Ish-ambasadori shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Arben Çejku, analizon krizën politike dhe institucionale në Kosovë: vendi po hyn në një fazë të rrezikshme kushtetuese, ndërsa mungesa e dialogut po dëmton imazhin e shtetit.

Kriza politike në Kosovë nuk është më vetëm një përplasje mes partive, por ka marrë përmasat e një krize kushtetuese dhe institucionale që rrezikon funksionimin normal të shtetit. Kështu e vlerëson situatën ish-ambasadori shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Arben Çejku, në një intervistë për gazetën TemA, ku paralajmëron se ngërçi mund të thellohet nëse nuk gjendet shpejt një zgjidhje politike.

Sipas Çejkut, një nga shkaqet kryesore të krizës është përpjekja e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje për të ushtruar kontroll mbi të gjitha pushtetet, një qasje që, sipas tij, ka prodhuar tensione të vazhdueshme me forcat e tjera politike dhe ka bllokuar funksionimin normal të institucioneve.

"Në Kosovë nuk kemi më vetëm një konflikt politik. Sot kemi një krizë të thellë kushtetuese dhe ligjore, e cila prek vetë themelet e funksionimit të shtetit. Nëse nuk gjendet një kompromis në një kohë të shkurtër, situata vetëm sa do të përkeqësohet," vlerëson ai.

Çejku thotë se klima politike është kthyer në një përballje të përgjithshme, ku duket sikur "të gjithë janë kundër të gjithëve", duke e bërë gjithnjë e më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje.

Një tjetër element që, sipas tij, po ndikon negativisht është mënyra se si po përdoret diaspora shqiptare. Ai shprehet se, në vend që të shërbejë si faktor bashkues, ajo po shndërrohet në një instrument që ushqen më tej polarizimin politik.

"Diaspora nuk duhet të përdoret si karburant për konfliktin politik të brendshëm. Ajo duhet të mbetet një aset kombëtar dhe jo një mjet për të thelluar ndarjet," thekson ai.

Në këtë situatë, ish-ambasadori i kërkon kryeministrit Albin Kurti të marrë përgjegjësinë politike për të hapur një dialog gjithëpërfshirës mes forcave politike.

Sipas tij, koha është veçanërisht e rëndësishme, pasi mesi i shtatorit pritet të sjellë zhvillime me ndikim për Kosovën, përfshirë edhe vendimin që pritet nga Gjykata Speciale në Hagë për ish-udhëheqësit e Kosovës.

"Kurti duhet me urgjencë të udhëheqë një dialog për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë. Ai ka në dorë të ndikojë në mënyrën se si Kosova do të shihet nga miqtë dhe kundërshtarët e saj në këtë moment delikat," shprehet Çejku.

Në analizën e tij, ai ndalet edhe te qëndrimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Çejku e konsideron të gabuar tërheqjen e kësaj force politike nga procesi negociues përmes deklaratave të kryetarit Lumir Abdixhiku.

Sipas tij, ky qëndrim nuk përfaqëson pjekuri politike dhe nuk i shërben interesit të shtetit.

"Misioni i LDK-së duhet të shkojë përtej interesave të liderëve të saj, qoftë Lumir Abdixhiku apo figura të tjera. Në një krizë të tillë, partitë kryesore duhet të jenë pjesë e negociatave dhe të kontribuojnë për një zgjidhje, jo të tërhiqen prej saj," vlerëson ai.

Çejku paralajmëron se zgjatja e krizës nuk dëmton vetëm jetën politike të Kosovës, por edhe besueshmërinë e saj ndërkombëtare. Sipas tij, vendi ka nevojë për lidership që ndërton ura komunikimi dhe jo për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit politik, në një periudhë kur Kosova përballet me sfida të rëndësishme në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar./TemA