TIRANE- Një skemë pasurimi dhe vendime sekrete të Këshillit të Ministrave, për të mbledhur borxhet e këqija. Ky është mekanizmi i fundit “i shpikur” nga Këshilli i Ministrave.

Sipas një vendimi të qeverisë, të publikuar sot në gazetën Shqiptarja.com, qeveria ka pajtuar firmën "CE2 Debt Management shpk" dhe "CE2 Debt Collection" për të mbledhur borxhet e energjisë elektrike nga subjektet shtetërore. Pra nëse një ministri, është në borxh ndaj CEZ, atëherë këto komani, shkojnë në ministri dhe e "detyrojnë" atë të paguajë borxhet. Por në fakt, kompania merr një fitim të majmë për këtë rast, dhe jo pak: 20 përqind të vlerës detyrimit të pambledhur. Të dyja kompanitë, si shpk, ashtu edhe sha i lidh një emër Endrit Alikaj, i cili në një rast është pronar, (në rastin e shpk, sipas dokumenteve të QKR) ndërsa në rastin e sh.a, është administrator i kompanisë. Jo vetëm kaq, por të dyja kompanitë janë ngritur në një kohë rekord, dhe janë përzgjedhur nga qeveria shqiptare pa tender, për të bërë një punë me fitime të majme, në një kohë shumë të shkurtër.

Dy kompanitë kanë të njëjtin objektiv: ofrimin e shërbimeve të specializuara për mbledhjen e të gjitha detyrimeve të prapambetura që personat fizikë dhe juridikë u detyrohen palëve të treta, për llogari të këtyre të fundit; mbledhja e kredive të llogarisë së klientit deri në sekuestrimin dhe kalimin në pronësi të shoqërisë të kolateraleve të debitorëve te kontaktuar nga shoqëria për llogari të palëve të treta. Për qëllimin e realizimit të objektit të mësipërm, shoqëritë mund edhe të kryejnë çdo aktivitet të ligjshëm që lidhet me pasuri të luajtshme dhe/ose të paluajtshme, si edhe çdo aktivitet tregtar, financiar, përmbarimor që lidhet me ekzekutimin e detyrueshëm të detyrimeve të prapambetura, që mund të konsiderohet i dobishëm ose i domosdoshëm për realizimin e qëllimeve të shoqërisë. Të gjitha këto, janë specifikuar në objektin e veprimtarisë së firmave, në zyrën e regjistrimit të bizneseve.

PERZGJEDHJA
Deri më tani, nuk ka patur asnjë njoftim publik për një garë, të shpallur nga administrata shtetërore, ku të paraqiteshin subjekte të interesuar për një aktivitet të tillë të rëndësishëm. Eliminimi i garës tregon se përzgjedhja është bërë nga qeveria, jo mbi bazën e e ofertave më të favorshme nga subjektet private, por mbi baza klienteliste. Sipas ligjeve në fuqi, procesi duhej të ishte organizuar si një prokurim publik, me kushte, oferta dhe vlerësim. Asgjë prej këtyre nuk është bërë dhe qeveria e ka trajtuar çështjen jashtë çdo rregulli, sikur të ishte vetë një subjekt privat, që menaxhon paratë e veta, pa i dhënë kujt llogari.
FITIMI
Me një normë fitimi prej 20 përqindësh, parashikohet që subjekti i pajtuar nga qeveria për mbledhjen e borxhit të keq të sigurojë të ardhura kolosale nga ky aktivitet, duke patur parasysh se vetëm nga energjia e papaguar elektrike mund të jenë qindra milionë euro fatura të papaguara. Logjika e këtij veprimi është se këto para janë të humbura dhe 80% e tyre janë një burim i madh të ardhurash, ndërkohë që buxheti po vuan për to. Por, kjo tregon paaftësinë e qeverisë për të mbledhur nomalisht detyrimet, ndonëse nga taksat e shtetasve të saj paguhen vazhdimisht dhjetëra mijëra policë, tatimorë dhe tani duhet të paguhen sërish privatët me miliarda, që të mbulohet kjo paaftësi.
HISTORIA
E kështu, pasi ka dështuar me faljen fiskale për të mbledhur detyrimet që bizneset dhe qytetarët nuk duan t'i paguajnë, edhe me legalizimet e ndërtesave pa leje, nga të cilat, pas shumë vitesh, është arritur të përfundohet procesi vetëm për 4% prej tyre, qeveria ka vendosur së fundi të pajtojë kompani private për të kryer detyrën që nuk ka kryer dot shteti, për të mbledhur detyrimet e vjetra financiare. Për këtë, ekziston tashmë një Vendim i Këshillit të Ministrave, që cakton subjekte, të cilat do të kryejnë vjeljen e detyrimeve të vjetra, duke filluar nga ato për energjinë elektrike, që kur ka qenë pronar shteti i kompanive KESH dhe OSSH, para privatizimit të sektorit të shpërndarjes. Vendimi nuk është shpallur as në Fletoren Zyrtare dhe as në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave në internet, por mesohet se ka hyrë në fuqi dhe tashmë subjekti ka nisur punën për të grumbulluar detyrimet e pashlyera.
(sg/shqiptarja.com)