Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka pritur në takim Ambasadorin e Britanisë së Madhe, Duncan Norman. Në njoftimin e zyrës së shtypit të LSI, thuhet se takimi ka qenë konstruktiv dhe i përqendruar  në përmbushjen e 15 kushteve të vendosura për integrimin e vendit.

"Kryemadhi diskutoi me Ambasadorin Norman lidhur me sfidën e madhe të përmbushjes së 15 kushteve të Integrimit Evropian dhe vullnetin e pandryshuar të LSI-së për të kontribuar për ato që janë përgjegjësitë e opozitës në listën e kushteve të BE për hapjen e negociatave", thuhet në njoftimin e LSI.

Gjithashtu në takim është vlerësuar edhe roli që ambasadori britanik zhvilloi në formësimin e Këshillit Politik  për Reformën Zgjedhore, si themel i demokracisë.