Në fushën e Myzeqesë, një nga zonat më të njohura për prodhimin bujqësor në vend, po vërehet një rënie drastike e sipërfaqeve të mbjella me bostanore, kryesisht me shalqi.

“Report TV” kreu vëzhgim në fshatrat Suk, Frakull dhe Levan, ku mungesa e tregut, ndryshimet klimatike dhe mungesa e fuqisë punëtore po çojnë fermerët drejt braktisjes së kësaj kulture bujqësore. Kjo ka bërë që edhe sipërfaqja e kultivuar me shalqi të reduktohet ndjeshëm në zonën e Myzeqesë.

Në fshatin Suk 1, të Roskovecit, fermeri Saimir Kodheli thotë se nga 5 ha që kishte mbjellë vitin e kaluar, këtë vit ka mbjelle vetëm 2 ha.

“Nuk kisha leverdi ta mbillja me 110 lekë të vjetra dhe nga 5 hektarë bëra 2 hektarë. Ja dhe serrat aty, gjitha ai trangull i mbetur”, shprehet ai për televizionin.

E njëjta situatë paraqitet në njesive administrative Frakull, e njohur jo vetëm për kultivimin e luleshtrydhes, por dhe të bostanoreve.

Sipas agronomit Erando Troka, nga 230 ha sipërfaqja e mbjellë me shalqi sivjet është reduktuar në 130 ha.

“Ka tre arsye kryesore; mungesa e tregut, kushtet atmosferike dhe mungesa e fuqisë punëtore. Këto faktorë çojnë në përgjysmimin e të mbjellave, jo vetëm me shalqi, por edhe luleshtrydhe, domate, spec, kastravecë etj., që kultivoheshin më parë”.

Rënia e sipërfaqeve të kultivuara vihet re në të gjitha kulturat bujqësore ndaj apelon institucionet përgjegjëse të mbështesin fermerët. Po kështu dhe në fshatrat e njësisë administrative Levan, sipërfaqet e kultivuara me bostanore janë reduktuar ndjeshëm.

Fermeri Enver Selamaj thotë se nga 7 dynym që mbolli sezonin e kaluar, këtë sezon ka mbjellë vetëm 1 dynym.

“Kam pas mbjell bostan dhe perime me sipërfaqe të mëdha dhe punëtorë, 10 apo 12, kurse përsa i përket bostanoreve vjet kemi dalë me humbje”.

Përballë kësaj situate fermerët kërkojnë politika mbështetëse nga Qeveria, pasi kultivimi i bostanoreve në këto zona do të reduktohet tërësisht dhe do të mbillet vetëm sa për konsum familjar, ndërkohë që sipërfaqe të tëra rrezikojnë të mbeten djerrë.