Kryeministrat Mustafa e Vuçiç në
Bruksel, marrëveshje për Telekomin

Kryeministrat Mustafa e Vuçiç në<br />Bruksel, marrëveshje për Telekomin
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pritet të takohen në Bruksel me ftesë të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Politikë të Jashtme Federica Mogherini.
Paraprakisht, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa pritet të marrë pjesë në takimin për Ballkanin Perëndimor që mbahet në Bruksel, i njohur ndryshe edhe si "Procesi i Berlinit".


Ndërkaq më pas, Mustafa dhe Vuçië në takimin që do të mbahet nga Mogherini, pritet të vazhdojnë diskutimin rreth zbatimit të deritashëm të marrëveshjeve dhe agjendën e dialogut për të ardhmen.
Këshilltari i kryeministrit Mustafa për çështje të jashtme, Valon Murtezaj, ka thënë me këtë rast se temë qendrore e takimit pritet të jetë çështja e Telekomit.
Në këtë temë, pala nga Prishtina pret që të arrihet përfundimisht marrëveshja. 
"Në fokus të këtij takimi, do të jenë bisedimet në lidhje me Telekomin. Pra, kjo është një çështje më e specifikuar. Por, gjithashtu do të ketë edhe bisedime në lidhje me temat e ardhshme apo temat e mundshme në kuadër të takimeve të ardhshme ndërmjet dy kryeministrave", ka thënë Murtezaj për Radion Evropa e Lirë.
Në anën tjetër, edhe kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kishte komentuar takimin e tij të radhës me kryeministrin e Kosovës.
Sipas tij, si takimi me Mustafën ashtu edhe ai me kryeministrin e ShqipërisëEdi Rama nuk janë të lehta, por është zotuar se politika serbe do të ndërtohet mbi parimet e marrëveshjeve dhe jo konfrontimeve.
"Është punë e jona që të bisedojmë dhe të vijmë deri te marrëveshjet. Punë e jona është që të ndërtojmë rrugë e ura, e jo t'i rrënojmë ato. Por, Serbia gjithmonë do të ruajë shtetin dhe territorin e vetë", ka thënë Vuçiç.

Takimi i radhës ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, pason deklaratat e kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa se nuk mund të ketë vazhdim të bisedimeve përderisa pala serbe nuk i zbaton marrëveshjet paraprake.
Në lidhje me këto deklarata, Valon Murtezaj thotë se me Mogherinin dhe Vuçiçin do të diskutohet pikërisht në lidhje me arritjet dhe ngecjet në implementim.
Varësisht rezultateve, edhe do të përcaktohet takimi i radhës, ka thënë ai.
"Një prej qëllimeve më të rëndësishme të këtij takimi është edhe vlerësimi izbatimit të marrëveshjeve të arritura më herët, gjithashtu edhe pengesat apo vështirësitë në të cilat kanë hasur në një numër të marrëveshjeve. Pra, varësisht nga kjo përcaktohen edhe bisedat e ardhshme", ka deklaruar Murtezaj.
Në takimin e fundit në Bruksel, më 10 shkurt, kryeministrat Mustafa e Vuçiç patën arritur marrëveshje në lidhje me funksionimin e gjyqësorit në veri të Kosovës, të populluar nga shumica serbe.
Megjithatë, kjo marrëveshje nuk është raportuar deri më tani të jetë zbatuar.


Pala nga Prishtina, ankohet po ashtu se Beogradi nuk i ka përmbushur obligimet që ka marrë në dialog sa u përket shuarjes së strukturave ilegale të sigurisë dhe drejtësisë, por edhe ato në administratë.
Gjithashtu, Prishtina zyrtare fajëson qeverinë serbe se nuk ka ndikuar mbi komunitetin serb në veri, sipas marrëveshjes së arritur, për largimin e barrikadave, siç është ajo mbi urën e lumit Ibër që ndanë komunën veriore dhe jugore të Mitrovicës. (Marrë nga REL)

Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në Himarë/ Gushti ktheu himariotët në vendlindje, rritet pjesëmarrja në votime! 2% më shumë se në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023

Zgjedhjet në Himarë/ Gushti ktheu himariotët në vendlindje, rritet pjesëmarrja në votime! 2% më shumë se në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023