KRUJË- Një shpërthim ka ndodhur në trasenë e hekurudhës në segmentin Vorë-Shkodër.
Ngjarja u shënua dje rreth orës 19.00, konkretisht në Thumanë të Krujës.

Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme të vogla në një traversë dhe në aksesorët që bëjnë lidhjen e shinave me njëra- tjetrën.

Mësohet se dëmi është riparuar brenda një ore nga brigada e avarisë, duke e ribërë hekurudhën sërish të kalueshme.

Policia e Krujës pasi ka bërë kqyrjen e vendit të ngjarjes me ekspertë xhenierë, ka konkluduar se në trase ka qenë vendosur një sasi e vogël tritoli. Sipas policisë, dyshohet se shpërthimi është kryer nga grumbulluesit e skrapit, por policia nuk ka asnjë të ndaluar deri tani.

Pas ngjarjes, policia ka bërë shoqërimin e 12 personave, banorë të zonës, madje ka bërë edhe kontrolle në banesat e tyre për lëndë plasëse, por nuk ka gjetur asgjë.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes.
hekurudha
(Në foto: Dëmi i hekurudhës)
 
Redaksia online
 (bg/ shqiptarja.com)