/ATSH-AFP/ - Kryeministri kroat, Zoran Milanoviç anuloi sot një vizitë në Serbi, parashikuar në mes të muajit dhjetor, për shkak të mungesës së reagimit nga ana e Beogradit për fjalimin e mbajtur së fundi nga ultranacionalisti, Vojislav Sheshelj, i liruar përkohësisht nga TPIY.
"Milanoviç e konsideron, si të papërshtatshme pjesëmarrjen në samitin e parashikuar më 16 dhjetor në Beograd me kryeministrit kinez, Li Keqiang dhe kryeministrave të 16 vendeve të Evropës qendrore dhe lindore", theksoi një zëdhënës i qeverisë kroate.
"Milanoviç priste që autoritetet e Beogradit të distancoheshin nga deklaratat e fundit të Shesheljit, për më tepër kur bëhet fjalë për personalitetet, presidentin serb, Tomislav Nikoliç dhe kryeministrin, Aleksandar Vuçiç, të cilët kanë qenë anëtarë të partisë së tij në vitet 1990?, deklaroi Nikola Jelic.
Vojislav Seselj, 60 vjeç, u kthye në Serbi në mes të muajit nëntor pas 12 viteve në një burg të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (TPIY) ku u gjykua për krime lufte, në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë.
Që prej rikthimit të tij, vendosur nga TPIY-ja për arsye shëndetësore, ai nuk hoqi dorë nga retorika nacionaliste duke u shprehur për krijimin e një "Serbie të Madhe" duke përfshirë këtu dhe territoret e Kroacisë dhe konfirmoi se kishte si qëllim të largonte nga pushteti ish-aleatët e tij të afërt, Nikoliç dhe Vuciç, sot pro-evropianë, të cilët i cilësoi si tradhëtarë.
Vendimi i Milanoviç ilustron prishjen e marrëdhënieve mes Kroacisë dhe Beogradit, tashmë të ftohura për shkak të propozimeve, të cilësuara nacionaliste nga Zagrebi, të bëra nga Nikoliç në zgjedhjet e vitit 2012.
Të mërkurën, Parlamenti kroat miratoi një deklaratë duke i kërkuar drejtësisë ndërkombëtare të rikthejë vendimin për lirimin e përkohshëm të Sheshejlit.











