New York- Kryeministri holandez, Mark Rutte më 10 nëntor do të vizitojë Shqipërinë. Në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kryeministri Edi Rama ka takuar homologun e tij, ndërsa shkruan se Rutte do të rikonfirmojë mbështetjen e Holandës për hapjen e negociatave të Shqipërisë për integrimin në BE.

"Në selinë e OKB me kryeministrin e Mbretërisë së Holandës, Mark Rutte, i cili do të vizitojë Shqipërinë në 10 nëntor, për të rikonfirmuar mbështetjen e plotë të Holandës për nisjen formale të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian", shkruan Rama.

Prej datës 18 shtator, kryeministri Edi Rama ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po merr pjesë në punimet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku pritet që ditën e sotme rreth orës 21:00 të vendit tonë, Rama të mbajë fjalën.

Në qershorin e këtij viti, ministrat  jashtëm të vendeve anëtare të BE-së nuk mundën të caktojnë një datë një datë se kur do të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Për Shqipërinë nuk kishte asnjë kundërshti nga 27 vendet anëtare, por pengesë këtë herë u bë Maqedonia e Veriut pas vetos që i vendosi Bullgaria. Ndërkohë që Holanda për herë të parë ka mbështetur integrimin e Shqipërisë në vendet e unionit me argumentin se vendi ynë ka përparuar mjaftueshëm për të filluar bisedimet.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:42
New York/ Rama në zyrat e kompanisë Pfizer, takon drejtorin ekzekutiv: 1 vit më parë, na mundësoi nisjen e vaksinimit anti-COVID përpara të tjerëve në rajon

Pfizer ishte kompania që na mundësoi 500 mijë dozat e para të vaksinës antiCOVID duke sjellë dhe nisjen e vaksinimit në vendin tonë.

Sot kryeministri Edi Rama ka shkuar në zyrat qendrore të kompanisë Pfizer në Nju Jork, ku ka takuar drejtorin e saj ekzekutiv Albert Borula. Teksa ka publikuar një foto me Borulën Rama shkruan se një vit më parë ai i mundësoi vendit tonë nisjen e vaksinimit përpara të tjerëve në rajon.

“Në zyrat qendrore të kompanisë Pfizer në Nju Jork, me drejtorin ekzekutiv Dr.Albert Bourla, i cili na hapi dyert një vit më parë duke na mundësuar nisjen e vaksinimit përpara të tjerëve në rajon dhe duke na e lehtësuar ndjeshëm luftën me Armikun e Padukshëm”, shkruan Rama.

Aktualisht janë vaksinuar rreth 1, 6 milionë qytetarë dhe parashikohet që në fund të pranverës të jetë vaksinuar gjithë popullsia. Kryeministri Edi Rama ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të marrë pjesë në punimet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.