Teksa na ndajnë 11 ditë nga zgjedhjet e 25 prillit, Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, e ka vijuar turin e fushatës elektorale në qytetin e Lushnjës. Gjatë fjalës së saj, Kryemadhi theksoi se LSI sipas saj është partia e të rinjve, e familjes shqiptare. Nga atje tha se nuk duhet të thërrasin "Rama ik", pasi sipas saj kryeministri ka ikur tashmë.

"Mos thërrisni më Rama ik se ai ka ikur. Ne kemi vetëm vetëm një qëllim. Qëllimi ynë nuk është të ndërrojmë një parti në pushtet me një parti tjetër në pushtet. Qëllimi ynë është të krijojmë vende të reja pune. Është të krijojmë vende të reja pune me punë të mirëpaguar. Qëllimi ynë është që fermerët e Lushnjes dhe Divjakës të garantojnë shitjen e prodhimit. Qëllimi ynë është që bizneset të lulëzojnë në gjithë Shqipërinë. Qëllimi ynë është që turizmi në Divjakë, në Seman, e kudo të lulëzojë për të krijuar vende pune dhe mundësi të zhvillimit të ekonomisë. Qëllimi ynë është që Universiteti Bujqësor të ketë përfaqësinë e vetë këtu, sepse o mësohet bujqësia në vendin më të bekuar, për bujqësinë sic është Lushnja ose nuk mund ta mësosh diku tjetër. Qëllimi ynë është të rikthejmë intelektualët, të rikthejmë dijen, të rikthejmë atë për të cilën ne kemi më shumë nevojë. Të rikthejmë më shumë dashuri për njëri tjetrin. Të largojmë urrejtjen, të kthejmë atë dashuri e cila na ka mbajtur gjallë në gjithë këtë kohë. Edhe po nuk e deshën dashurinë tonë ne kemi dashurinë për vendin tonë. Ne kemi dashurinë për flamurin tonë, ne kemi dashurinë për familjet tona. Sepse ajo që është më e rëndësishme se kudo tjetër, ne jemi LSI partia e të rinjve, të rejave, partia e burrave dhe grave, me kurajo partia e të gjithë atyre që duan ndryshimin dhe duan të ecin përpara. Unë do i lutesha Zotit që t’u japë  shansin të rinjve dhe të rejave, që më 25 prill ta drejtojnë këtë vend. Ta drejtojnë këtë vend burrat dhe gratë, të cilët nuk ikën nga Shqipëria, por përkundrazi qëndruan këtu. Ta drejtojnë djemtë dhe vajzat që nuk e tradhtuan vendin e tyre, por përkundrazi po luftojnë dhe po përballen çdo ditë me të ardhmen e tyre".

Për Kryemadhin ndryshimi nuk vjen duke i bërë elozhe politikës së vjetër.

"Ndryshimi nuk vjen duke i bërë elozhe politikës së vjetër, ndryshim nuk vjen duke u përkëdhelur tek kryetarët apo kryetaret e partive, ndryshimi nuk vjen duke u përçarë apo duke u përkëdhelur tek ish liderët, ndryshimi vjen tek fëmija ynë, tek shtëpia jonë, tek toka jonë. Ndryshimi vjen tek qyteti ynë, ndryshimi vjen me votën më 25 prill për numrin 6, për të votuar LSI-në. Sepse LSI-ja është partia e të rinjve dhe të rejave. LSI-ja është familja e familjeve shqiptare, LSI-ja nuk është partia e kryetarëve. LSI-ja është partia juaj. Iku koha kur njerëzit thonin që votojmë emrin. Emrat ikin dhe vijnë, por vlerat, virtytet, solidariteti, janë ato që na mbajnë bashkë. I japim dorën njëri tjetrit, e ndihmojmë njëri tjetrin dhe i qëndrojmë njëri tjetrit".