Që nga djegia e mandateve 2 vite më parë kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ka deklaruar se LSI ka qenë përballë një presioni. Teksa thekson se vendimi për djegien e mandateve pati një kosto për Shqipërinë dhe politikën, për Kryemadhin ka qenë i duhuri pasi sipas saj treguan se LSI nuk ishte për karriget, por kishte dinjitet.

Gjatë një takimi në Laprakë Kryemadhi tha se ndryshimi tashmë ka ardhur, ndërsa theksoi se më 25 prill qytetarët do ta votojnë.

“Ndryshimi ka ardhur. Është në të gjithë Shqipërinë. Të dashur miq nga sot ne kemi edhe 9 ditë të tjera. 9 ditë që do të jenë të forta, energjike, të cilat na çojnë drejt fitores. Me 25 prill, ju do të votoni numrin 6 dhe unë jam krenare që me qindra dhe mijëra të rinj e të reja, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë, dalin dhe më presin me makina dhe flamuj, pa pasur pikë presioni. Deklarohen hapur. Kjo është kënaqësia ime më e madhe. Kjo mbështetje që i jepni LSI nuk është thjesht një entuziazëm për secilin nga ne, por është detyrim i madh që nga unë e para dhe nga deputetet e LSI-së duhet të kenë ndaj rinisë shqiptare për të realizuar pikë për pikë çdo detyrim tonin për qytetarët shqiptarë, me 5 prioritet tona.

Që nga djegia e mandateve ne të LSI kemi qenë përballë një presioni të madh, përballë presionit mediatik, ndërkombëtar, dhe institucion dhe përballë presionit me vetveten. Ne sot e dimë shumë mirë, se djegia e mandateve ishte një ndër veprimet më të mira që ne bëmë. Treguam se kemi dinjitet dhe ngrihemi mbi çdo disfatë dhe treguam se nuk jemi partia e karrigeve. Djegia e mandateve pati një kosto të madhe për Shqipërinë dhe politikën”, tha Kryemadhi.