Kristjan Asllani është zyrtarisht futbollist i Besiktasit, pasi klubi turk ka arritur marrëveshje me Interin për transferimin e përkohshëm të mesfushorit shqiptar deri në fund të sezonit 2025–2026.

Po ashtu, sipas një njoftimi zyrtar të Besiktasit, marrëveshja përfshin edhe një opsion blerjeje në favor të klubit turk në përfundim të huazimit.

Besiktasi ia doli t'i mbushte mendjen Asllanit për një huazim deri në verën e 2026, ndërsa klubi turk ka të drejtën e blerjes finale nëse do bindet nga cilësitë e shqiptarit.

Gjashtë muajt e kaluar Asllani i kaloi në huazim nga Interi te Torino, por forma jo e mirë bëri që ai të rikthehej te zikaltërit, duke nisur tanimë një tjetër huazim, por në Turqi.

Udhëtimi i Asllanit drejt Stambollit ishte planifikuar për të enjten në mbrëmje, por një defekt në avion bëri që nisja nga Milano të shtyhej për sot. Besiktasi do paguajë pagën e plotë të shqiptarit për muajt që do e ketë në dispozicion, ndërsa gjatë verës që vjen mund ta blejë nga Interi pasi palët kanë vendosur edhe këtë pikë në kontratë, por jo me detyrim.

"Mirë se vini Kristjan Asllani në Beşiktaş.

Është arritur një marrëveshje me Interin për transferimin e përkohshëm të futbollistit profesionist Kristjan Asllani deri në fund të sezonit 2025–2026.

Sipas marrëveshjes, klubi ynë ka opsionin e blerjes së lojtarit.

I urojmë suksese Kristjan Asllanit me fanellën tonë të lavdishme dhe e bëjmë këtë njoftim me respekt për opinionin publik", thuhet ne njoftimin e Besiktas.