TIRANE-Nisin lëvizjet për zgjidhjen e krizës politike në vend. Presidenti i Republikës Ilir Meta ditën e martë do të mbledhë partitë e vogla në një tryezë pas kërkesës së tyre në përpjekje për zgjidhjen e krizës politike. Paraditen e së martës në orën 11:00 shkallët e Presidencës për t'u takuar me kreun e shtetit pritet që ti ngjisin Fatmir Mediu i Partisë Republikane, Nard Ndoka i PDK, Vangjel Dule i PBDNJ, Dashamir Shehi i LZHK dhe Agron Duka i PPA-së.

Meta pranoi që të takonte aleatët e PD-së pas apelit të tyre 24 orë më parë. Në kushtet kur opozita joparlamentare i humbi të gjitha mundësitë ligjore për t'u bërë pjesë e zgjedhjeve më 30 qershorit 2019 për kryebashkiakët e rinj të vendit, 5 aleatët e qendrës së djathtë dje kërkuan ndërmjetësimin e Presidentit Ilir Meta, BE-së dhe OSBE-së, mes mazhorancës dhe opozitës për kapërcimin e krizës.

Në mesin e krizës partitë e vogla po përdorin të njëjtin skenar për të dalë ashtu si dy vite më parë. Edhe në 17 maj të vitit 2017 pas çadrës së opozitës përpara Kryeministrisë ishin partitë e vogla ato që inicuan një tryezë me kreun e qeverisë që më pas u zhvendos në një takim 'kokë më kokë' Rama-Basha për të arritur marrëveshjen që PD dhe aleatët e saj të futeshin në zgjedhje. Por tashmë mbetet për t'u parë nëse tryeza e së martës do t'ia arrijë qëllimit për të bindur PD dhe PS-në që të ulen për të gjetur një zgjidhje për pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.