Kuvendi i Kosovës ka miratuar në seancën e sotme plenare Planin e Rritjes me 104 vota pro, 0 kundër dhe 5 abstenim.
Këtë marrëveshje ndëkombëtare mes Kosovës dhe Bashkimit Europian e përkrahën të gjitha partitë, përveç Listës Serbe, e cila abstenoi.
Projektligjin e prezantoi ministri i Financave, Hekuran Murati, gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit të Kosovës.
“Kosova do të përfitojë 882.6 milionë euro, i cili mund të them se është alokimi më i lartë në raport me bruto produktin vendor nga të gjitha shtetet, pra është rreth 8% e bruto produktit vendor që i është alokuar Kosovës.
Kjo mbështetje financiare vjen në formën 1/3 si grant, ndërsa pjesa tjetër në formë të kredisë. Në këtë aspekt janë dy marrëveshje në kuadër të Planit të Rritjes dhe më pas në një pikë tjetër do të kemi edhe ratifikimin e kredisë”, tha mes të tjerash ministri Murati.
Kosova ka mbetur e fundit në rajon në miratimin e Planit të Rritjes dhe fondet e saj kishin mbetur të bllokuara për shkak të mungesës së gjatë të institucioneve të Kosovës.
Mungesa e gjatë e institucioneve në Prishtinë ka bërë që Kosova të mbesë e fundit në rajon në miratimin e Planit të Rritjes, pasi fondet kishin mbetur të bllokuara.
Plani i Rritjes, që mbulon periudhën 2024-2027, përmban një paketë prej 6 miliardë eurosh, e miratuar nga BE-ja në fund të vitit 2023, për të përkrahur përafrimin e ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet europiane.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përgëzuar deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat i hapën rrugën 1.1 miliardë eurove investime dhe grante për Kosovën.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani shkruan se këto marrëveshje sjellin më shumë mundësi për të rinjtë, më shumë mbështetje për familjet, më shumë investime për bizneset, si dhe më shumë cilësi në shëndetësi, arsim, sundim të ligjit e më shumë zhvillim.
Teksa shprehet se Kosova fitoi pas miratimit të këtyre marrëveshjeve, Osmani vijoi më tej duke thënë se investimet në fjalë do të ndihen drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të qytetarëve.
Reagimi i Osmanit:
Përgëzoj deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat hapin rrugë për rreth 1.1 miliardë euro investime dhe grante për vendin tonë.
Këto marrëveshje sjellin më shumë mundësi për të rinjtë, më shumë mbështetje për familjet, më shumë investime për bizneset, si dhe më shumë cilësi në shëndetësi, arsim, sundim të ligjit e më shumë zhvillim. Janë investime që do të ndihen drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve tanë.
Kur veprojmë bashkë, Kosova gjithmonë fiton. Dhe sot, Kosova fitoi.
Komente










