Myrto Uzuni është rikthyer në qendër të vëmendjes mediatike, por këtë herë jo për golat apo paraqitjet në fushë. Sulmuesi i kombëtares shqiptare u komentua gjerësisht në rrjetet sociale pas publikimit të disa pamjeve nga dasma e motrës së tij, ku shihet duke hedhur shumë para gjatë festës.

Një moment gëzimi familjar që u interpretua ndryshe nga një pjesë e opinionit publik dhe u shoqërua me kritika, duke e cilësuar gjestin si të tepruar dhe pa etikë.

Pikërisht për këtë situatë, Myrto Uzuni ka reaguar në rrjetet sociale. Ai shpjegon se dikur ka qenë shumë i varfër, ndërsa sot i ka siguruar familjes së tij gjithë të mirat dhe hedhja e parave ka qenë çështje gëzimi.

“Sqarim. Familja numër 1. Videoja e hedhjes së lekëve ishte thjesht një moment gëzimi për motrën time. E di që gjithmonë ka shumë xhelozi, por unë jam ai që kam qenë -0 dhe sot kam arritur t’ia siguroi familjes të ardhmen. Faleminderit Zotit! Nuk i shpenzova lekët nëpër diskoteka duke hapur shishe, do të ketë njerëz që gjejnë arsye për të folur. Edhe po të mos kisha hedhur, dikush do të kishte komentuar.

Pra, çfarëdo që të bësh, nuk mund t’i kënaqësh të gjithë. Unë vetëm bëra atë që ndjeva dhe nuk ka asgjë për t’u keqkuptuar. Faleminderit atyre që e kuptojnë dhe respektojnë gëzimin e familjes! Gëzimë paçi në familjet tuaja! Me respekt, familja Uzuni”, shkruan Uzuni në kanalet e komunikimit.