Epoka e inteligjencës artificiale në Shqipëri, prek edhe zgjedhjet. Madje drejtpërdrejt vlerësimin dhe numërimin e votës. Kjo nuk është një aspiratë për të ardhmen, por një provë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do ta aplikojë pas 3 javësh, në zgjedhjet e disa bashkive.

Shpenzimet e gjithë këtij procesi do të mbulohen nga donacionet e partnerëve ndërkombëtarë. Celibashi shtoi se me atë të këtij projekti synohet aplikimi sa më i madh i AI në procesin zgjedhor.

“Kemi filluar në versionin eksperimental përdorimin e Inteligjencës Artificiale për kërkimin dhe marrjen e informacioneve zgjedhore nëpërmjet faqes së internetit të KQZ  si dhe për të ofruar asistencë dhe krijuar facilitet për administratën zgjedhore, por edhe për subjekte të tjera të përfshira në procesin zgjedhor, mundësi për ta marrë dhe përpunuar këtë informacion, apo aspekte të ndryshme të procesit zgjedhor.

Në 9 nëntor të këtij viti do mbahen zgjedhjet e pjesshme. Stafi i KQZ po punon për të aplikuar për herë të parë përdorimin e Inteligjencës Artificiale në numërimin dhe vlerësimin e fletëve të votimit dhe nxjerrjen e rezultateve. Ky projekt do shërbejë si test dhe për momentin nuk do zëvendësojë mënyrën e numërimit dhe vlerësimit të votave, e cila do mbetet mënyra zyrtare e referimit për këtë aspekt të procesit zgjedhor”, deklaroi Celibashi.

KQZ deri më tani po përdor me sukses identifikimin elektronik të votuesve, por nuk ia ka dalë të bindë politikën që votimi elektronik të shtrihet në mbarë vendin. Deklarimet e Celibashit u bënë në një tryezë krah ambasadorit të BE-së, Gonzato, i cili vlerësoi hapat e Shqipërisë në digjitalizim.

“Mirëqenia digjitale është qendrore sa i përket axhendës së reformave. Do të thotë, për t’u siguruar që fushata online, reklama politike, përdorimi i të dhënave janë transparente, të verifikueshme dhe objekt i monitorimit të pavarur. Reforma zgjedhore dhe digjitale janë pjesë e angazhimeve që ka marrë Shqipëria për t’u bërë shtet anëtar, pjesë e Grupkapitullit I - Çështjet Themelore, - tha Gonzato.

KQZ ende nuk e ka bërë të qartë se në cilat bashki do të bëhet testimi i numërimit të votës me numërues digjital dhe as se cili është qëllimi final i këtij testimi.