Kritikat për paketën anti-shpifje, Rama: Mark Mark Marku kërcënoi deputetin se do i thyejë kokën me shishe, duhet markuar me pullë të kuqe (VIDEO)

Kryeministri Rama në fjalën e tij në parlament nuk kurseu as Mark Markun, që mbrëmë iu drejtua deputetit Musa Ulqini se do ta godiste me bidon në kokë. Ai tha se ligji po synon që të rregullojë xhunglën mediatike. Rama tha se i njëjti sistem është sot për mediat audiovizive.

"Një tjetër hero atje jashtë, është Mark Mark Marku që jo më larg se dje, - unë nuk i ndjek, por pashë një reflektim në të gjithë portalet e lirisë, - nuk lë fjalë të ndyrë në mexhlis pa i thënë një deputeti duke e kërcënuar se do t’i thyejë kokën me shishe. Ky është  profesori i letrave, Mark Mark Marku që duhet markuar me pullë të kuqe kur merr përsipër të flasë për lirinë, por që ka të gjithë lirinë të thotë të gjitha ato që do. Ky ligj nuk është për deputetin që te çojë përpara autoritetit Mark Mark Markun se iu shthur goja, në një moment  të caktuar. Jo. Ky është një ligj për të garantuar që publiku të mësojë më shumë mbi atë që thuhet.

Nëse një qytetar lexon tërë këto të zeza, ka të drejtën të dijë janë vërtetë të tilla? Janë të gjitha kështu? A jemi të gjithë këtu njësoj? Të gjithë ata që merren me politikë janë të destinuar që të kenë në kurriz atë turmë atje,  që t’i ngrejë dhe t’i ulë, kriminela e hajdutë, dhe banditë e maskarenjtë e të korruptuar apo secili ka të drejtën që të kërkojë llogari publike për atë çfarë i thuhet?! Për çfarë po flasim këtu? Ku është  këtu liria e shprehjes që po cenohet?! Ku është  këtu, liria e opinionit që po cenohet?! Këtu nuk ka lidhje fare me opinionin. Kur kam dhënë një intervistë  të gjatë për revistën “New Yorker”, kur isha kryetar i bashkisë më dedikuan një portret të gjatë. Kanë intervistuar disa njerëz dhe kanë përmendur disa njerëz. Ka zgjatur një muaj. Për një muaj, pasi gazetarja Jane Kramer, një nga gazetaret më të njohura të Amerikës dorëzoi shkrimin, departamenti i verifikimit të fakteve i merrte në telefon të gjithë njerëzit që ishin përmendur dhe deri tek pyetja; A është e vërtete që ditën që i referohet kryesori i bashkisë, kishe veshur fustan të kuq? Unë e mora në telefon dhe i thashë çfarë bëhet? Jeni bërë si prokurori dhe i merrni të gjithë njerëzit në telefon. “Eh,  - tha, - falë asaj prokurorie që kur ka lindur revista, nuk kemi humbur asnjë gjyq.”

Tani nuk po i kërkojmë këtyre që të verifikojnë deri në pikën çfarë kishim veshur ne, kur thamë këtë apo atë, por që këta të marrin përsipër në mëngjes,  të  lëshojnë akuza penale dhe për këto të mos marrin asnjë përgjegjësi, mos japin asnjë llogari, dhe të mos marrin përsipër minimalisht ta heqin vullnetarisht artikullin që nuk e provojnë, si mund ta pranojmë këtë? Qëllimi i këtij ligji është një kornizë ligjore për të rregulluar dhe disiplinuar veprimtarinë e një xhungle. Është një xhungël skllevërish të pa siguruar që merren në punë sot dhe hidhen në rrugë nesër. Xhungël shëmbëlltyrash  të paregjistruara me domene të regjistruara jashtë Shqipërie, me histori nga më të ndryshme që nuk i japin llogari asnjë njeriu. Xhungël, që merr para pafund, lart e poshtë dhe nuk paguan asgjë, asnjë detyrim. Xhungël që prodhon në vijimësi urrejtje, që prodhon në vijimësi dezinformim, që prodhon në vijimësi dëshpërim.

Ky ligj nuk e cenon asnjë fije, Rudina  Hajdari, të drejtën e shprehjes, lirinë e opinioneve, të drejtën për të dhënë lajme nga të gjitha burimet mundshme, asnjë fije. Por ama, ky ligj garanton mbrojtjen e dinjitet, dhe të drejtave të tua kur të ulin dhe të ngrenë sipas qejfit, sepse ti në një moment të caktuar mendon me kokën tënde. Nëse ty, kjo nuk të bën përshtypje për veten tënde, mua më bën përshtypje edhe  për ty, edhe për të gjithë të tjerët. Jo për veten time, por për njerëzit e familjes time, por që nuk mësohen dot me këtë, që nuk qetësohen dot me faktin që “lëre se kështu e kanë këta”. Për autoambulancën që duhet të marrë nënën time dhe ta çojë në spital, që megjithëse ka 30 vjet që i ndjek këta, nuk arin dot që t’i thotë “ik” nuk të dëgjoj.

Nga ana tjetër, ky sistem është  sot, për mediat audivizuale, është  sot që po flasim, i njëjti sistem, i njëjti mekanizëm. Sot, e kushedi sa kohë gjithëkush ka të drejtë të shkojë tek AMA dhe të ankohet për një lajm ose një  informacion që ai  e konteston  në lidhje me  veten e vet, në një ekran. E pse nuk ka ndodhur si pasojë e kësaj që të ketë një unifikim të ekraneve në shëmbëlltyrat e  ERTV-së. Vetëm një të mirë ka kjo zhurmë, që bën publicitet për ERTV-në . “Televizion” - thotë. Mjafton  të vesh një logo në një faqe video të facebook-t dhe ta quajnë televizon. Ky është  qëllimi në fakt që ta quajnë  televizion dhe ta ndjejnë konkurrent, ndërkohë që ERTV nuk pranon publicitet dhe nuk merr para nën dorë dhe kushton 100 herë më pak se portali më irrelevant, por është çështje vizioni dhe inteligjence, nuk është çështje parash" tha ai.


Lajmi kryesor:

Portalet 'shpëtohen' nga mbyllja, por u rritet gjoba (dhe nuk pezullohet pa folur gjykata)! Parlamenti voton ligjin anti-shpifje /VIDEO- Ndryshimet e fundit


  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë