Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dhënë pretencën për Plaurent Dervishajn dhe Julian Meçen, të pandehur në lidhje me atentatin ndaj ish Prokurorit Arjan Ndoja në vitin 2019.
SPAK ka kërkuar burg të përjetshëm për Plaurent Dervishajn, ndërsa për Julian Meçen, numrin dy të bandës së Durrësit, i njohur si miku i Lulzim Berishës kërkon 35 vite burg.
Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj u ekstraduan nga Dubai në gusht të vitit 2024. Dervishaj akuzohet si organizatori i atentatit ndërsa Meçaj si një nga autorët që qëlloi në drejtim të tij.
SPAK e zbardhi atentatin ndaj ish-prokurorit Ndoja pas mbërritjes nga Franca të komunikimeve në “SkyECC”.
Ngjarja ndodhi më 1 nëntor të vitit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit. Gjatë këtij atentati Ndoja ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i "forti i Sukthit", Aleksandër Laho (alias Pëllumb Muharremi) i njohur si 'Rrumi i Shijakut', dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, shofer i prokurorit, i cili mbeti i vdekur.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










