Krujë- Vetëm pak orë pas arrestimit nga policia Edison Pula ka arritur që të arratiset duke u shpëtuar efektivëve.
 
21-vjeçari u arrestua sot paradite për atentatin ndaj Gentian Bejtjas, ndërsa sonte në mbrëmje u arratis gjatë transferimit nga Fushë- Kruja në komisariatin e Krujës.
 
Duke përfituar nga pakujdesia e dy punonjësve të policisë, në momentin e transferimit nga Stacioni i Policisë Fushë-Krujë në Komisariatin e Krujës, Edison Pula ka kapërcyer murin rrethues dhe është arratisur. 

Sipas të dhënave të para mësohet se Edison Pula arriti që të shtynte policët duke u shpëtuar në momentin që zbriti nga furgoni, teksa po futej në dhomën e izolimit.

Edison Pula
(Atentatori i arratisur Edison Pula)

"Mbrëmjen e sotme, duke përfituar nga pakujdesia e dy Punonjësve të Policisë, në momentin e transferimit nga Stacioni i Policisë Fushë-Krujë në Komisariatin e Krujës ka kapërcyer murin rrethues dhe është arratisur shtetasi Edison Pula, 21 vjeç, banues në Krujë.
 
Pula ishte ndaluar sot, në kuadër të operacionit"Shënjestra"ku u arrestuan në flagrancë dy shtetas, ndaluar 7 të tjerë dhe shpallur në kërkim një tjetër.
 
Policia ka rrethuar dhe po kreh të gjithë zonën përreth me qëllim kapjen e shtetasit të arratisur.
 
SHÇBA-ja po verifikon shkeljen e rregullave të Shërbimit nga Punonjësit e Policisë që kanë qenë me detyrë për shoqërimin e shtetasit të mësipërm
" deklaron policia. 

FNSH, RENEA dhe policia lokale kanë nisur operacionin në Tiranë, Durrës dhe Krujë duke ngritur postblloqe për të vendosur në pranga të shumëkërkuarin, Edison Pula.