Kriza e çmimeve, Sejko: Inflacioni u rrit në korrik e gusht në 7.5% e 8%, do vijojë të jetë i lartë! Rritet me 0.5 % norma bazë e interesit

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko bëri me dije pasditen e kësaj të mërkure situatën ekonomike në vend lidhur edhe me krizën energjetike dhe periudhën post pandemike të cilat kanë ndikuar në ecurinë e vendit. Sejko u shpreh qartë se lufta në Ukrainë, pandemia dhe elementë të tjerë kanë ndikuar në vështirësinë e rritjes së ekonomisë vendase. Sipas të dhënave të Instat-it, rritja ekonomike zbriti në nivelin 2.2%, nga 6.5% në tremujorin e parë.  Duke gjykuar mbi sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë do të rrisë me 0.5 % normën bazë të interesit, duke e çuar në nivelin 2.25 %.

  • 1.       të rrisë me 0.5 pikë përqindje normën bazë të interesit, duke e çuar atë në nivelin 2.25%;
  • 2.       të rrisë me 0.5 pikë përqindje normën e interesit të depozitës njëditore, duke e çuar atë në nivelin 1.25%;
  • 3.       të rrisë me 0.5 pikë përqindje normën e interesit të kredisë njëditore, duke e çuar atë në nivelin 3.25.

Sejko u shpreh se inflacioni vjen si rezultat i goditjes së ofertës dhe të pasigurisë në tregjet botërore.

Informacioni i ri i marrë në analizë sugjeron se goditjet e ofertës dhe rritja e pasigurisë në tregjet botërore, po transmetohen në rritje të inflacionit dhe ngadalësim të ritmit të rritjes ekonomike në vend. Në veçanti, presionet e huaja inflacioniste vlerësohen të jenë më të forta e më të qëndrueshme se vlerësimet tona të mëparshme. Po ashtu, kërkesa në rritje për mallra e shërbime në vend, tregu dinamik i punës dhe pritjet për norma të larta inflacioni, po lehtësojnë përhapjen e tyre në ekonominë shqiptare. Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se rritja e shpejtë e çmimeve mbetet rreziku kryesor për stabilitetin monetar e financiar të vendit dhe për rritjen e qëndrueshme e afatgjatë të tij.

Në këto rrethana, Këshilli vendosi të vijojë normalizimin e qëndrimit të politikës monetare. Ky normalizim synon të krijojë kushtet e nevojshme për kthimin gradual të inflacionit në objektiv, brenda një horizonti kohor të arsyeshëm dhe me kosto sa më të ulëta për aktivitetin e brendshëm ekonomik.

Në vijim, do t’ju njoh me vendimin e politikës monetare dhe do t’ju shpjegoj më në detaje arsyet e tij.- tha guvernatori i BSH.

Sejko u shpreh se inflacioni i lartë i cili u rrit në korrik e gusht në nivelin  7.5% deri në 8 % si dhe do të vazhdojë të jetë i lartë për të paktën 2 tremujorët e ardhshëm.

‘Inflacioni u rrit më tej në muajt korrik e gusht, duke shënuar vlerat respektive prej 7.5% dhe 8.0%. Kontributi kryesor në inflacion vijon të vijë nga rritja e shpejtë e çmimeve të ushqimeve dhe të naftës. Megjithatë, tendenca e rritjes së çmimeve po bëhet prezente në një gamë gjithnjë e më të gjerë mallrash dhe shërbimesh.

Forcimi dhe zgjerimi i presioneve inflacioniste pasqyron si rritjen e përshpejtuar të çmimeve në tregun global ashtu edhe intensifikimin e presioneve të brendshme. Lufta në Ukrainë përkeqësoi problemet ekzistuese të ofertës globale dhe shkaktoi probleme të reja, kryesisht në tregjet e ushqimeve bazë, të lëndëve energjetike dhe të lëndëve bazë. Si rezultat, çmimet e këtyre produkteve u rritën shpejt në tregjet globale dhe në vendin tonë. Paralelisht me to, rritja e kërkesës agregate në vend ka mbështetur zgjerimin e punësimit dhe të pagave dhe ka shtuar presionet e brendshme inflacioniste.

Ekonomia shqiptare vijoi rritjen në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, ndonëse ritmet e saj u ngadalësuan ndjeshëm në tremujorin e dytë. Sipas të dhënave të Instat-it, rritja ekonomike zbriti në nivelin 2.2%, nga 6.5% në tremujorin e parë. Reduktimi i rritjes pasqyroi, në masën më të madhe, ngadalësimin e shpejtë të aktivitetit në sektorin e ndërtimit dhe të industrisë. Megjithatë, shenja të ngadalësimit ishin të pranishme edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë.

Në këndvështrimin makroekonomik, ky ngadalësim pasqyroi si veprimin e efektit bazë, ashtu dhe efektin negativ të kostove të larta dhe të rritjes së pasigurisë. Këta faktorë sollën frenimin e ritmit të rritjes së eksporteve dhe të investimeve të sektorit privat, tkurrjen e shpenzimeve të sektorit publik, si dhe rritjen e shpejtë të importit të mallrave e shërbimeve. Përkundrejt tyre, konsumi familjar vijoi të shënojë norma të qëndrueshme rritjeje.

Në një këndvështrim më afatgjatë, trendi rritës i kërkesës për mallra e shërbime ka sjellë një shfrytëzim gjithnjë e më të plotë të kapaciteteve prodhuese në vend. Kjo tendencë është veçanërisht prezente në tregun e punës, ku shkalla e papunësisë zbriti në minimumin historik prej 11.1% në tremujorin e dytë. Rritja e kërkesës për punë dhe mungesa e fuqisë punëtore po ushtrojnë presione rritëse mbi pagat në sektorin privat. Kjo ecuri siguron mbështetje për të ardhurat e familjeve shqiptare në periudhën në vazhdim, por është edhe premisë për një qëndrueshmëri më të gjatë në kohë të presioneve inflacioniste.

Ambienti i brendshëm monetar vijon të mbetet stimulues, ndërsa tregjet financiare shqiptare vijojnë të jenë të qeta. Rritja e normës bazë të interesit po transmetohet në tregun financiar, por normat e interesit janë ende stimuluese dhe pranë niveleve të ulëta historike. Nga ana tjetër, kursi i këmbimit të lekut mbetet në pozita të forta ndaj monedhës evropiane, duke ndihmuar absorbimin e një pjese të goditjes së ofertës që vjen nga tregu i huaj.

Kredia bankare ka vijuar të financojë konsumin dhe investimet, në reflektim të kërkesës së lartë, të kushteve ende të favorshme të financimit, si dhe të shëndetit të mirë të sektorit bankar. Kredia për sektorin privat u rrit me 13.7% në muajin gusht, duke vijuar trendin e viteve të fundit. Rritja e saj ka vijuar të jetë e pranishme si tek bizneset dhe tek individët, për qëllime investime dhe shpenzimi, si në monedhën lek ashtu edhe në valutë. Krahas trendit rritës të kredisë dhe diversifikimit të saj, cilësia e portofolit mbetet e mirë sikurse ilustrohet nga treguesi i kredive me probleme, i cili mbetet në nivele të ulëta.

Përditësimi i parashikimeve rikonfirmon vlerësimet tona të mëparshme se inflacioni do të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024. Në terma të dinamikës kohore, inflacioni pritet të mbetet i lartë në dy tremujorët në vazhdim dhe të nisë rënien në periudhën pasuese.

Ky parashikim faktorizon pritjet për zbutjen progresive të presioneve inflacioniste në ambientin e huaj. Gjithashtu, ai kërkon normalizimin e qëndrimit të politikës monetare, për të siguruar kontrollin e efekteve të raundit të dytë në ekonominë vendase.

Nga ana tjetër, përditësimi i parashikimeve sugjeron se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, ndonëse ritmi i rritjes do të jetë disi më i ulët. Përkeqësimi i perspektivës ekonomike në Evropë, ndikimi negativ që çmimet e larta kanë në fuqinë blerëse të familjeve, si dhe reduktimi i stimulit fiskal, pritet të ngadalësojnë konsumin familjar dhe investimet e bizneseve në vijim. Nga ana tjetër, niveli i lartë i depozitave, rritja e punësimit dhe e pagave, rritja e kredisë bankare dhe paketat e rezistencës sociale pritet të sigurojnë mbështetje për bilancet e sektorit privat.

Informacioni i disponuar sugjeron se balanca e rreziqeve mbi inflacionin qëndron në kahun e sipërm, ndërsa balanca e rreziqeve mbi rritjen ekonomike qëndron në kahun e poshtëm. Në veçanti, lufta në Ukrainë është burim kryesor i pasigurisë dhe përshkallëzimi i konfliktit mund të çojë në çmime më të larta të mallrave, ndërprerje të zinxhirëve të furnizimit dhe rritje më të ulët ose edhe negative ekonomike rajonale dhe evropiane.’- tha Sejko.

Sejko u pyet edhe për aministinë fiskale ku tha se Banka e Shqipërisë e sheh me kosto dhe benefite. Ndonëse do të ndikonte pozitivisht në buxhetin e shtetit, guvernatori i Bankës u shpreh se duhet studiuar mirë përpara se të aplikohet pasi mund të ndikojë në pastrimin e parave dhe evazion fiskal.

Kujtojmë se lufta në Ukrainë ndikoi në rritjen e çmimeve të produkteve bazë, karburantit dhe energjisë duke shkaktuar një krizë botërore. Shqipëria ashtu si vendet e tjera mori masat e nevojshme për të përballuar krizën dhe për të mbrojtur qytetarët. Niveli i inflacionit u rrit në periudhën korrik gusht dhe pritet të jetë i lartë në 2 tremujorët e ardhshëm.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:28
Amnistia fiskale, Sejko: E shohim me kosto e benefite në përmirësimin e ekonomisë, por duhet studiuar për shmangien e evazionit fiskal

 

Guvernatori Gent Sejko u pyet edhe për aministinë fiskale ku tha se do të ndikonte pozitivis ht në ecurinë e ekonomisësi dhe patjetër do të ndihmonte në buxhetin e shtetit. Sejko u shpreh se megjithëse do të ndikonte pozitivisht duhet studiuar mirë përpara se të aplikohjet në mënyrë që të shmanget evazioni fiskal dhe se duhet të aplikohet në kohën e duhur.

‘Banka e Shqipërisë e sheh me kosto dhe benefite. Ka si objektiv rritjen e fuqive financiare, formalizimin e ekonomisë. Amnistia fiskale do të kishte ndikim të mirë sepse do ndihmonte buxhetin e shtetit. Ne kemi theksuar se opioni i BSH duhet shmangur rreziku i  pastrimit të parave. Sigurisht që kemi theksuar që Amnistia duhet bërë e studiuar në mënyrë që të jetë një instrument në drejtim të përmirësimit të ekonomisë dhe për të shmangur evazionin fiskal pra nuk duhet bërë në formë të vazhdueshme. Nëse plotësohen këto BSH e sheh si normalizim të ekonomisë dhe rritjen e buxhetin.

Drafti po rishikohet, drafti është dukeu punuar.  Ka patur një draft të parë, ku kemi dhënë opinionet tona. Opinioni i BSH është thënë dhe në kuvend, pra BSH e shikon amnistinë fiskale në rradhë të parë në funskion të formalizimit të ekonomisë. BSH ka synim rritjen e përfshirje financiare, duke future paratë që janë jashtë sistemi brenda sistemit.

…Ajo do sillte likuiditete të shtuara në ekonomi dhe buxhet më të madh të shtetit.Kostot janë rreziku I pastrimit të parave, gjë që duhet shmangur me patjetër, si dhe paratë që vijnë nga kriminaliteti. Ajo duhet të jetë e studiuar.

Amnistia duhet parë si një rinisje nga 0, por jo dicckla e vazhdueshme, me qëllim që të luftohet dhe të mos lejohet më fshehja e të ardhurave. Në rast se ky objektiv realizohet, e shohim positivisht mën këtë nisëm, pasi do sillet rritje të qarkullimit monetar nga jashtë sistemit brenda sistemet bankar.’- tha Sejko.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale