Nga protesta e studentëve te ndryshimet në qeveri, Rama flet pas mbledhjes së Kryesisë

Kryeministri Edi Rama flet pas mbledhjes së Kryesisë së PS e cila zgjati prej rresh pesë orësh (Lexo këtu). Në një prononcim për mediat, kreu i qeverisë tha se në mbledhje u diskutua për organizimin e PS, protestën e studentëve, ndërsa i pyetur nga gazetarët sa i takon ndryshimeve në kabinetin qeveritar, Rama e la të hapur si opsion, por mesazhi i tij ishte se pas pak ditësh do mblidhet Asambleja Kombëtare e PS.

"Kemi pasur një diskutim të gjatë dhe të dobishëm në kuadrin e një procesi të premtuar reflektimi, që sigurisht merr shtysë nga protesta e studentëve, por është në ADN-në tonë dhe është një tjetër shprehje e vetëdijes se çdo ditë ka gjëra për të përmirësuar, se nuk jemi të pagabueshëm, përkundrazi dhe se mbi të gjitha në vakumin e madh të lënë nga opozita, në mungesën e një opozite të besueshme, është një sfidë më vete që të vetëkorrigjohemi në vijim.

Kemi folur për partinë, organizimin në tërësi, mekanizmat e komunikimit, domosdoshmërinë e një raporti me shoqërinë, ku shoqëria dhe zëri i shoqërisë të gjejë më shumë hapësirë dhe të gjejë dëgjimin që meriton në partinë tonë dhe partia të ketë kapacitetin të shkojë përtej vetes dhe të shtrihet në mënyrë më të natyrshme dhe në mënyrë më të dobishme në shoqëri. Kur them Partia, kam parasysh të gjithë bazën e veprimtarisë sonë dhe të përfaqësimit tonë sepse në fund të fundit, të gjithë forumet dhe të gjitha mekanizmat përfaqësues, qoftë Parlamenti apo qeveria, janë drejtpërdrejtë të lidhura me raportin e krijuar në terren mes njerëzve.

Kemi shumë për të korrigjuar dhe shumë për të përmirësuar dhe është një proces pozitiv. Kemi diskutuar edhe për protestën, arsyet, faktorët, dobishmërinë e madhe të protestës dhe për domosdoshmërinë që ne ta mishërojmë ashtu siç duhet atë që është shqetësimi real i asaj proteste dhe që është transmetuar në formën që ajo mori nga shumë studentë, të cilët i thonë vetes apolitikë, por që në këtë rast e kanë shkundur politikën në raport me vetveten.

I kanë dhënë një shuplakë qeverisë, unë e kam thënë edhe më parë. Po ashtu, siç kam thënë edhe po bëjmë që protesta ka dinamikën dhe trajektoren e vet, ndërsa reflektimi ynë i domosdoshëm pas asaj shuplake do të vazhdoje dhe do të thellohet në funksion jo vetëm të studentëve, por në funksion të të qenit të denjë dhe në lartësinë e ambicieve, por edhe të shqetësimeve të shoqërisë"


Do bëni ndryshime në qeveri z.Rama?
Çdo gjë hap pas hapi. Ju e dini që unë nuk e them asnjëherë fjalën e fundit të parën. Nga ana tjetër, unë di gjithmonë radhën e lëvizjeve pasi gjithmonë mendohem gjatë përpara se sa të bëj çdo lëvizje. Ne do të bëjmë të gjitha gjërat e duhura dhe do t’i përgjigjemi me dinjitet shqetësimit të studentëve, por do të shkojmë përtej këtij shqetësimi sepse ne e kuptojmë se ka ende shumë për të bërë dhe pavarësisht rezultateve të padiskutueshme që janë arritur njerëzit meritojnë shumë më tepër akoma dhe në këtë aspekt ne kemi shumë për të korrigjuar. Kemi bërë gabimet tona.

Gabime që i bëjnë të gjithë ata që ndërtojnë, punojnë dhe që përpiqen të spostohen nga diku në diku tjetër dhe të marrin përsipër sfidat si sfidat që ne kemi marrë përsipër, por e rëndësishme është që të mësojmë prej gabimeve dhe të shkojmë përpara. Ajo që është e sigurt është që e kemi lexuar me shumë vëmendje dhe po e lexojmë me shumë respekt mesazhin e protestës. Do të mbledhim Asamblenë Kombëtare dhe do të flasim përsëri.


Lajmi kryesor:

Kryesia e PS zgjat 5 orë/ Ndryshime në qeveri? Rama: Kemi gabime, kemi shumë për të korrigjuar


//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë