Fitorja që korri kaolicioni i majtë (Aleanca për Shqipërinë Europiane) erdhi si pasojë e gabimeve të rënda që kreu koalicioni i djathtë (Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim) nën udhëheqjen e Prof. Sali Berishës. Analizën e faktorëve që shkaktuan disfatën e koalicionit të djathtë i takon ta zbërthejë vetë kryesia e koalicionit të djathtë. Ne, qytetarëve, na takon vetëm të japim pikëpamjen tonë, në radhë të parë, mbi faktorët që përcaktuan disfatën.
Mendojmë se një nga faktorët e spikatur të dështimit të koalicionit të djathtë është pa dyshim qëndrimi i mbrapshtë që mbajti koalicioni i djathtë ndaj veprimit dhe mendimit shkencor. E thënë me fjalë të tjera, është politika obskurantiste që kryetari i këtij koaliconi mbajti në vijimësi ndaj institucioneve shkencore.
Në praktikë, këtu nuk është fjala për të nxjerrë me këtë rast një mllef ndaj kryetarit të koalicionit, i cili nuk pranoi të dëgjonte asnjë këshillë, madje as t’u përgjigjej sugjerimeve jo të pakta që atij iu bënë në vitin 2006 kur mori vendimin ogurzi të çmontimit të Akademisë së Shkencave. Me një kokëfortësi dogmatike, ai iu turr të vetmit institucion të ajkës së mendimit shkencor, Akademisë së Shkencave, derisa e shpartalloi me një frymë, pra derisa e ktheu në një kufomë të pavarrosur.
***
Dihet se Akademia e Shkencave është themeluar më 10 tetor 1972. Ajo u themelua si një institucion qendror, i cili do të krijonte dhe do të udhëhiqte institucione shkencore të disiplinave të ndryshme. Ajo arriti të organizonte 13 institute shkencore, të krijuara të gjitha ex novo, mbasi asnjëra prej tyre nuk ekzistonte në Shqipëri para Çlirimit. Dihet se ashtu si gjithë institucionet shkencore dhe parashkencore, kooperativiste dhe shoqërore, artistike dhe sportive, edhe Akademia e Shkencave së bashku me rrjetin e saj shkencor, politikisht dhe ideologjikisht vareshin me fije të dukshme dhe të padukshme nga Partia e Punës së Shqipërisë.
Megjithatë, me përjashtim të drejtorëve, punonjësit e këtyre nuk ishin të gjithë partiakë. Enver Hoxha kishte kujdes që të përfshinte në radhët e këtyre institucioneve edhe njerëzit e shquar jopartiakë, si Eqerem Çabej, Mahir Domi etj, kur ishin të kualifikuar në fushën e tyre shkencore dhe të pakompromentuar politikisht si kundërshtarë të regjimit. Për t’i krijuar një barazi ligjore të pavarur nga qeveria, pas vitit 1990 Akademia e Shkencave u shkëput administrativisht nga Këshilli i Ministrave dhe u fut nën ombrellën e Presidentit të Republikës, i cili formalisht dhe ligjërisht ishte i shkëputur nga çdo parti politike.
Akademia e Shkencave kishte një statut, i cili garantonte pavarësinë e saj nga çdo qeveri dhe nga çdo parti. Anëtarët e Akademisë zgjidheshin me vota kurdoherë nga poshtë-lart. Ata ishin akademikë të përhershëm, mbasi përfaqësonin ajkën e mendimit shkencor. Punonjësit shkencorë të instituteve të
Akademisë emëroheshin pasi formohej bindja, në bazë të disa provave dhe dëshmive që i kishin aftësitë për të kontribuuar me punën e tyre shkencore në përparimin e vendit. Kriteri për t’u bërë anëtar i Akademisë ishte krejt i ndryshëm nga ai i emërimit të punonjësve të instituteve. Ai vlerësohej për punën shkencore që kishte kryer dhe jo mbi punën që do të kryente siç kërkohej për punonjësin e institutit. Anëtari i Akademisë vlerësohej për ndihmën që do t’i jepte shkencës me mendimin e tij të pjekur dhe me stazhin e tij të punës. Çfarë ndodhi në vitin 2006?
Atë vit u krye një e ashtuquajtur reformë, e cila e shpartallonte Akademinë në tre themelet e saj organizative dhe shkencore.
E para, sipas pseudoreformës, akademiku mund të jetë një punonjës shkencor derisa mbush moshën 75 vjeç, pastaj ai kalon në pension. Pra, sipas konceptit të kryeministrit të asaj kohe, Akademia e Shkencave u trajtua si një organizatë “rinie” e pleqërisë. Si rrjedhim, akademiku që mbushte moshën 75-vjeçare nuk ishte më shkencëtar. Kjo do të thotë se kur mbushte moshën 75 vjeçare, akademiku rridhte nga mendja dhe duhet të rrinte pranë vatrës duke pjekur gështenja.
E dyta, Akademia e Shkencave, sipas tij, nuk mund të ishte Akademi e mirëfilltë, po të ishte e pavarur. Ajo bëhej Akademi e vërtetë kur futej nën mengenenë e administratës shtetërore. Për kërë arsye, institucionet akademike të cilat i jepnin gjak jetës shkencore, u shkëputën prej saj dhe u përfshinë në administratën burokratike shtetërore. Disa prej tyre u përfshinë në “Qendrën e Studimeve Albanologjike”, e cila nga ana e saj u fut në mengenenë administrative të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, një ministri kjo edhe pse me ligj duhet të merret me shkencë, nuk di se ku banon shkenca. Institucionet e tjera të cilat i jepnin gjallëri jetës shkencore të vendit, u braktisën si fëmijë jetimë. Të gjitha këto masa u justifikuan me argumentin e shpifur se ishin reforma demokratike. Pra u servir teoria e mbrapshtë sikur shkenca në demokraci nuk duhet të jetë e pavarur dhe se shkenca është demokratike kur futet në mengenenë e administratës shtetërore.
E treta, vetë Akademia e Shkencave përveçse u privua nga institucionet shkencore, u rrudh edhe ajo vetë si njësi administrative. Sot ajo ka në krye një kryesi me nja dy seksione, pa asnjë kontingjent shkencëtarësh. Është shndërruar pikë për pikë në një shtab pa ushtri, në një zyrë që pret të promovojë vepra që i shkruajnë jo akademikë, të përkujtojë përvjetorët e të vdekurve dhe të lypë poshtë e përpjetë ndonjë kacidhe nga donatorët dashamirës për të organizuar ndonjë konferencë shkencore të rastit. Të dridhet trupi kur mendon se ajo Akademi e periudhës së parë, e cila botonte çdo vit goxha fjalorë dhe goxha enciklopedi, me dhjetëra monografi dhe revista në vit, kurse tani është shndërruar në një hije që dergjet në plogështinë e saj. E përse? Vetëm për shkak të mendjes së një udhëheqësi dhe jo të faktorëve madhorë, të cilat mund ta detyronin shtetin t’i vinte kazmën institucioneve shkencore.
*
Poshtë e përpjetë thuhet se reforma apo pseudoreforma e vitit 2006 e shndërroi Akademinë operative në një akademi honorifike. Pyesim: Cili është përfitimi që pati Shqipëria nga kjo Akademi honorifike? Mos vallë ne jemi aq të pasur me Akademira operative sa vuanim për një Akademi honorifike? Cili është përfitimi që pati vendi, shkenca shqiptare, mendimi shkencor shqiptar nga shkëputja e instituteve prej Akademisë së Shkencave? Autorët e pseudoreformës trumbetonin se shkëputja e instituteve shkencore nga Akademia e Shkencave do t’i jepte një hov përparimit dhe zhvillimit të shkencave.
Le të na thonë cili është programi i punës së saj të paktën për vitet që kemi përpara, për t’u bindur se Shqipëria ka nevojë për Akademinë honorifike. Por ç’po ndodh? Ndodhi që institutet të cilët mbetën jetimë, vetëm vegjetojnë dhe nuk dinë se çfarë bëjnë. Përsa i përket instituteve të shkencave shoqërore, të cilat u futën nën ombrellën e “Qendrës së Studimeve Albanologjike”, janë katandisur keq e mos më keq – aq keq sa kanë mbetur edhe pa zyra për arsye thjesht banale, sepse ndërtesa e tyre u privatizua. Mendoni: një shtet që i lë punonjësit shkencorë pa ndërtesë se ku të punojnë! Të paktën le të ngrinte çadrat ushtarake ku të punonin gjatë orarit zyrtar. Duket sikur vazhdon reforma e inauguruar në vitin 2006 për të shkaktuar vdekjen e ngadalshme të shkencave albanologjike.
***
Mjafton kaq për t’u bindur se ka ardhur koha për ta ndalur këtë vrapim të çmendur të Akademisë së Shkencave drejt shkatërrimit.
Rezultatet e zgjedhjeve të 23 qershorit duhen lexuar si një dënim që opinioni publik i dha politikës absurde të Sali Berishës, midis të tjerave edhe synimit të tij për ta lënë Shqipërinë tonë fatkeqe pa shkencë, pa dituri. Ndërsa shpreh përgëzim për fitoren e bujshme që korri koalicioni i majtë në zgjedhjet e 23 qershorit, në të njëjtën kohë shpreh edhe bindjen se udhëheqësit e koalicionit fitimtar të frymëzuar nga dashuria për atdheun, lirinë, përparimin, shkencën do të jenë në gjendje të riparojnë shumë shpejt gabimet e rënda që u kryen gjatë viteve të fundit në fushën e shkencës, të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 06.07.2013
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)