Kriza energjetike në rajon, Maqedonia e Veriut merr masa për kursim të konsumit

Kriza energjetike në rajon, Maqedonia e Veriut merr masa për kursim të konsumit

Foto ilustruese

Autoritetet qeveritare të Maqedonisë së Veriut synojnë të kursejnë energji elektrike në mënyrë që muajt e dimrit të kalohen më me lehtësi. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi tha se dimri që vjen do të jetë ndër më të vështirët me të cilët është ballafaquar ndonjëherë vendi, teksa njoftoi vendimet që i mori të martën qeveria për të kursyer energjinë elektrike.

“Rekomandimet, udhëzimet dhe obligimet janë ndarë në disa kategori, para së gjithash duke u nisur nga fakti nëse bëhet fjalë për konsumin familjar, për kompani apo hapësira të objekteve publike në pronësi të pushtetit qendror, siç janë ministritë, agjencitë e ndryshme, organet e administratës shtetërore dhe institucione të tjera”, tha ai.

Ndërsa masat për institucionet qeveritare dhe publike janë të detyrueshme, atyre të pushtetit lokal, kompanive private dhe konsumatorëve familjarë u rekomandohet të ndjekin urdhrin që vlen për institucionet dhe agjencitë qeveritare.

“Qëllimi kryesor që duhet të arrihet është ulja e konsumit të energjisë elektrike me 15% krahasuar me muajin e njëjtë të një viti më parë. Nëse nuk arrihet ky qëllim do të pasojnë sanksione të ndryshme për drejtuesit e institucioneve të përcaktuara në kuadër të vendimeve qeveritare”, u shpreh Bekteshi.

Masat do të hyjnë në fuqi nga 1 shtatori dhe do të zgjasin deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.

Masat parashikojnë, mes tjerash shkyçjen e dritave dekorative nga objektet dhe fasadat, mospërdorimin e dritave në hapësira ku ka dritë dielli, shkyçjen e kompjuterëve pas përfundimit të punës, përdorimin e arsyeshëm të kondicionerëve, varësisht temperaturave, etj.

Autoritetet në Shkup synojnë që të mos blejnë nga jashtë energji elektrike deri në fund të këtij viti dhe prodhimin vendas ta rrisin përmes kapacitetit të termocentraleve. Megjithatë, për këtë qëllim nevojiten sasi të konsiderueshme të qymyrit që do të importohej nga jashtë./VOA

D.GJ/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mat/ Humbi kontrollin e makinës, 40 vjeçari përplas për vdekje të moshuarin

Mat/ Humbi kontrollin e makinës, 40 vjeçari përplas për vdekje të moshuarin