundimtare natyrës së ndjenjës sime: ti ishe për mua mes një simboli dhe një motre.

U përpoqa shumë ti imponoja vetes sime sensualitetin, të kthehesha në thjeshtësinë e njeriut primitiv. Të bije ndër mend historia e “së burgosurës” sime? Ti, ndofta ndjenje pakëz kur e këndonje, unë vuaja kur e shkruaja. Me një inoçencë me të vërtetë prekëse, më shkruajte se e puthje fshehurazi letrën time. Nuk përpiqeshe të bëje gjithë aq e vuajtur. Të gënjeja kur të shpikja një mijë përalla për t’u treguar sensual dhe për nderin tim, të betohem, i vetmi qëllim i këtyre gënjeshtrave, ishte të gënjeja veten time e ta bëja ndjenjën time “dashuri”...

Por kot, se unë mbetem gjithmonë i tillë: ndjenja ime vdes aty ku lind sensualizmi dhe sensualizmi im vdes aty, ku lind ndjenja….

Një pjekje të vetme (sa e pastër), patëm ne të dy. Nga kjo pjekje, një fjalë më ka mbetur e ngulitur në zemër: “sikur të të kisha motër” të thashë, dhe ti më shtërngove dorën…Që atë cast e kuptova se ti më ishe si një motër, e vetmja motër, ndofta për mua…

Lëmë të virgjër kujtimin e këtij shtërngimi të dorës, që më ka lënë kujtimin më të bukur të jetës sime, sepse më ke lënë një jetë të tërë…

Në Berat pastaj kalova kaq kohë fare vetëm e larg teje. Sikur të besoja tek Perëndia, do të thosha se ndofta vetë Zoti deshi, për të mirën tonë që të më largonte nga Korça, sepse në këtë periudhë, arrita ta sundoj veten. Mjaft eksperiencë e mjaft vështrim të qartë fitova.

Sot mbaj premtimin që të pata dhënë kur u largova:”kam gjysmuar vazhdimisht natyrën e ndjenjës sime”. Sot, së bashku me të vërtetën mbi të kaluarën (nën dritën e kësaj të vërtete, shumë sjellje do t’i kuptosh, sidomos qëllimin tim të mirë kur tërthorazi të këshilloja: ti jepje veshin kohës, që shëron çdo gjë), të tregoj thjeshtë dhe shkurt gjendjen e sotme:

Nuk ndjej për ty tjetër gjë, përveçse nostalgjinë e një endrre të veçantë dhe foshnjërore dhe dëshirën që të kem më tepër një shoqe, një motër.

Për të parën kujtim, kam një tog letrash, të cilat më vonë mund t’i shpalos me buzëqeshje e me një urim për ty. Për të dytën, kujtimi i një shtërngimi dore, mund të t’a parfumonte një miqësi të re midis nesh, një vëllazëri, mund të thosha.

Mora guximin të të shkruaj edhe këtë radhë me vetën e parë për hir të një të kaluare, që më është e shtrenjtë, por mund ta bëj dhe sakrificën të të flas me “ju”, nëqoftëse e dëshiron.   K.   

Përgatiti: Nini Mano

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

Grubi në kërkim ndërkombëtar, reagon BDI: Propozuam ligj për mos futjen e non gratave në zgjedhje, e rrëzuan ata që na akuzojnë sot

Grubi në kërkim ndërkombëtar, reagon BDI: Propozuam ligj për mos futjen e non gratave në zgjedhje, e rrëzuan ata që na akuzojnë sot