BRUKSEL- NATO do të shtojë praninë ushtarake në Balltik dhe Mesdhe për shkak të krizës në rritje në Ukrainë. Deklarata ka ardhur nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmusssen në një takim të Këshillit Euroatlantik në Bruksel. Organizata veriatlantike ka aprovuar një sërë masash për rritjen e sigurisë në Evropën Lindore.

“Planet tona të mbrojtjes do të rishikohen dhe do të fuqizohen, është shprehur në këtë takim Rasmussen."  Ai shtoi se NATO nuk kishte arritur ende në një vendim për vendosjen e trupave në Evropën Lindore, por është rënë dakord për një sërë masash që do të vihen shumë shpejt në zbatim. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se, “të gjithë ramë dakord se zgjidhja politike është e vetmja rrugë dhe i bëri thirrje Rusisë të bëhet pjesë e kësaj zgjidhje.”
 
Më herët Rasmussen akuzoi Rusinë për destabilizimin e gjendjes në Ukrainë dhe i bëri thirrje të mos mbështeste aktet e dhunës dhe separatistët prorusë. Ndërkohë të enjten pritet të mbahet një takim katërpalësh lidhur me krizën mes SHBA, Rusisë, Ukrainës dhe BE.

Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)