KRUJË- Një person është arrestuar dhe një tjetër është vënë në kërkim lidhur me një ngjarje të ndodhur rreth 1 muaj më parë ku një biznesi në Nikël iu vendos lëndë eksplozive.
Policia e Krujës në bashkëpunim me atë të rrethit ka sekuestruar 5 kapsolla detonatore dhe 5 fitila zjarrëpërcjellës në banesën e tyre, pas punës hetimore të ngjarjes së ndodhur në datë 16 gusht 2019, ku parukierisë së shtetases R.Sh., iu vendos lëndë plasëse.
U arrestua në flagrancë personi B.Sh., 24 vjeç, për veprat penale "Shkatërrim prone me eksploziv" dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municioneve", si dhe u shpall në kërkim personi E.Sh., 28 vjeç, të dy banues në Nikël.
Policia e Shtetit fton qytetarët të vijojnë të mbështesin dhe bashkëpunojnë me Policinë, duke denoncuar çdo rast paligjshmërie, në numrin unik 112 apo në Komisariatin Dixhital.