Kryetares së Bashkisë Durrës, Emiriana Sako pritet t’i rritet paga mujore me 56,7 %, duke e çuar nga 1.8 milionë lek në 2.9 milionë lek (të vjetra). Vendimi u miratua në mbledhjen e  Këshillit Bashkiak, ku përveç kryetares, përfitojnë dhe zyrtarët e nivelit të lartë. Rritje me 40,6 % u bë për tre zv.kryetarët, Renis Mullaj, Elio Jani dhe Gentian Kallmi. Ndërsa me 55,6 % është rritur paga për sekretarin e përgjithshëm të bashkisë.  Nëpërmjet këtij vendimi perfituan rritje page dhe këshilltarët bashkiakë.

Me këtë vendim është krijuar një hendek i madh mes drejtuesve të lartë të administratës dhe punonjësve të shërbimeve, si magazinierë, shoferë, roje, pastruese. Për punëtorët rritja do të jetë vetëm 7 për qind, ndërsa për specialistët e sektorëve shkon 14.3%.

Dritan Burgija, këshilltar i PD-së së Berishës tha se “nuk mund të pranojmë kurrsesi këtë trajtim të pabarabartë e diskriminues që sjell kjo rritje e pagave të administratës së Bashkisë Durrës për shkak të diferencimit  nga 7% për punonjësit e thjeshtë, në 57% për kryetaren e bashkisë.  Kjo nuk është një problematikë vetëm për Bashkinë Durrës por shtrihet në të gjitha bashkitë e vendit, sepse është në zbatim të një VKM të padrejtë e diskriminuese që ka miratuar qeveria Rama”.

Me tej ai shton se këshilltarët e djathtë nuk kanë marrë pjesë në votimin: “Prandaj ne u larguam nga salla në protestë për politikat diskriminuese dhe të padrejta të qeverisë Rama dhe për shkak të mbetjeve të rrezikshme në Portin e Durrësit", tha ai.

Ndërsa Joni Myshketa, përfaqësuesi i grupimit të Bashës, i cili ka marrë pjesë votim shprehet se "si force e djathtë nuk jemi kundër rritjes së pagave por kjo në një ambient konkurrues dhe të ndershem ç’ka nuk reflektohet në Bashkinë Durrës. Përpara se të shkojme ne rritjen e pages prej 57 % te kryetarit te bashkisë duhen mbrojtur shtresat ne nevoje pasi ata cka ato perfitojne nga ndihma ekonomike”.

Vendimi i Këshillit Bashkiak pritet të zbatohet pasi të firmoset nga Prefekti i qarkut të Durrësit.