Kundërshtarët politikë të Presidentit Tajip Erdogan thanë se thirrja e tij për të dëbuar ambasadorët e 10 vendeve aleate perëndimore ishte një përpjekje për të hequr vëmendjen nga vështirësitë ekonomike që po kalon Turqia. Nga ana tjetër diplomatët shpresojnë ende që dëbimet të shmangen.
Të shtunën zoti Erdogan tha se ka urdhëruar që ambasadorët e disa vendeve të shpallen “persona të padëshiruar”, pasi kanë kërkuar lirimin nga burgu të filantropistit Osman Kavala. Ministria e Jashtme turke nuk e ka zbatuar ende udhëzimin e presidentit, një masë që do të krijonte përçarjen më të thellë me Perëndimin në 19 vitet e Erdoganit në pushtet.
Kriza diplomatike përkon me shqetësimet e investitorëve për rënien e lirës turke, në nivele të ulta rekord, pas një vendimi javën e kaluar të Bankës Qendrore, për të ulur papritur normat e interesit me 200 për qind, nën presionin e Presidentit Erdogan për të stimuluar ekonominë.
Kemal Kilicdaroglu, udhëheqës i opozitës kryesore (CHP), tha se zoti Erdogan "po e çonte vendin me shpejtësi drejt greminës".
"Arsyeja për këto lëvizje nuk është mbrojtja e interesave kombëtare, por krijimi i arsyeve artificiale për shkatërrimin e ekonomisë", shkruante ai në një postim në Twitter.
Osman Kavala, i cili ka kontribuar financiarisht për grupeve të shumta të shoqërisë civile, ka qendruar në burg për katër vjet, i akuzuar për financimin e protestave mbarëkombëtare në vitin 2013 dhe për përfshirje në një grusht shteti të dështuar në vitin 2016. Ai i ka hedhur poshtë akuzat dhe po qëndron në paraburgim ndërsa procesi gjyqësor ndaj tij vazhdon.
Zoti Erdogan i quajti kërkesat e diplomatëve “të pacipa” duke shtuar se ata nuk kishin të drejtë të kërkonin lirimin e zotit Kavala, duke theksuar se gjyqësori turk është i pavarur.
Sinan Ulgen, kryetar i institutit studimor “Edam” me qendër në Stamboll dhe një ish-diplomat turk, tha se shpresonte që Ankaraja të mos i dëbojë diplomatët. Në një postim në twitter ai e quante propozimin e presidentit turk, si një masë të pashembullt mes aleatëve të NATO -s.
"Ministria e Jashtme turke po punon shumë për të gjetur një formulë më të pranueshme. Por koha po mbaron", shktuante ai.
Por jo gjithmonë Presidenti Erdogan nuk i ka çuar deri në fund kërcënimet e tij.
Në 2018, pas një mosmarrëveshje me Uashingtonin, zoti Erdogan deklaroi se Turqia do të bojkotonte mallrat elektronike amerikane. Por shitja e mallrave nuk u prek. Vitin e kaluar, ai u bëri thirrje turqve të bojkotojnë mallrat franceze, rreth asaj që ai e quajti axhendë "anti-islame" e Presidentit Emmanuel Macron, por ai nuk e zbatoi një masë të tillë.
Sipas një burimi diplomatik, të hënën, gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar pritet të merret nje vendim lidhur me diplomatët. Po sipas tij ishte mundur gjithashtu ulja e tensioneve, duke pasur parasysh shqetësimet mbi pasojat e mundshme diplomatike. Zoti Erdogan ka thënë se do të takohet me Presidentin amerikan Joe Biden gjatë samitit të G20 që mbahet fundjavën tjetër në Romë./ VOA