Mustafa Merlika Kruja, një prej firmëtarëve të Pavarësisë, patriot që luftoi fort për Kombin në ditët e vështira të mëvetësisë së Shqipërisë, politikan, historian, gjuhëtar e publicist i shkëlqyer, i vetmi  Kryeminitër që bëri realitet  Shqipërinë etnike gjatë periudhës së luftës, por edhe një personazh i mohuar dhe i anatemuar prej regjimit komunist për më shumë se 45 vite. Tashmë ai do të ketë bustin e tij ku mund të kujtohet e nderohet në qytetin e lindjes në Krujë.

Në ceremoninë e veçantë të përurimir dhe përkujtimit të tij, organizuar nga  shoqata 'Trojet e Arbrit Prishtinë' dhe familja Merlika,  morën pjesë historianë,  gjuhëtarë, shkrimtarë, publicistë, intelektualë dhe përfaqësues të familjeve që provuan po njësoj persekutimin dhe mohimin gjatë viteve të regjimit komunist.

Përveç kontributeve shkencore në gjuhësi, studime e albanologji, një varg nismash e angazhimesh të Mustafa Krujës vlejnë të përmenden si: Heqja e sopatave të liktorit nga Flamuri ynë kombëtar, lirimi i më se 2000 të burgosurve në Shqipëri e të internuarve në ishujt e Italisë, gjatë viteve të pushtimit, hapja e mbi 300 shkollave në trojet shqiptare në Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni siç emërtoheshin asokohe, në tokat e lirueme, ngritja e një administrate civile dhe ushtarake shqiptare në këto troje, të lëna jashtë Shqipërisë nga Konferenca e Londrës.