ATHINE- Kryetari i bashkisë së Athinës, Jorgos Kaminis, ka kërkuar ndjekje penale kundër një deputeti të partisë së ekstremit të djathtë, "Agimi i Artë", pas sulmit që ky i fundit tentoi të kryente disa ditë më parë në ambientet e bashkisë së kryeqytetit.

Tentativa ishte shënuar pak pasi policia kishte anulluar forcërisht një veprimtari të kësaj partie, për të shpëndarë ushqime vetëm për grekët, në sheshin qendror të Athinës, Syntagma. Policia kishte ndërhyrë pasi kryebashkiaku i Athinës kishte paralajmëruar se do të përdorte çdo mjet ligjor për të mos lejuar zhvillimin e veprimtarisë.

Në padinë që dorëzoi në gjykatën e Athinës, kryebashkiaku i referohet edhe faktit se deputeti Jorgos Germenis, ishte i armatosur dhe tentoi të përdorte armën.

“Pjesëtarët e truprojës time e izoluan dhe në përpjekjen e tyre për ta neutralizuar, i padituri kapi armën që kishte me vete, por pjesëtarët e truprojës e penguan për çfarëdo lëvizje tjetër, dhe përfundimisht e nxorrën jashtë godinës. Gjatë largimit, siç më thanë pjesëtarët e truprojës time, ai u thoshte 'jam deputet, nuk mund të më arrestoni, do t’ju hedh në gjyq'”, thotë Kaminis.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)