Kroacia ka ngritur shqetësimin për armatimin e Serbisë, duke paralajmëruar aleatët perëndimorë se Beogradi nuk po blen vetëm armë mbrojtëse, por edhe armatime me karakter sulmues. Mes ndryshimeve në rendin ndërkombëtar, Zagrebi kërkon që kjo çështje të mos anashkalohet dhe që Evropa të forcojë sigurinë e saj.
Paralajmërimi u bë nga kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviç, gjatë konferencës së ambasadorëve, konsujve dhe atasheve ushtarakë kroatë. “Serbia po armatoset jo vetëm me armë mbrojtëse, por edhe me armë ofensive, sulmuese. Dhe këtë duhet t'ua themi aleatëve tanë perëndimorë. Nuk duhet t'i shmangemi kësaj”, tha ai.
Jandrokoviq theksoi se Evropa duhet të forcojë shtyllën e saj brenda NATO-s, pasi rendi ndërkombëtar po ndryshon dhe, sipas tij, për shumë vite vendet evropiane janë mbështetur te Shtetet e Bashkuara për sigurinë e tyre.
Duke folur për Ballkanin Perëndimor, ai tha se Kroacia duhet t'u shpjegojë partnerëve perëndimorë zhvillimet në rajon. Sipas tij, shumë nga elitat e reja politike në Perëndim nuk e njohin mjaftueshëm historinë e ish-Jugosllavisë, politikat e Sllobodan Millosheviçit dhe procesin e shpërbërjes së saj.









Komente
Komento