Kryebashkiaku i Bolonjës kap lopatën në Tiranë: Rigjenerim! Projekt për punësimin e të rinjve

“Tirana po rigjenerohet falë punës suaj”, ishin fjalët e kryetarit të Bashkisë së Bolonjës, Virginio Merola, pas takimit të sotëm me kryebashkiakun, Erion Veliaj, me të cilin bisedoi mbi shtimin e marrëdhënieve për punësimin e të rinjve dhe projekte konkrete në fushën e agroturizmit.

“Këtu punojnë shumë italianë, të shumtë janë edhe shqiptarët që jetojnë në qytetin tim. Tirana është një qytet që po rigjenerohet falë punës suaj. Qytetet e hapura janë qytetet me të ardhme sepse tërheqin njerëz, inteligjencë dhe kështu kontribuojnë në zhvillimin e së ardhmes. Ne nuk duam të bëjmë një binjakëzim të zakonshëm, por projekte konkrete. Ndaj nga sot lind një bashkëpunim i ri”, tha kreu i Bashkisë së Bolonjës, Merola, i cili vlerësoi edhe projektet e realizuara në Tiranë për shtimin e korsive të biçikletave, të gjelbërimit dhe vëmendjes së treguar ndaj të rinjve.

Në shenjë miqësie dhe të bashkëpunimit mes dy qyteteve, Veliaj i dorëzoi homologut të tij “Çelësin e Qytetit”. Më pas, ata zhvilluan një vizitë në Sheshin “Skënderbej”, ku në mënyrë simbolike mbollën disa pemë.

Kryebashkiaku i tiranës vlerësoi se Bolonja është kthyer në shtëpinë e dytë për shumë studentë shqiptarët, të cilët në përfundim të studimeve rikthehen për të vendosur dijet e marra në shërbim të zhvillimit të qytetit. “Bolonja është një qytet që mikpret shumë studentë shqiptarë, të cilët e kanë kthyer atë qytet në shtëpinë e tyre. Shumë ish-studentë të Bolonjës sot punojnë në Bashkinë e Tiranës. Më vjen mirë që bashkë me shkëmbimet që patëm sot, patëm edhe kënaqësinë e veçantë të shikojmë se si një investim që Bolonja bën tek studentët, i rikthehet qytetarit të Tiranës në formën e administratorëve të mirë, që na vijnë nga Bolonja në Tiranë”, tha ai.

Dy homologët diskutuan edhe për drejtimin e të rinjve në tregun e punës, ndërkohë që Tirana është tashmë një epiqendër universitare. “Bolonja është sot qyteti që ka universitetin më të vjetër në Evropë, ku ashtu si në Tiranë, shumica e studentëve që studiojnë në Bolonja zgjedhin të jetojnë aty. Në Tiranë, 90% e studentëve që vijnë këtu jetojnë këtu. Të mësojmë nga më të mirët si të mundësojmë që këta të rinj që mbarojnë shkollën në Tiranë, të qëndrojnë këtu, të krijojnë familje, si mund t’i ndihmojmë me një shtëpi dhe pastaj si t’i përcjellim në tregun e punës. Për këtë Bolonja është shembulli më i mirë”, u shpreh Veliaj.

Një pikë e rëndësishme e diskutimit mes dy homologëve ishte edhe rritja e bashkëpunimit në fushën e agrobiznesit. Veliaj tha se eksperienca që ka Bolonja në këtë fushë, do të shërbejë në realizimin e ambicies së Bashkisë së Tiranës për të fuqizuar sektorin e agroturizmit dhe zhvillimit të zonave rurale. “Bolonja ka fuqizuar shumë agrobiznesin. Po shikojmë ide që kanë funksionuar në periferitë e Bolonjës. Tirana është e bekuar me natyrën që ka në periferi, siç janë fshatrat me produktet e tyre. Ambiciet tona për agroturizëm dhe për mënyrën se si fuqizojmë zonat periferike të Tiranës mund të realizohen fare mirë me bashkëpunimin e Bolonjës”, përfundoi Veliaj.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja