Kryemadhi: 'Principata kanabiste
e Lazaratit' arriti të blinte votat

Kryemadhi: 'Principata kanabiste<br />e Lazaratit' arriti të blinte votat
Kryetarja e Lëvizjes Socilaiste për Integrim, Monika Kryemadhi, në fjalën e saj të parë në  Kuvend si kryetare e kësaj force politike ka hedhur akuza në drejtim të mazhorancës për blerje të votave në zgjedhjet e 25 qershorit.

“Principatën kanabiste të Lazaratit” në “Republikën e përgjithshme dhe kombëtare të kanabisit”, dhe falë kësaj republike kanabiste, ai arriti të blinte dhe votat e shqiptarëve në Qershorin e turpshëm që lamë pas krahëve”, është shprehur Kryemadhi”, e cila ka shtuar edhe shprehjen e kryeministrit Rama të përshtatur, “Ne keni nuk parë gjë akoma”.

Fjala e plotë e Monika Kryemadhi:
Zoti Kryetar,

Të nderuar kolegë deputet,

Të dashur qytetarë shqiptarë,

4 vjet më parë nga kjo sallë kryeministri i’u drejtua shqiptarëve me batutën e dashur të tij “Nuk keni parë gjë akoma”. Kjo batutë i drejtohej Opozitës. Këto fjalë kishin urrejtje, kërcënim dhe dëshirë për hakmarrje politike.
Mirëpo 4 vite më parë nuk mendohej se do të përjetonim, dështimin e plotë të një mënyre drejtimi dhe të një filozofie që përkëdhelte dhe mbështeste vetëm oligarkët dhe që i ka bërë shqiptarët më të varfër, ndërsa klientët e kryeministrit, i ka shndërruar nga milionerë në miliarderë.

Unë mendoj, që është krejtësisht meritë e kryeministrit që e shndërroi Shqipërinë, nga një vend që njihej për “Principatën kanabiste të Lazaratit” në “Republikën e përgjithshme dhe kombëtare të kanabisit”, dhe falë kësaj republike kanabiste, ai arriti të blinte dhe votat e shqiptarëve në Qershorin e turpshëm që lamë pas krahëve. Ne nuk kemi parë gjë akoma!

Sepse Kryeministri bleu edhe 4 vite të tjera kohë dhe pushtet, për të trashur zullumin e tij mbi shqiptarët.

Kaq i zënë ka qenë ai, me sajdisjen e atyre që i blenë votat në qershor, sa nuk paska pasur kohë as ai dhe as oborri dhe oborrtarët e tij, për të shkruar një dokument serioz programor, për qeverisjen e ardhshme të vendit, por vetëm ka gatuar shpejt e shpejt një program batutash, një fjalim arrogant, të shkruar keq, me gabime dhe lajthitje të shumta, provë e një padije të thellë..

Mirëpo Kryeministri është kujdesur që programit të tij t’i qepë një kostum të ngushtë, që edhe e mbiquan një qeveri të vogël, duke qenë i kursyer në premtime, të cilat i kthehen fare kollaj mbrapsht.

Nuk do të kemi pra as në letër një strategji qeverisëse për të ashtuquajturën: “shëndetësi falas”, apo reforma të tjera çudibërëse, qindra e mijëra vënde pune, rritje pensionesh dhe rritje reale të sigurisë njerëzore, në xhunglën e ashpër shqiptare.

Kryeministri është kujdesur që të shkatërrojë edhe vetë debatin mbi programin, duke mos na paraqitur një program qeverisës të mirëfilltë.

Me Parimin : Si mund të diskutosh mbi një gjë që nuk ekziston?

Për ne, debati serioz mbi programin qeverisës asnjëherë nuk ka qënë dhe asnjëherë nuk do të jetë, një çështje e pozicionit politik mes maxhorancës dhe opozitës, por një çështje jetësore për interesin më të mirë të qytetarëve, të nevojave dhe të mirëqënies së tyre.

Realisht dhe pavarësisht pozicionit tonë të vendosur opozitar, ne do te donim me gjithë shpirt që të diskutonim mbi një program të mirë studiuar dhe pse jo, ta ndihmonim Qeverinë dhe kryeministrin, për të programuar dhe për kryer gjëra të mira dhe pozitive, për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ne nuk jemi në politikë, për të dashur, apo për të shkatërruar punën e mirë të kundërshtarit tonë politik, e aq më tepër të socialistëve.

Madje edhe këtë tallje, edhe këtë fletushkë sipërfaqsore prej të vetkënaquri, e kqyrëm dhe e pamë me kujdes, me shpresën se mos mes rreshtave, apo diku më thellë, të ishte fshehur diçka me vlerë të vërtetë.
Por kryeministri nuk na e dha as edhe këtë mundësi minimale…

Si mund të krenohet kjo qeveri për një rritje ekonomike “bombastike” (3,5%), kur të ardhurat në xhepat e shqiptarëve janë po aq sa edhe ishin 10 vite më parë, dhe që në fakt nuk do të thotë rritje, por në rastin konkret qëndrim në vënd, dhe realisht një kthim pas. Sepse nuk mund të ketë një rritje ekonomike të vërtetë, nëse nuk ka një rritje të të ardhurave direkte të shqiptarëve. Ato janë veçse fjalë dhe shifra të vdekura, të hedhura në fletushkën e paraqitur si program, si një gënjeshtër e rradhës.

Këtë nuk e them unë, këtë e thotë raporti i prillit 2017 i FMN-së.

E vërteta është pra, që rritja ekonomike në këto vite ka qënë më pak sa inflacioni, thënë ndryshe, shqiptarët janë varfëruar më shumë sepse pagat dhe të ardhurat e tyre kanë qenë vëndnumëro ndërsa çmimet e konsumit janë rritur ndjeshëm…

Sot shqiptari blen më pak, bukë, vaj, sheqer, mish, veshje, shërbime, se sa më parë, sepse çmimet janë rritur, ndërsa paraja është zhvleftësuar dhe ka rënë si fuqi blerëse. Edhe kur premtohet një shifër kuturu prej 5.5% në fund të mandatit të ardhshëm, kryeministri, nuk ka asnjë argument bindës, se cilat do të jenë burimet e rritjes?!

Është njësoj si të thuash, do të rrisim ekonominë, por nuk e dimë akoma se si do ta rrisim....A nuk është edhe kjo një tallje arrogante?!

Kryeministrit, nëse i ka mbetur pranë ndonjë ekonomist duhet t’ja kujtoj që në vitin 2008 rritja ekonomike ka qënë mbi 8 % e GDP-se, dhe përsëri shqiptarët kërkojnë më shumë, sepse janë akoma shumë mbrapa vëndeve të vërteta europiane dhe jetojnë më shumti në një varfëri të thellë.

Edhe po ta marrim të mirëqënë këtë rritje të mundshme, për ne si LSI, çështja më e rëndësishme nuk është shifra në vetvete, Ne na intereson të dimë, se ku perfundon kjo rritje?!

Në xhepat e majmë të klientëve të Kryeministrit, apo në xhepat e hollë dhe te çpuar të qytetarëve?

Sepse si mund ti besohet kësaj qeverie kur thotë se 60 mijë shqiptarë kanë dalë nga varfëria dhe mbi 30 mijë të tjerë kanë dalë nga skamja esktreme në vitet 2013-2017, vetëm e vetëm se paskan shkurtuar numrin e familjeve që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike dhe asistencës sociale, me arsyen qesharake se këto familje posedojnë një televizor…Një televizor i përdorur nuk i bën njerëzit më të pasur.

Të nderuar kolegë!

Të dashur qytetarë!

Reforma është fjala më e keqpërdorur në këto vite…

Por si mund të konsiderohet një reformë, e aq më tepër një reformë e suksesshme, në rastin e pagesës së energjisë elektrike, ku dhjetëra qytetarë të papunë, të vobektë, të pashpresë kryen dëshpërimisht vetvrasje nga pamundësia për të paguar borxhet e grumbulluara ndër vite, kurse nga ana tjetër biznesmenë të fuqishëm, me një telefonatë shuan dhe bën “0” milionat e borxheve, që kishin ndaj OSSHE??!

A është e drejtë kjo?

A mund të jetë një qeverisje e majtë, sociale dhe solidare ?

Dhe çfarë ndodhi, në të vërtetë?

Adminstrata tatimore thjesht “nxorri dhjam nga pleshti”, duke shtrydhur më të varfërit dhe më nevojtarët deri në qindarkën e fundit të detyrimeve, ndërkohë që oligarkët “elefantë” mbeten të patrazuar në evazionin e tyre fiskal duke shtuar lluksin e shfrenuar dhe duke e bërë të rrezikshme provokimin social, që shkakton pabarazia e thellë dhe polarizimi i shoqërisë.

Sepse dihet mirë dukuria e polarizimit social. Shoqëritë më të polarizuara, janë shoqëritë në vëndet më të varfëra dhe që janë njëkohësisht vëndet më problematike dhe më të destabilizuara.

Nga ana tjetër, Koncesionet klienteliste dhe abuzive, të amballazhuara si PPP, janë taksa më e lartë që paguajnë sot shqiptarët. Një taksë e fshehur kjo, që rëndon dhe do të rëndojë vit pas viti në xhepat e shqiptarëve, sepse janë konçesione shumëvjeçare, që marrin peng edhe të ardhmen tonë.

Tashmë 300 milion euro peshojnë akoma në shpatullat e dobët të taksapaguesve shqiptarë vetëm në sektorin e shëndetësisë.

Sikur shqiptarët sot të paguanin më pak ose të ishin më të shëndetshëm , këto koncesione do të ishin histori suksesi. Por sot, këtë “mega-vjedhje” e di i madh dhe i vogël në Shqipëri dhe nuk është aspak më një sekret.
Mirëpo edhe nëse shqiptarët nuk e kanë kuptuar ende, ne jemi këtu për ti treguar se kjo qeveri ka për qëllim, vetëm pasurimin e 3-4 klientëve të saj dhe duke e bërë këtë në kurriz të atyre shqiptarëve që paguajnë taksa.

Edi Rama pretendon se me këtë fletushkë, mbushur me gënjeshtra, do t’iu vijë në ndihmë të rinjve. Por a e besojnë të rinjtë këtë?

Unë mendoj krejt të kundërtën, të rinjtë ndjehen shtresa më e tradhëtuar e kësaj qeverie dhe e këtij kryeministri. Sepse pjesa më e madhe e tyre, duan ta braktisin Shqiperinë dhe këtë nuk e them unë, por sondazhet e instituteve ndërkombëtarë.

Sa prindër e shohin të ardhmen e fëmijëve të tyre në këtë vend? Sa të rinj aplikojnë për tu shkolluar dhe punësuar jashtë vëndit? Sa njerëz besojnë se ky vend do të bëhet një ditë i jetueshëm edhe për ata që s’janë e që s’bëhen dot, klientë të kryeministrit?

Është një fakt që nuk e them dhe që nuk e shkruaj unë, se gati 10% e popullsisë tonë (300 mijë qytetarë) kanë ikur në emigracion në këto 4 vite!

Ndonjë cinik i qeverisë mund të thotë që është normale të ikin për një jetë më të mirë, por shqiptarët që kanë ikur dhe ato 56% të tjerë që duan akoma të ikin, jam e sigurt që duan një jetë më të mirë këtu në vendin e tyre dhe jo të bëjnë jetën e vështirë dhe plot të panjohura e vështirësi të emigrantit, por të jetojnë këtu pranë fëmijëve dhe familjeve të tyre”.

Fatkeqësisht, nuk është vetëm dhe thjesht jetesa e mjerë që ata e vuajnë sot, por mbi të gjitha është mungesa e shpresës për të ardhmen e fëmijëve të tyre që i detyron të largohen… dhe kjo duhet të jetë një këmbanë alarmi për të gjithë ne, mbi të gjitha për qeverinë që duket se ka humbur lidhjet me realitetin

Nga ana tjetër, borxhi publik pasi kapërceu frikshëm nga 63% ne 2013 dhe që është në gati 72% të GDP-së në 2015, vijon të thellohet në një spirale ekonomike që i ngjan një aventure të rrezikshme…Paratë që u çliruan nga rritja e borxhit, nuk kanë dhënë një impakt rritës në ekonomi, nuk u shndërruan në investime publike dhe në punësim!

Pra u rrit borxhi I shqiptarëve dhe brezave të ardhshëm me mbi 1 miliard euro, të cilat shkuan më së shumti, për bojatisje fasadash dhe vendosje pllakash nëpër sheshe qytetesh… Ndërsa na premtohet përmes fletushkës programore të qeverisë se do të shkojë sërish në 60% në fund të mandatit….

Një premtim ky, krejt i pabesueshëm, ashtu si 4 vjet më parë me 300.000 vëndet e punës dhe shëndetësia falas për të gjithë…

Të nderuar kolegë deputetë!

Si mund të konsiderohet bujqësia si sektor prioritar në këtë pamfletë të quajtur "program qeverisës" kur sërish Kryeministri premton 50 milion euro në vit për 4 vitet e ardhshme, një shifër që është akoma më modeste sesa buxheti i këtij viti për bujqësinë?

Ndoshta Kryeministri nuk i kupton shifrat, por me bujqësinë merret më shumë sesa gjysma e qytetarëve tanë që janë në tregun e punës...është e trishtueshme që bujqësia financohet aq sa kushtojnë 3 sheshe të rilindjes urbane!

Për turizmin dje kryeministri u tha shqiptarëve mos planifikoni pushime jashtë vendit vitin tjetër, se do të ndodhë mrekullia, kur vetëm këtë vit në pikun e sezonit turistik të paktën 3 herë vetëm në Sarandë dhe Ksamil u canë tubacionet e ujërave të zeza???

Për çfarë turizmi e ka fjalën? Për atë bukuri që na ka ka falur Zoti, apo për masakrën që akoma vazhdojnë ta bëjnë njerëzit dhe pushteti dhe kur qeveria rri duarkryq? Çfarë imazhi japim ne kur investimet abuzive me paratë e shqiptarëve dhurojnë këto shfaqje të shëmtuara jo vetëm për turistët e huaj por pikë së pari për qytetarët tanë?

Po trumbetohet me të madhe për një administratë moderne dhe dixhitalizim të shërbimeve publike.

Kryeministri duhet të bëjë transparente sa miliona euro janë shpenzuar nga buxheti i shtetit dhe janë marrë kredi (të paktën 40 milion euro) me qëllim dixhitalizimin, inovacionin dhe modernizimin e shërbimeve publike. Ku kanë përfunduar këto para? Pse pas 4 vitesh themi që kemi nevojë për një reformë në administratën publike kur kishim një Ministri për këtë qëllim dhe u hodhën lumë miliona euro pa impakt?

Mos duhet të harxhojmë edhe qindra miliona euro të tjera në eksperimente me administratën tonë, apo taksapaguesit shqiptarë të vazhdojnë të paguajnë përsëri për shkarkimet masive që parashikohet të bëjnë? A ka gjë më të papërgjegjshme sesa të tmerrohet e gjithë administrata dhe të paralizohen shërbimet për publikun se një Kryeministër nuk di si të qeverisë?

Të nderuar kolegë deputetë!

Si mund të konsiderohet “punë e mbaruar” dhe sukses lufta kundër kanabisit dhe drogës kur dhjetëra ton po kapen çdo muaj në vëndet fqinjë?

Si mund të krekoset kjo qeveri se kemi rikthyer rendin publik ku bandat kriminale blejnë “varfërinë” e shqiptarëve përmes votës dhe ku“kriminelët me kollare” dhe oligarkët kanë kapur prej fyti sistemin tonë ekonomik dhe financiar?

Çfarë duhet të ndodhë më shumë, kur vëndet Europiane po alarmohen për kërcënimin e frikshëm që vjen nga lumenjtë e drogës dhe aktiviteti i krimit të organizuar me burim Shqipërinë?

Si mund të flasi qeveria shqiptare për suksese në avancimin drejt BE-së, ku disa shtete si Hollanda dhe Franca, pikërisht për shkak të këtyre problemeve po diskutojnë mundësinë e rikthimit të regjimit të vizave për shqiptarët, të cilët me aq mund ja arritën ta fitonin këtë të drejtë 7 vite më parë.

Cfarë sigurie ka për jetën një qytetar i thjeshtë në këtë vend, kur në mes të ditës një zyrtare, një gjykatëse që supozohej të kishte urdhër mbrojtje, ishte e pafuqishme dhe pati fatin e keq të ishte viktimë e shurdhërisë, verbërisë dhe agonisë së këtij shteti?

Ky është shteti që duam??

Kjo është Shqipëria që duam?

Prandaj të nderuar kolegë!

Unë dua të shtroj një pyetje të thjeshtë:

Kush mban përgjegjësi për këtë situatë katastrofike të rendit, të ekonomisë, të shoqërisë, si dhe për këtë imazh të dërrmuar dhe të shëmtuar ku gjendet Shqipëria sot?

Jam e bindur secili prej nesh, edhe Presidenti i Republikës që firmosi dekretet pa u tharë boja e firmës së Anastasit në proces verbal e zgjedhjes së kryetarit , por qeveria shumë më shumë!

Është kjo arrogancë dhe paradë dështimesh spektakolare që po na serviret sot si “kapitulli i dytë” i një libri që në fakt nuk dallon fare nga kapitulli i parë!

Pasi manipuloi dhe bleu timonin për të rrëmbyer gjithë tepsinë si tahmaqar, tani nuk ka hallin si të qeveris me përgjegjësi para vendit e qytetarëve, por se si të drejtojë edhe opozitën përmes diversioneve, blerjeve, presioneve e shantazheve…

Por ta harrojë ky kryeminsiter i votës së blerë, të paktën nga sot e në të ardhmen se do luaj me opozitën dhe demokracinë, ashtu si ka bërë deri tani!

Mos të harrojë asnjëherë, ky kryeministër i pakicës së shqiptarëve, se shumica dërrmuese e shoqërisë është në opozitë me këtë qeveri dhe këtë do e tregojnë shqiptarët shumë shpejt.

Ne sapo kemi filluar këtë rrugëtim së bashku me shqiptarët për t’ju dhënë atyre shpresë se ky vënd mund të bëhet!

Dhe kjo fillon me hedhjen në kosh të fletushkës – program, që na u paraqit këtu, si një tallje arrogante, ndaj varfërisë dhe shpresës së humbur të shqiptarëve.

Sepse ne do ti sjellim, energji pozitive, motiv, besim dhe zë të lartë, shumicës së heshtur të shqiptarëve, për të të larguar sa më shpejt nga ai kolltuk i blerë, kryeminsitrin më të mirë të oligarkëve dhe kryeminsitrin më të keq të shumicës së popullit!

Faleminderit!
 
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Grabitja dhe vrasja e të moshuarit në banesë, FNSH kontrolle në dalje të qytetit

Vlorë/ Grabitja dhe vrasja e të moshuarit në banesë, FNSH kontrolle në dalje të qytetit