Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla i Partise Socialiste është marrë i pandehur nga SPAK nën akuzë për korrupsion në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit 2022.

Këtë të enjte kryebashkiaku së bashku me avokatin e tij Ermal Yzeiri është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme ku i është komunikuar akuza. Hetimi për të ka nisur muaj më parë në lidhje me një denoncim që është bërë ndaj kryebashkiakut.

Gazetarja e Report Tv Keti Banushi raporton se bëhet fjalë për një përgjim sipas të cilit pretendohet se Memolla paguante faturat e energjisë elektrike të qytetarëve të Rrogozhinës në këmbim të votave. 

Regjistrimi i bisedës telefonike raportohet se është bërë në prag të zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit 2022. Sipas audio-përgjimit, Memolla ka ndërhyrë tek OSHEE për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një familjeje të varfër.

Në një bisedë telefonike me një grua, Memolla konfirmon se ishte takuar më herët me telefonuesen, të cilës i kishte garantuar mos-ndërprerjen e energjisë, në këmbim të votës për zgjedhjet e 6 marsit. E më pas në telefon del elektricisti që kishte shkuar për ndërprerjen e energjisë, të cilit Memolla i kërkon që të mos ia ndërpresë energjinë.

Madje Memolla e orienton elektricistin që pasi të kalojnë zgjedhjet mund të vepronin. Të gjitha këto prova të hetura nga SPAK kanë rënduar pozitën e kryebashkuakt te cilit i është komunikuar këtë te enjte edhe akuzua e korrupsionit në zgjedhje.

Për këtë akuzë, Memolla po hetohet nga prokurori Edvin Kondili. Më herët në prill të këtij viti kryebashkiaku është paraqitur në SPAK mbi dyshimet se ka bërë punësime fiktive në bashki.