Ish-zyrtari amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Edëard Joseph, e ka përshkruar situatën aktuale politike në Kosovë me një fjalë të vetme: “katastrofë”.
Në një intervistë për Radio Kosovën, ai tha se vendi po përballet me një krizë të krijuar artificialisht dhe me pasoja serioze për stabilitetin institucional dhe për pozitën ndërkombëtare të Kosovës.
“Kam një fjalë për të përshkruar situatën aktuale në Kosovë: katastrofë. Është një krizë politike artificiale. Pse e quaj artificiale? Sepse në Kosovë nuk kemi një situatë ku elektorati është i ndarë dhe rezultati zgjedhor është shumë i ngushtë. Ka pasur një rezultat të qartë zgjedhor dhe ai i ka dhënë përgjegjësinë kryeministrit Albin Kurti që të udhëheqë proceset për ta themeluar plotësisht qeverinë e Kosovës”, tha Joseph.
Sipas tij, kryeministri Albin Kurti ka pasur përgjegjësi të qartë për të çuar përpara procesin institucional, përfshirë edhe detyrimin kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
“Dhe kryeministri Kurti ka dështuar plotësisht në përmbushjen e kësaj përgjegjësie. Prandaj kjo është një krizë politike artificiale dhe është katastrofike. Ka pasoja serioze si brenda vendit për shkak të kaosit institucional dhe vakuumit që mund të krijohet shumë shpejt, ashtu edhe jashtë vendit”, u shpreh ai.
Ish zëvendësshefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë me një përvojë 12 vjeçare në Ballkan, theksoi se kjo situatë është veçanërisht problematike për Kosovën duke pasur parasysh marrëdhëniet e tensionuara me Serbinë dhe faktin që shteti ende nuk njihet nga disa vende të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Ai solli edhe një shembull që sipas tij tregon kontradiktat brenda politikës kosovare.
“Vetëm këtë javë keni ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili i thotë një zyrtari të NATO-s se Kosova dëshiron të anëtarësohet në NATO. Ndërkohë keni një deputet nga partia në pushtet që paralajmëron ambasadorët: ‘Mos ndërhyni në Kushtetutë’. A e shihni ironinë? Nga njëra anë kërkoni të hyni në NATO, nga ana tjetër ofendoni partnerët që janë thelbësorë për këtë proces. Ky është kaos dhe është një farsë”, tha Joseph.
Gjatë intervistës Joseph paralajmëroi se një situatë e tillë politike i shërben drejtpërdrejt Serbisë në arenën ndërkombëtare.
“Kush përfiton nga kaosi politik në Kosovë? Serbia përfiton. Kjo është një humbje e madhe për Kosovën dhe një dhuratë për Aleksandar Vuçiq, i cili mund të thotë: ‘Shikoni këtë kaos, këtë të ashtuquajtur Kosovë që nuk funksionon si shtet’”, deklaroi ai.
Sipas Joseph, polarizimi politik dhe mungesa e kompromisit e bëjnë shumë të vështirë avancimin e reformave dhe përparimin drejt integrimeve euroatlantike.
“Ky polarizim politik është plotësisht në kundërshtim me realizimin e çdo reforme të rëndësishme. Të kesh kaos dhe një krizë politike të panevojshme për kaq kohë është një zhvillim shumë i keq nga pikëpamja institucionale”, tha ai.
Joseph theksoi gjithashtu se për një vend si Kosova, që përballet me një fqinj armiqësor dhe ende nuk gëzon njohje të plotë ndërkombëtare, stabiliteti politik dhe marrëdhëniet e forta me Shtetet e Bashkuara janë jetike.
Ai shtoi se një mënyrë për të shmangur krizën do të ishte vazhdimi i mandatit të presidentes aktuale.
“Për interesat e Republikës së Kosovës do të ishte më mirë që Vjosa Osmani të vazhdonte të ishte presidente e vendit. Ajo ka ndërtuar një marrëdhënie respektuese dhe të respektuar me administratën në Uashington dhe kjo është thelbësore për Kosovën”, përfundoi Joseph.
Kosova po përballet sërish me bllokim institucional pasi Kuvendi është pezulluar dhe pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Kriza u thellua më 6 mars, kur presidentja Vjosa Osmani dekretoi shpërndarjen e Kuvendit, vetëm një ditë pasi deputetët dështuan të zgjedhin presidentin e ri të vendit. Dekreti u sfidua në Gjykatën Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, me argumentin se bie ndesh me Kushtetutën.
Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme deri më 31 mars, duke bllokuar çdo aktivitet parlamentar. Kjo do të thotë se Kuvendi nuk mund të mblidhet as për zgjedhjen e presidentit të ri, ndërkohë që mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon më 5 prill. Situata ka ngritur shqetësime edhe tek partnerët ndërkombëtarë, të cilët theksojnë se përparimi i Kosovës në rrugën drejt integrimit euroatlantik kërkon institucione plotësisht funksionale dhe stabilitet politik.
Komente









