Kryetari i Bashkisë së Kavajës Elvis Rroshi ka shprehur shqetësimin e tij për vdekjen e një prej qytetarëve të Kavajës ditën e djeshme. “Ai ishte një sportdashës i mirë. Dhe ishte atë ditë në stadium. Por më pas, e burgosën dhe e dhunuan, ndërkohë që gjykata e nxorri të pafajshëm.

Ndërkohë që të gjithë qytetarët e Kavajës do të përcjellin nesër (sot) për në banesën e fundit Rruzhdi Aliun”, tha kryetari i Bashkisë Elvis Rroshi, i cili gjithë ditën e djeshme së bashku me avokatin dhe kreun e PS e kandidatin për deputet, ka qëndruar deri në përfundimin e ekspertizës për shkaqet e vdekjes së tij, që sipas policisë janë nga infarkti.

Ndërkohë kreu i PS së qytetit Gentian Daja në faqen e vet në facebook shpreh keqardhjen për ndarjen nga jeta të 47 vjeçarit Rruzhdi Aliu i cili ishte një ndër protestuesit e burgosur dhe të dhunuar në protestat për lirimin nga qelitë e paraburgimit të kryetarit të Bashkisë Elvis Rroshi.

“Pikëllimi im në këtë moment nuk mund të shprehet me fjalë, ngushëllime familjes së Ruzhdi Aliut për humbjen e babait të tyre i cili pak ditë më parë u arrestua dhe u dhunua nga policia vetëm sepse po protestonte kundër arrestimit të paligjshëm të Elvis Rroshit. Ruzhdi Aliu do te përcillet nesër (sot) për në banesën e fundit me pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve të Kavajës” shkruan kreu i PS Gentian Daja.

Shkrimi u botua sot në Gazetën Shqiptarja.com (print)17.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)