Kryebashkiaku i Selenicës, Nertil Bellaj ka kundërshtuar propozimin e PS në kuadër të reformës së re administrativo-territoriale, për bashkimin e Selenicës me Bashkinë Vlorë.
Reagimi vjen pas deklaratës së deputetit Ardit Bido, i cili sipas kryebashkiakut ka thënë se “Selenica donte vetë të shkonte në Vlorë”. Ai e cilëson këtë deklaratë si të pavërtetë dhe një zhgënjim për banorët e zonës.
Reagimi i plotë:
Të dashur banorë të Bashkisë Selenicë,
Mesazhet, telefonatat e shumta, qëndrimi i shprehur nga përfaqësues të komunitetit në mbrojtje të Bashkisë Selenicë, si dhe deklarata e deputetit Bido më obligojnë të bëj publik edhe një herë qëndrimin tim për reformën e re administrativo-territoriale.
Deklarata e deputetit Ardit Bido se “Selenica donte vetë të shkonte në Vlorë” është jo vetëm e pavërtetë, por edhe një zhgënjim i madh për banorët e kësaj treve. Të flasësh në emër të një komuniteti pa e pyetur atë është një goditje ndaj besimit që qytetarët kanë tek përfaqësuesit e tyre. Për shumë banorë të Selenicës, kjo u përjetua si një thikë pas shpine, në një moment kur pritej mbështetje për interesat e zonës dhe jo deklarata që i vendosin ato në pikëpyetje.
Dua të jem shumë i qartë: askush nuk ka të drejtë të vendosë apo të flasë në emër të Bashkisë Selenicë. Vullneti i banorëve nuk mund të zëvendësohet nga dëshirat apo qëndrimet personale të askujt.
Qëndrimi im ka qenë dhe mbetet i pandryshuar: Selenica duhet të mbetet bashki më vete. Ky nuk është një qëndrim që lidhet me interesa personale apo administrative. Është një detyrim ndaj qytetarëve, ndaj historisë, identitetit dhe potencialit të jashtëzakonshëm të kësaj bashkie.
Në dëgjesën pranë Komisionit Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale kam paraqitur argumente të qarta dhe të mbështetura në fakte se Bashkia Selenicë i plotëson të gjitha kushtet për të vijuar si njësi vendore më vete. Shtrirja e saj territoriale, numri i fshatrave, burimet natyrore, potenciali ekonomik dhe performanca e administratës vendore janë prova të mjaftueshme se kjo bashki ka të gjitha mundësitë për të vazhduar të zhvillohet.
Zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet dhe të respektohet. E ardhmja e kësaj bashkie nuk mund të ndërtohet mbi deklarata të pavërteta, por mbi vullnetin e komunitetit dhe interesin më të mirë të tij.
Me besim se zëri i banorëve të Bashkisë së Selenicës do të dëgjohet e vlerësohet pozitivisht nga deputetet e Qarkut Vlorë dhe kuvendit të Shqipërisë.
Lajmi kryesor:
‘Territorialja’/ Banorët e 15 bashkive që shkrihen, në protesta! Qytetarët në Belsh e Selenicë: Jo reformës që zbraz komunitetet, na largon shërbimet (VIDEO)











