Rama: Parlamenti miraton amnistinë për gratë e burgosura menjëherë pas vitit të ri! Ato që nuk lirohen përfitojnë lehtësi dënimi (VIDEO)

TIRANE- Menjëherë pas vitit të ri do të miratohet në Kuvend, drafti për aministinë për gratë e burgosura i cili do të lirojë nga qelia 28 prej tyre dhe ulë dënimin me 1/3 për pjesën tjetër. Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Edi Rama gjatë një vizite në burgun e grave bashkë me ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj.  

Ai tha se do të krijohen lehtësi për gratë që do vijojnë të vuajnë pjesën tjetër të dënimit, ndërkohë që premtoi se ato që do lënë qelinë do të përkrahen nga shtetit për të gjetur një punë.

Rama deklaroi se Reforma në Drejtësi po ndryshon rrjedhën e historisë në Shqipëri dhe se shumë prej prokurorëve dhe gjyqtarëve që po largohen nga sistemi duhet të ishin në burg. Kryesocialisti u shpreh se reforma në drejtësi po jep rezultate konkrete dhe se në të ardhmen do të kemi një sistem që nuk dënon njerëzit e dobët e të varfër por fajtorët e vërtetë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:44
Gratë e burgosura dhuratë simbolike bashkëshortes së kryeministrit Rama

Disa gra të burgosura kanë përgatitur një dhuratë për bashkëshorten e kryeministrit Edi Rama. Gjatë takimit, ka qenë ministrja e Drejtëisë Etilda Gjonaj ajo që ia ka dorëzuar dhuratën kreut të qeverisë, duke shpjeguar se është një punim që gratë e bëjnë gjatë kohës së lirë.

Ora 12:42
'Do rikthehem, mbase pa kamera rrëfeheni, unë si gjysmë prift e gjysmë hoxhë', Rama batuta me gratë e burgosura

Kreu i qeverisë i premtoi grave të burgosura se do të rikthehet sërish pas vitit të ri për t'i takuar duke shkëmbyer edhe disa batuta me to.

"Kemi sjellë dhe disa dhurata që janë thjesht një shenjë miqësie dhe dëshire për t’ju uruar këtë Vit të Ri të gëzuar. Është një Vit i Ri i gëzuar, kuptohet për të gjitha ato që do ta lënë institucionin, ndoshta jo aq i gëzuar, por sidoqoftë i gëzuar dhe për të tjerat që do përfitojnë një ulje të 1/3-ës të dënimit të tyre dhe me shumë kënaqësi unë do kthehem përsëri edhe njëherë pas Vitit të Ri në një moment kur të gjej mundësi, jo me TV, por bashkë e Etildën dhe drejtoreshën që të diskutojmë me ju që çfarë mund të bëjmë më shumë për të ndihmuar dhe për të lehtësuar edhe për të motivuar ato që janë këtu.

Shumë faleminderit edhe njëherë tjetër për këtë emocion edhe këtë shkëmbim fjalësh në këtë shesh që është i paharrueshëm për të gjitha ju, por edhe mbresëlënës edhe për mua edhe për ne dhe ju thashë që pas Vitit të Ri në një moment të caktuar do vijmë përsëri, por do garantojmë që të jemi në një mjedis më pak publik edhe më të ngrohtë për të bërë një diskutim më të gjatë dhe për t’ju dëgjuar se e kuptoj shumë mirë edhe vështirësinë për të folur edhe vështirësinë për të dëshmuar, por ma do mendja që edhe me këtë pamjen prej gjysmë prifti e gjysmë e hoxhe unë do jem më i kollajshëm për ju që të rrëfeheni kur mos ketë kamera. Shumë faleminderit!", tha Rama.

Ora 12:35
Rama mahnitet nga vepra e të burgosurës: Kur të shes një pikturë timen, do vij ta blej

Kryeminstri Edi Rama deklaroi se do të shesë një pikturë të tij, dhe me ato para do të blejë një prej pikturave që i ra në sy gjatë vizitës në burgun e grave në kryeqytet.

"Natyrisht ju takon juve që të mos e harroni dhimbjen, të mos tundoheni nga çfarë bota përtej këtyre mureve sjell si zgjidhje të lehta dhe të shpejta dhe që pastaj kushtojnë kaq shumë, ndërkohë që për ato që vazhdojnë të kryejnë dënimin këtu, e thashë dhe e përsëris, do bëjmë çmos që t’i përmirësojmë kushtet të krijojmë mundësi për të bërë më shumë, duke u bazuar te aktivitet që ju bëni. Duke hyrë këtu,- se ju e dini që unë e kam dhe një punë tjetër përveç punës që bëj zyrtarisht që jam piktor, - pashë me bisht të syrit një pikturë aty në mur që është një kryevepër edhe gjëja e parë që do doja të bëja është që në momentin që do më shitet një pikturë e imja, me ato që marr do blej atë pikturën që është aty. Ajo është një kryevepër. Jo për bamirësi, absolutisht jo, por është një kryevepër. Ajo është një pikturë që, ju siguroj që nëse do të stampohej në një libër pikturash të autorëve të njohur do duhet vetëm të jesh shumë specialist për të kuptuar që nuk është një nga kryeveprat e pikturës moderne të fillimit të shekullit XX", tha Rama.

1577558116_ramapikturat.jpg

Ora 12:26
Rama: Parlamenti miraton amnistinë për gratë e burgosura menjëherë pas Vitit të Ri!

Kreu i qeverisë Edi Rama sqaroi procedurën për miratimin e amnistisë për gratë e burgosura. Rama tha se ajo do të miratohet në parlament menjëherë pas Vitit të Ri, çdo do të sjellë lirimin e menjëhershme të 28 grave dhe lehtësi dënimi për pjesën tjetër.

"Ne kemi ardhur sot që të jemi në një moment pranë jush dhe pa asnjë zbukurim unë ju them se tema juaj është një temë që është diskutuar më shumë sesa njëherë në mbledhjet e Këshillit të Ministrave. Problemet tuaja janë diskutuar më shumë sesa njëherë në mbledhjet e Këshillit të Ministrave. Është një nga temat që me ministren ne e rimarrim herë pas here për të kuptuar si po shkojnë gjërat dhe çfarë mund të bëjmë më mirë, pra ju nuk jeni vetëm, në kuptimin më të thjeshtë dhe më të vërtetë të fjalës.

Kjo prezencë e jona sot këtu nuk është një shfaqje e momentit, as një shprehje momentale e një solidariteti me dhimbjen dhe me vuajtjen tuaj, por është thjesht pjesë e një aktiviteti në mendjen tonë që zhvillohet sistematikisht. Kini besim që ne do bëjmë edhe më shumë për ju, sepse do të vazhdojmë të jemi pranë jush, qoftë për ato që do të lënë këtë institucion pasi Parlamenti të votojë amnistinë, menjëherë pas Vitit të Ri, qoftë për ato që do të mbeten këtu.

Ne do të ndjekim rehabilitimin në jetë të të gjithave që do dalin. Do kujdesemi që secilës t’i jepet një mundësi për punë. Do kujdesemi që me shumë vëmendje të kuptojmë çfarë nevojash të tjera që ne mund t’i plotësojmë kanë familjet tuaja dhe do të bëjmë atë që duhet që të paktën nga ana jonë ju të mos ndjeni indiferencë, por solidaritet", tha Rama.

Ora 12:20
Rama: Sistemi ynë gjyqësor ka favorizuar burrat para grave! Të korruptuarit me kravatë dhe kostum kanë shkelur të drejtat e njerëzve

Kreu i qeverisë foli para grave të burgosura për draftin për aministinë e grave të burgosura, duke e lidhur dënimin e tyre me plagën e Reformës në Drejtësi, ku persona të korruptuar kanë favorizuar burrat në dhënien e vendimit.

"Është fatkeqësi e madhe që kur sheh gjithë historinë e sistemit tonë gjyqësor, sheh se në kapitullin e gjyqeve mes burrave dhe grave raporti i vendimeve që shkojnë në favor të burrave e atyre që shkojnë në favor të grave është skandaloz.Këtu kam parasysh gjyqe që të rrënqethin mishin kur lexon dosjet për gra të dhunuara, të përdhunuara, me protagonistë që shpëtojnë, ose si të pafajshëm fare, ose me dënime qesharake dhe edhe me përsëritës, pra, burra të dënuar për akte dhune ndaj grave që ribëjnë akte dhune pasi lirohen në sallën e gjyqit dhe dalin të lirë duke e bërë edhe shtetin bashkëpunëtor në krim në këtë rast.

Po ashtu, përtej shumë përmirësimeve që i janë bërë në vite legjislacionit kundër dhunës ndaj grave, në zbatim është shumë e qartë që përsëri gratë janë viktima në masën më të madhe, viktima jo më të fajit të tyre, por të një sistemi që gjithmonë priret prej vitesh që fajësinë ta lërë tek pjesa më e dobët, tek gratë, tek më të varfrit, tek ata që nuk kanë mundësi ta blejnë të drejtën, përkundër palësh përballë që janë më të fortë, janë më “të shkathët”, janë më të pasur.

Me reformën në drejtësi unë kam shumë besim që gjërat do të ndryshojnë. Natyrisht që është e vështirë për njerëzit e lodhur dhe të neveritur për shumë vite nga sistemi i drejtësisë që të kuptojnë që ky është një proces që kërkon një durim shumë të madh, sepse ndërton një shtëpi që është me duart e tua, me të ardhurat e tua, me tulla e me llaç dhe ajo kërkon një vit, dy vjet, jo më të ndërtosh një sistem ku ka kaq shumë ndërveprim, njerëz, duar, sy, mendje e kështu me radhë që kërkon kohën e vet. Ndërkohë që ajo që është bërë në këtë periudhë nuk është bërë në të gjitha vitet e tjera të marra sëbashku në historinë e shtetit shqiptar në raport me kundërvënien e të korruptuarve në sistemin e drejtësisë, ndaj atyre që do ta kishin merituar 1000 herë më shumë se sa dhe ajo që këtu ka bërë krimin më të rëndë, që të ishin ata në burg dhe që në fakt, me kostum e me kravatë kanë dhënë vendime që e kanë shkelur, rishkelur dhe stërshkelur të drejtën e njerëzve të zakonshëm.

Kundërvënia ndaj tyre, pastrimi i tyre nga sistemi i drejtësisë është një gur themelor që ndryshon rrugën e historisë, por natyrisht që kjo është një rrugë më e gjatë sesa durimi i njerëzve dhe është një rrugë që shtrohet në mundim të madh hap as hapi, vit pas viti dhe në fund të ditës ajo që është e rëndësishme është që të gjithë mendojmë se vajzat tuaja, djemtë tuaj, fëmijët tuaj nesër të jetojnë në një vend që ka një sistem drejtësie që nuk i bën më krimet e fajet e gabimet e bëra në gjithë këto 30 vjet", tha Rama.

Ora 12:12
Rama: Një grua që bën një krim ka 1001 arsye, plagë dhe kujtime të hidhura në trup! Për ato që nuk lirohen, lehtësojmë dënimin

Kryeminsitri Edi Rama ka folur para grave të burgosura për aministinë. Ai tha se për ato që nuk do përfitojnë lirinë do të krijohen kushte për të bërë sa më lehtë dënimin.

"Së pari, shumë faleminderit për praninë tuaj, edhe pse në kushtet që ju jeni është një prani e detyruar, por jam i bindur që edhe nga fjalët edhe nga emocionet e zonjave që folën, është edhe një prani e dëshiruar. Më vjen shumë mirë që ne bëjmë këtë amnisti. Kemi 56 gra që vuajnë dënimet e tyre në sistemin penitenciar shqiptar dhe ne dëshironim që të gjitha të përfitonin nga amnistia në një mënyrë, ose një tjetër dhe faktikisht, duke i parë të gjitha rastet një nga një, duke parë edhe gjithë ko​rnizën e amnistisë, më vjen mirë që gjysma do lirohen menjëherë dhe gjysma tjetër do përftojnë një ulje me 1/3 e dënimit. Të them të drejtën, mbase kjo nuk është shumë korrekte për t'u thënë publikisht, por unë kam bërë shumë debat me gjithë ekipin e amnistisë, sepse do kisha dashur që të kishte dhe më shumë ulje për disa prej jush që kanë kryer krime shumë të rënda, jo për të justifikuar krimet, vrasjet e burrave, por për një arsye tjetër, për arsyen se unë besoj shumë fort që një grua arrin në atë ekstrem përtej faktit që kryen një krim dhe një krim të rëndë e të dënueshëm, ka me siguri 1001 arsye, 1001 plagë në mendje dhe shumë kujtime të hidhura në trup që e çojnë në atë pikë. Megjithatë, përtej kësaj, duhet të them që predispozita e ministres ka qenë maksimale, por edhe kufizimi në këtë pikë i ka të gjitha arsyet legjitime, ligjore dhe morale. Unë e çmoj shumë Etildën në këtë drejtim, për faktin se ajo vjen nga një rrugë në karrierën e saj ku e ka nisur punën në anën e të drejtave të njeriut, duke qenë një person aktiv në mbrojtjen e të drejtave të njeriut e të të drejtave të grave, edhe pranë Komiteti të Helsinkit, por edhe me organizata të tjera me të cilat ka bashkëpunuar dhe është, jo vetëm shumë e ndjeshme në këtë pikë, por dhe shumë e dedikuar në përditshmërinë e punës.

Unë besoj shumë që edhe çka është nisur, jo bitisur akoma, për ta kthyer këtë institucion në një vend më të mirë, do të bëjë të mundur që dhe ato që do të qëndrojnë për të kryer dënimin deri në fund të ndihen më mirë. Unë kam pasur një bisedë të gjatë me drejtoren tuaj kur ajo nisi këtë punë. Kemi biseduar vazhdimisht me Etildën për të krijuar kushte që ju, pavarësisht se jetoni brenda rrethimit të telave me gjemba, të mund të keni një jetë të përditshme dhe një aktivizim që ta bëjë më të lehtë dënimin", tha Rama.

Ora 12:07
'Më pyet djali i vogël kur do vish', nëna e 3 fëmijëve rrëfen mes lotësh pse përfundoi pas hekurave: Isha e vetme, gjendja ekonomike qe e vështirë

Ermira, nënë e tre fëmijëve dhe e divorcuar nga bashkëshorti ka treguar historinë e saj para kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj. E përlotur ajo tha se është arrestuar për trafikim të lëndëve narkotike, veprim i nxitur nga gjendja e vështirë ekonomike.

"Jam Ermira, e arrestuar për trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Dua të them që nuk jam krenare për këtë gjë, dhe më vjen shumë turp veten në radhë të parë, dhe për  tre fëmijët sepse i lashë vetëm në një kohë të vështirë. Gjendja ekonomike, sepse isha e ndarë me dy fëmijë që i rrisja vetëm pa asnjë lloj ndihme, më detyroi ta bëja disa vepra që më vjen zor nga vetja. Kam 5 vjet që vuaj dënim duke lënë 3 fëmijë vetëm që më presin dita me ditë dhe kur më pyet i vogli mama kur do vish dhe nuk di një përgjigje është diçka që nuk mundem t'jua shpjegoj me fjalë atë ndjenjë. Të jesh këtu brenda është shumë e vështirë, gjithçka mund të kalohet në jetë por kufizimin e lirisë duhet ta kalojë dikush që të arrijë ta kuptojë. Gjithçkaje mund t'i bëhet ballë, e kam kuptuar ndoshta me vonesë, por e kam kuptuar shumë mirë. Dhe mbas kësaj besoj në vetvete që asgjë nuk do më trembë t'i bëj ballës jetës kur të dalë jashtë  bashkë me fëmijët e mi dhe të jem e denjë për ta dhe të mos u vijë zor për nënën e tyre që kanë këtu brenda. Një nënë në burg do të thotë një familje e shkatërruar. Sidomos për ata fëmijë është shumë e vështirë, si mund të dalin në jetë kur nuk kanë një nënë që t'i mbledhë dhe edukojë", tha ajo mes lotësh.

Ora 12:06
Prej tre vitesh pas hekurave/ 24-vjeçarja flet e penduar: Më detyroi mosha

E penduar për veprimin që ka bërë një 24-vjeçare e burgosur në Burgun e Grave në kryeqytet, ka folur para kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Drejtësisë. Redona e arrestuar për trafik të lëndëve narkotike thotë se është penduar për veprimin e bërë për shkak të kushteve të vështira ekonomike dhe moshës së vogël.

"Unë jam Redona 24-vjeç. Jam arrestuar para tre vitesh e gjysmë në doganë pasi supozohet se isha duke trafikouar lëndë narkotike. Jam penduar shumë për veprën që kam bërë. Ishte një gabim që bëra dhe mendoj se ishte më shumë mosha ime e vogël që më detyroi të bëja atë lloj gabimi. Gratë këtu nuk duhen paragjykuar për asnjë lloj vepre që kanë bërë, pasi këtu janë sjellë nga ndonjë moment nxitimi ose për shkak të faktorëve ekonomikë dhe vështirësive familjare që kanë pasur. Nuk duhen gjykuar aq rëndë as nga gjykatat me vendimet që kanë marrë për veprime që kanë ndodhur në një moment të keq ose të shtyrë nga faktorët ekonomikë. Doja t'iu kërkoja nëse është e munudur që kur gratë arrijnë të plotësojnë afatet për të dalë para kohe që lirohen me kusht, të tregohen më të lehta me gratë që janë nëna, bija dhe i mungojnë një familje. Një shtëpi ka nevojë për një grua për të qendruar e fortë dhe e mirë", tha 24-vjeçarja.

Ora 11:54
Gjonaj i jep grave të burgosura lajmin e mirë për aministinë: Do ju ndjek deri në fund

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj i ka dhën grave të burgosura lajmin e mirë për miratimin e draftit për aministinë. Gjonaj tha se do qëndrojë pranë grave që do të lirohen por edhe atyre që do vijojnë të mbeten në burg.

"Për ne është një ditë e veçantë. Kemi ardhur të ndajmë lajmin që ka të bëjë me amnistinë. Unë e di sa herë kam parë lotët tuaja duke kërkuar amnistinë. Unë e di sa e vështirë është për ju për faktin se keni fëmijët dhe të dashurit tuaj larg. Edhe unë, edhe stafi i drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve jemi munduar të heqim trishtimin Unë jam munduar që veprat tuaja t'i promovoj tek të gjitha gratë. Do të ndjek secilën nga ju që do të dalë nga burgu dhe përfitojë nga amnistia jo vetëm për të dalë nga burgu por edhe për të gjetur një punë, për të nisur një jetë të re. Ashtu si kemi qëndruar pranë jush, do vazhdoj të jem edhe për ato gra që do mbeten në institucion", tha Gjonaj.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Turi: 28/12/2019 19:47

    LIROJE KETE GRUAN ME TRE KALAMANJ EDI RAMA,,,ESHTE GJYNAF SE I KA LENE KALAMAJTE RRUGEVE,,,EDHE PASKA BERE 5 VJET,,,KETA QE SHESIN PAK HAHASH E HAJNE ,,KURSE EDI RAMA,META,SALIU,BASHA,,QE KANE VJEDHUR MILIONA BEHEN KRYETARE SHTETI...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë