Kryebashkiakët pro Ramës
ndërhyrje edhe në ligj

Kryebashkiakët pro Ramës<br />ndërhyrje edhe në ligj
Kryebashkiakët e vijës bregdetare përkrahin nismën e Edi Ramës. Madje ata shkojnë më tej dhe kërkojnë ndërhyrje edhe në ligj, pasi ka përplasje mes ligjit të legalizimeve dhe atij të ndërtimeve pa leje. Kreu i bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, thotë se vala e ndërtimeve pa leje që ka përfshirë këtë zonë, vjen edhe si pasojë e premtimit të qeverisjes aktuale, e cila premtoi se kush ndërtonte deri më 5 korrik, do futej në proces legalizimi.
 
Shpëtim Gjika
Inciativa e zotit Rama për prishjen e ndërtimeve pa leje është në kohë, madje do thosha e vonuar, por jo për faj të Ramës, por të qeverisë aktuale. Ajo që kërkuam nga kjo mbledhje ishte faza e një aksioni deri në formimin e qeverisë së re. Kjo do jetë pjesë e prioritetit tonë deri në vitin e ardhshëm, për të ndaluar këtë fenomen të ndërtimeve pa leje. Dhe pastaj për të vazhdur me pjesën e rikuperimit dhe zhdëmtimit. Vit për vit policia bashkiake ka ndërhyrë në prishjen e ndërtimeve të paligjshme. Sot që ne flasim, janë identifikuar 130 ndërtime të paligjshme, të cilat janë prishur një pjesë sot dhe një pjesë do prishen në ditët në vijim. Pra janë të gjitha ndërtime, të cilat janë bërë deri në datën 5 korrik, për shkak se qeveria aktuale u ka thënë bëni ndërtime se në datë 5 do të kalojë avioni të bëjë fotografimet dhe më pas do t’i legalizojmë. Kjo duhet të marrë fund. Në vitin 2006 pas ardhjes në pushtet të qeverisë Berisha, u krijua inspektoriati pranë bashkive dhe menjëhërë pas kësaj, duke menduar se na dhanë shumë kopetenca u krijua Inspektoriati Kombëtarë që ishin dy struktura paralele që nuk merreshin vesh se çfarë bënte njëra dhe çfarë bënte tjetra. Ndaj ky proces dështoi. Sigurisht që ndërtime pa leje janë prishur në vazhdimësi, por nuk është demotivuar sepse nuk janë bërë shembull i zbatimit ligjor qoftë nga gjykatat, nga prokuaroria, nga policia, të shkelësve të ligjit. Ata janë prishur dhe pas një viti ai e ka rindërtuar nga e para. Megjithatë unë nuk mendoj se turizmi në Vlorë të jetë dëmtuar nga ndërtimet pa leje, pavarësisht problematikave që Vlora ka. Unë them jashtë modestisë, se vija bregdetare e qytetit të Vlorës është një nga më të pastrat.
 
Vangjush Dako
Iniciativa e zotit Rama për prishjen e ndërtimeve pa leje në bregdet është shumë e mirë. Prishja e këtyre ndërtimeve nuuk ka filluar më parë pasi ka qenë pengesë ligji i legalizimeve dhe njëkohësisht ka qenë një mungesë vullneti nga të dyja palët, si nga pushteti vendor ashtu dhe ai qendror. Nga mos kontrolli i mirë i territorit nga të dyja palët edhe nga qeverisja qendrore dhe ajo lokale,  kanë bërë që të jemi në këtë situatë sot. Pra nuk dua që të mos mbajmë përgjegjësi kanë përgjegjësi të dyja palët. Ndarja e plazheve publike dhe private është një problem shumë i madh, po luhet me to si "macja me miun". Gjithashtu, edhe ndërtimet pa leje, që nuk mund të parandalohen pa një bashkëpunim. Sapo i çojmë një letër ndërtuesve, ata vijnë me letra të tjera shfrytëzimi.
 
Gjergji Goro
Problemi i ndërtimeve pa leje është një fenomen i cili gjatë periudhës parazgjedhore, por edhe paszgjedhore ka qenë shqetësues në disa zona. Nuk është prishur bregdeti, në përgjithësi, deri tani. Jemi përpjekur me ekipet tona në bashkëpunim me policinë e rendit të krijojmë grupe për mbrojtjen dhe menaxhimin e territoreve të plazheve në mënyrë që të mos kemi aty ndërhyrje të paktën. Bashkitë e bregut të detit dhe të gjitha njësitë vendore kanë nevojë për ndihmën e shtetit, qeverisë qendrore, sepse është e pamundur të mbrojmë një territor kaq të gjatë dhe kaq të gjerë dhe të ndërhyjmë menjëherë me efikasitet. Pra, mendoj është ligji ai që duhet të ndryshojë.
 
Stefan Çipa
Mendoj që ky diskutim është në kohën e duhur. Masat që ka marrë bashkia e Sarandës kanë qenë në drejtim të zgjerimit të plazheve publike. Që vjet kemi nisur që një pjesë të plazheve të gjirit të Sarandës t’i administrojë bashkia, dhe menduam që sivjet të zgjeroheshin plazhet publike. Fenomeni i ndërtimeve pa leje është problem. Mendoj që deri në fund të sezonit turistik brenda një afati të shkurtët t’i eliminojmë ato që kanë konstruksion të lehtë në fillim dhe më pas ato që kanë struktura betoni, ëpr të mos pasur me fenomene të tillë. Duhet një bashkëpunim jo vetëm mes pushtetit vendor dhe policisë, por edhe mes organeve të drejtësisë, me prokurorinë dhe me gjykatat. E vetmja mundësi që ka bashkia është t’i denoncojë penalisht. Ne kemi vendosur një moratorium për mjetet e ndërtimit, por shpesh ka tendenca për të mos e zbatuar pavarësisht penaliteteve për firmat e ndërtimit.
 
Elvis Roshi
Edhe në Kavajë janë shtuar ndërtimet pa leje. Policia e Shtetit mund të them se nuk ka qenë në krahun tonë, përkundrazi kur kemi tentuar të ekzekutojmë vendimin për prishjen e ndërtimeve pa leje kanë qenë inspektorët tanë ata që kanë përfunduar prapa hekurave. Qeveria e re e Kryeministrit Rama, gjykoj se, duhet të marrë masa edhe ndërhyrje ligjore që të ndalojë këtë fenomen që ka pushtuar shumë territore.

(Shkrimi u publikua sot në gazetën "Shqiptarja.com")
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

KFOR dhe Lista Serbe bisedojnë për zhvillimet e fundit të sigurisë

KFOR dhe Lista Serbe bisedojnë për zhvillimet e fundit të sigurisë