Një nga problemet më të mëdha sipas kryetares së LSI Monika Kryemadhi është hemorragjia e institucioneve. Nga Gjirokastra ajo tha se uragani i ndryshimit po ndihet në të gjithë Shqipërinë.

“Një nga problemet më të mëdha është ajo që tha Vangjeli, hemorragjia e institucioneve të Gjirokastrës. Është shumë e vërtetë, sepse nuk është e paqëllimshme kjo hemorragji. Nuk është i rastësishëm largimi i Spitalit Rajonal të Gjirokastrës drejt Fierit sepse do t’i detyrojë gjirokastritët, tepelenasit, libohovitët, dropullitët të shkojnë dhe të kurohen në Greqi, kur ndërkohë duhet të kenë spitalin e tyre në mes të qytetit.

Nuk është e paqëllimshme largimi i arkivave drejt Lushnjës sepse kërkon tjetërsimin e gurëve të sokakëve të Gjirokastrës, kërkon tjetërsimin e historisë shqiptare. Nuk është e paqëllimshme largimi i Drejtorisë Arsimore, nuk është i paqëllimshëm çdo largim institucional sepse Edi Rama dhe rilindja kërkon të zhdukë historinë tonë, kërkon të zhdukë memorien tonë, kërkon të tjetërsojë flamurin tonë, prandaj ajo që është dhe më e rëndësishme për të gjithë ne, kudo që jemi të mos ndalojmë në asnjë moment dhe asnjë sekondë, të trokasim derë më derë, të bisedojmë me të gjithë njerëzit tanë, me miqtë, familjarët, me qindra janë kthyer nga emigracioni që kanë ardhur për të votuar.

Po kthehen sepse e dinë që ndryshimi ndodh vetëm me votë, ndodh duke votuar LSI-në. Nuk e prisja atë pritje madhështore nga djemtë e Memaliajt, të Përmetit, të Tepelenës dhe nuk e mendoja që vërtetë do të kishte kaq shumë të rinj në këto zona. Ajo që shikojmë përditë janë fshatrat e braktisur, shtëpitë e braktisura për shkak të mungesës së punës, për shkak të mungesës së zhvillimit ekonomik, për shkak të mungesës së zhvillimit të turizmit, për shkak të mungesës të zhvillimit të jetës së përditshme, për shkak të mungesës të dëshirës dhe vizionit për ta zhvilluar këtë vend”, deklaroi Kryemadhi.

Ajo tha se sot më shumë se kurrë beson tek ekipi fitues i LSI-së.

“Besoj tek socialisti Aldi, i cili më shumë se kushdo tjetër e di që vota për LSI-në është vota socialiste e vërtetë. Socialistët e vërtetë e gjejnë veten e tyre tek LSI-ja, tek solidariteti që kemi me njeri-tjetrin. Besoj tek Vangjel Tavo sepse unë dhe Vangjeli jemi themelues të PS dhe të FRESSH.

I pata thënë Vangjelit që gjithë ky entuziazëm në Gjirokastër është një mrekulli, sepse është shumë e vështirë ta kesh jo vetëm në vitin 2021, por edhe shumë vite më para. Sepse gjirokastritët, tepelenasit, Memaliaj, libohovitët dhe dropullitët emocionin dhe mbështetjen e kanë me këngën labe por kur mblidhen dhe brohorasin të gjithë bashkë për të sjellë ndryshimin atëherë ai është një uragan i paparë i cili nuk mund të ndalet më. Uragani i ndryshimit do të jetë në gjithë Shqipërinë dhe i pandalshëm.

Angazhohemi për këto programe dhe pika që i kemi të shkruara sepse jemi jo vetëm partia e fjalës së mbajtur, por jemi dhe partia që e konsiderojmë njeri-tjetrin motra, vëllezër dhe si një familje. Dëgjoja rrugës se si kopjonte sloganin e LSI-së, se si donte të ndihej në shtëpi Edi Rama. Si mund të ndihet në shtëpi një njeri i cili nuk ndërtoi kurrë shtëpi, një njeri që dha me koncesion çdo pëllëmbë të Shqipërisë, një njeri që nuk respekton gruan, nënën shqiptare, një njeri që terrorizon mësuesit shqiptarë, si mund të ndihet një njeri që terrorizon mjekët dhe infermierët, që jep në këmbim të votës vaksinës, një njeri që nuk e ka dashur kurrë këtë vend, i ka përçmuar qytetarët e tij”, tha Kryemadhi.