Kriza politike në Francë: Le Pen dhe Mélenchon synojnë rrëzimin e qeverisë Barnier

Kriza politike në Francë: Le Pen dhe Mélenchon synojnë rrëzimin e qeverisë Barnier

Michel Barnier

PARIS – Orë vendimtare për qeverinë Barnier.

“Vetëm nëse ndodh një mrekulli, ndryshe do të votojmë për mosbesim,” kishte deklaruar më parë Jordan Bardella, pasardhësi i Le Pen dhe presidenti i Rassemblement National, dhe e konfirmoi sërish sot pasdite: e djathta ekstreme franceze synon të rrëzojë qeverinë e pakicës, e cila u formua vetëm dy muaj më parë, në mes të procesit të miratimit të buxhetit shtetëror. Kryeministri Michel Barnier sapo ka njoftuar se do të përdorë nenin 49.3 të Kushtetutës për të miratuar ligjin e buxhetit të Sigurimeve Shoqërore, një lëvizje që i lejon të anashkalojë votën parlamentare për të kaluar reformat e tij, pavarësisht kundërshtimit të ashpër të Rassemblement National.

Ndër pikat më të debatuara të këtij buxheti janë shkurtimet në kontributet sociale të punëdhënësve, një ndalim i pjesshëm i rritjes së pensioneve në përputhje me inflacionin dhe një politikë më kufizuese për rimbursimin e barnave. “Mendoj se kemi arritur në një moment të së vërtetës, ku të gjithë duhet të përballen me përgjegjësitë e tyre,” tha Barnier. “Francezët nuk do të na falnin nëse do të vendosnim interesat partiake mbi të ardhmen e kombit.” Ai shpalli zyrtarisht se merr përgjegjësinë e plotë të qeverisë për këtë projektligj të financimit të sigurimeve shoqërore.

Le Pen i kishte dhënë afat qeverisë deri sot për të bërë ndryshime në projektbuxhet, por ministri i Financave, Laurent Saint-Martin, një nga aleatët kryesorë të Macron, deklaroi qartë se nuk kishte më hapësirë për kompromis. “Teksti i tanishëm është rezultat i një marrëveshjeje mes deputetëve dhe senatorëve. Rrëzimi i këtij teksti do të nënkuptonte refuzim të një marrëveshjeje demokratike,” kishte thënë ai. Le Pen reagoi duke e quajtur këtë qëndrim “të mbyllur dhe të njëanshëm”. Edhe pse qeveria mund të kishte bërë ndryshime të minutës së fundit, Barnier vendosi të mos e ndryshojë draftin.

Edhe e majta e Frontit të Ri Popullor njoftoi se do të mbështesë mocionin e mosbesimit, duke e cilësuar përdorimin e nenit 49.3 si “shkelje të përsëritur të demokracisë”.

Një mocion mosbesimi mund të paraqitet në parlament që të mërkurën. Nëse qeveria Barnier rrëzohet, kjo do të përbënte një tronditje të madhe për Francën, një vend që nuk është mësuar me paqëndrueshmëri politike që nga koha kur gjenerali De Gaulle themeloi sistemin gjysmë-presidencial të Republikës së Pestë. Rrëzimi i një qeverie gjatë procesit të miratimit të buxhetit është diçka që nuk ka ndodhur prej dekadash. Analistët paralajmërojnë se rënia e qeverisë Barnier mund të rrisë kostot e huamarrjes për Francën, pasi risku i borxhit publik mund të rritet në nivelet më të larta që nga kriza financiare e vitit 2012.

Në rast se qeveria rrëzohet, ajo mund të qëndrojë në detyrë për të përmbushur “detyrat e përditshme”. E vetmja mënyrë për të garantuar funksionimin e shtetit do të ishte që parlamenti të miratojë një buxhet të përkohshëm për vitin 2024, bazuar në të ardhurat dhe shpenzimet e njëjta me ato të vitit aktual, derisa të formohet një qeveri e re. Por nuk ka asnjë garanci për këtë, pasi parlamenti është thellësisht i ndarë në tre blloqe që nga zgjedhjet e fundit të korrikut, ku asnjëra palë nuk arriti të sigurojë shumicën.

Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron ndodhet në Arabinë Saudite për një vizitë treditore, ku do të zhvillojë një takim me princin trashëgimtar Mohammed bin Salman./ La Repubblica

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    2 Dhjetor, 20:45

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?



×

Lajmi i fundit

SHBA: Të gjitha vendet të përdorin ndikimin e tyre për të ulur tensionet në Siri! Erdogan: Pasojë e luftës në Gaza e Liban

SHBA: Të gjitha vendet të përdorin ndikimin e tyre për të ulur tensionet në Siri! Erdogan: Pasojë e luftës në Gaza e Liban