Ashtu si një vit më parë, edhe këtë sezon turistik baret, restorantet dhe hotelet në jug të vendit po përballen me mungesë të fuqisë punëtore, duke ofruar paga për punonjësit sezonale në pozicione si sanitare apo pjatalarëse deri në 1200 euro në muaj.

Sipas njoftimeve të agjencive të ndërmjetësimit të punësimit, në zonat turistike si Ksamil, Sarandë dhe Dhërmi po kërkohen punonjës për disa pozicione shërbimi.

Kërkesa më e lartë është për sanitare në hotele dhe resorte me paga nga 100 mijë deri 120 mijë lekë dhe pjatalarëse me paga 120 mijë lekë në muaj. Biznese të “Shkëmbi i Kavajës” gjithashtu po kërkojnë punonjës për çadrat në plazh me paga deri në 80 mijë lekë në muaj.

Për të gjitha pozicionet e shërbimeve, përveç pagës mujore, bizneset ofrojnë edhe akomodim dhe ushqim falas.

Drejtues të agjencive të punësimit bëjnë pohojnë se këtë vit oferta nga bizneset janë rreth 20% më të larta krahasuar me një vit më parë.

Sipas Albana Uku drejtuese e një agjencie ndërmjetësimi për punësimin e grave në pozicione sanitare dhe pjatalarëse, kërkesa është përqendruar kryesisht në hotelet e Vlorës, Sarandës dhe zonës së Potamit. Ajo thekson se pagat për këto pozicione variojnë nga 800 deri në 1,000 euro në muaj.

“Vitin e kaluar kemi pasur një numër të lartë kontratash ndërmjetësimi për punësim sezonal të grave në jug të vendit, madje në disa raste edhe në Durrës. Shumë prej tyre, që më parë emigronin për punë si dado me paga rreth 1,000 euro në muaj, e panë më të leverdishëm punësimin sezonal në vend, me paga nga 800 deri në 1,000 euro.

Tendenca për punësime të grave në jug të vendit është e lartë edhe për këtë sezon turistik. Edhe oferta e bizneseve deri tani është me rritje 20% krahasuar me vjet. Kjo tendencë rritëse pritet të vijojë përgjatë gjithë sezonit turistik.

Shumë biznese të shërbimeve po kërkojnë të punësojnë gra vendase për pastrimin apo pjatalarëse. 75% e kërkesës së bizneseve është për punësime të vendasve gjatë sezonit turistik, 25% të kërkesës është për punonjës të huaj”, pohoi ajo.

Edhe vjet përgjatë sezonit turistik oferta e bizneseve në jug të vendit për punësime sezonale në sektorin e shërbimeve arriti me paga deri në 2,500 euro në muaj.

Vjet, pozicioni më i paguar sipas njoftimeve për punësim, ishte për kuzhinierin e përgjithshëm dhe për kuzhinier sushi, me pagë maksimale nga 220 mijë deri në 250 mijë lekë në muaj. Më pak i paguari krahasuar me pozicionet e tjera në Dhërmi ishte shefi i sallës me pagë mujore nga 120 mijë lekë deri 150 mijë lekë.

Kryetari i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve Enri Jahja, më herët tha për Monitor se rritja e pagave për punonjësit e sektorit të shërbimeve në bare dhe restorantet e jugut mesatarisht me 20% përgjatë sezonit të 2025-s në raport me sezonin paraardhës është pasojë e një ekuilibri të prishur midis kërkesës dhe ofertës në tregun e punës, ku kërkesa është e ulët dhe në shumë raste pa trajnim profesional, ndërsa oferta është e lartë./ Monitor

Pagat e ofruara nga biznesi për punësime sezonale në bregdet për vitin 2025
Dhërmi
-Kuzhinier për sushi: 200,000 – 220,000 lekë/muaj
-Picier: 150,000 – 200,000 lekë/muaj
-Shef salle: 120,000 – 150,000 lekë/muaj
-Kuzhinier: 150,000 – 250,000 lekë/muaj
Ksamil
Kamarier: 80,000 – 120,000 lekë/muaj
Picier: 200,000 lekë/muaj
Qeparo
Barist: 120,000 – 150,000 lekë/muaj
Picier: 1,800 – 2,000 euro/muaj
Sarandë
Kuzhinier: 200,000 lekë/muaj
Sanitare: 80,000 – 100,000 lekë/muaj
Qerret
Kamarier bari: 60,000 – 70,000 lekë/muaj
Shkëmbi i Kavajës
Menaxher hoteli: 150,000 – 200,000 lekë/muaj
Pagat e ofruara nga biznesi për punësime sezonale në bregdet për vitin 2026
Ksamil
Kamarier: 80,000-120,000 lekë në muaj
Banakier: 120,000 lekë në muaj
Pjatalarës: 100 mijë lekë deri 120 mijë lekë
Sanitare: 100,000 lekë deri 120 mijë lekë
Dhërmi:
Kuzhinier: 100,000 lekë deri 150,000 lekë
Sanitare: 80,000 lekë në muaj
Sarandë:
Ndihmës/kamarier : 70 mijë lëkë në muaj
Ndihmës/kuzhinier: 100,000 lekë deri 130,000 lekë në muaj
Sanitare hoteli: 10,000 lekë deri 120,000 lekë në muaj.