Katedralja “Notre-Dame” do të hapë dyert e saj më datë 7 dhe 8 dhjetor, që të presë vizitorë jo vetëm nga Franca, por nga e gjithë bota. “Notre-Dame” e re hapet pas rreth 5 viteve, kur në vitin 2019 u përfshi nga flakë massive, të dyshuara në mënyrë aksidentale.
Ceremonia e rihapjes më 7 dhe 8 dhjetor do të jetë kryesisht vetëm me ftesë, por ato do të transmetohen në televizion dhe njerëzit do të mund të mblidhen përpara katedrales.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha në atë kohë se brenda 5 viteve të bëhej restaurimi i xhevahirit francez, një premtim që asokohe u duk i përshpejtuar e i paarritshëm, kjo për shkak të dëmeve të mëdha që pasuan në katedrale.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 15 prillit 2019, kur “Notre-Dame” u pushtua nga flakët, teksa rreth 600 zjarrfikës luftuan për shuarjen e flakëve për 15 orë. Shtete nga e gjithë bota, ndër to edhe Shqipëria, dhuruan donacione për rinovimin e katedrales së famshme.