Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim një delegacion prej 14 anëtarësh, ish-ushtarakë dhe civilë, nga vende të ndryshme të botës që kishin shërbyer në Kosovë mbas luftës, përgjatë fazës së tranzicionit të TMK në FSK, si përfaqësues të ekipit Këshillues të NATO-s.
Me këtë rast, kryeministri falënderoi delegacionin për mbështetjen dhanë Kosovës në periudhat e tranzicionit, me theks të veçantë falënderoi ekspertët e NATO’s që kanë punuar në transformimin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës në Forcë të Sigurisë së Kosovës.
Është bërë një punë e madhe nga ekipet e forcave të NATO-s dhe për këtë i jemi mirënjohës gjithë jetën Aleancës Veri-Atlantike. Forca e Sigurisë së Kosovës, sot është forcë multietnike, me profesionalizëm dhe e përgatitur sipas standardeve të NATO-s, e gatshme që të kontribuojë për paqe në Kosovë, në rajon dhe në botë.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj
Ma tej, kryeministri Haradinaj, foli edhe për proceset, nëpër të cilat po kalon vendi, duke theksuar se Kosova ka shënuar progres dhe tani pret rastin e madh për të udhëtuar pa viza.
Edhe pse i kemi plotësuar të gjitha kriteret, jemi vendi i vetëm që nuk mund të lëvizim lirshëm. Qytetarët e Kosovës shumë shpejt do të marrin lajmin e shumëpritur për liberalizim të vizave.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj