Kryeministri izraelit Netanyahu:
Hitleri nuk donte t’i vriste hebrenjtë

Kryeministri izraelit Netanyahu:<br />Hitleri nuk donte t’i vriste hebrenjtë
Ka ngjallur reagime dhe kritika të forta, deklarata e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, sipas të cilit, ishin palestinezët ata që e bindën Hitlerin të shfaroste hebrenjtë. Duke folur në kongresin Zionist të martën në mbrëmje, Netanjahu tha se ishte Myftiu i madh i Jeruzalemit, Al-Husseini, lideri palestinez gjatë Luftës së Dytë botërore, që e bindi Hitlerin të vriste hebrenjtë, pasi ai vetë donte thjesht ti dëbonte.

Takimi mes myftiut dhe Hitlerit u mbajt në nëntor të vitit 1941, dhe në fakt Al-Husseini kishte kërkuar që hebrenjtë gjermanë të mos strehoheshin në Palestinë. Por shumë kampe përqendrimi ku parashikoheshin ekzekutime në masë, ishin operativë që prej verës së vitit 1940. I menjëhershëm ka qënë reagimi i Berlinit. “Nuk ka asnjë arsye për të ndryshuar historinë”-ka thënë zëdhënësi i kancelares gjermane Angela Merkel, Steffen Seibert, i cili shtoi se dihet shumë mirë origjina e fakteve dhe është mëse e drejtë që përgjegjësia të bjerë mbi shpatullat e gjermanëve.

Kanë reaguar edhe ekspertët izraelitë të holokaustit të cilët e akuzojnë Netanjahun për mungesë totale korrektësie historike. Kryehistorianja i memorialit të holokaustit Yad Vashem Holocaust në Jeruzalem, profesoresha Dina Porat, tha se kjo deklaratë e Netanjahut është jo korrekte. “Nuk mund të thuash që ishte myftiu që i dha idenë Hitlerit për të vrarë apo djegur hebrenjtë.

Nuk është aspak e vërtetë”-ka thënë ajo. Edhe lideri i opozitës Isaac Herzog ka replikuar ndaj qëndrimit të kryeministrit izraelit duke e cilësuar si një shtrembërim të rrezikshëm të fakteve. “I kërkoj Netanjahut të korrigjojë menjëherë qëndrimin e tij, sepse minimizon holokaustin. Djali i një historiani duhet të jetë i kujdesshëm sa i përket historisë”-tha Herzog.

Sipas tij, Myftiu i Madh i Jeruzalemit ishte mbështetës i Hitlerit, por se gjithë përgjegjësia i takon diktatorit nazist. Një tjetër deputet, laburisti Itzik Shmuli, i ka kërkuar kryeministrit ti kërkojë falje të mbijetuarve të Holokaustit. “Kreu i qeverisë izraelite është në shërbim të mohuesve të holokaustit. Megjithëse nuk është hera e parë që Netanjahu deformon historinë, por kjo nuk ishte dëgjuar ndonjëherë”-ka thënë Shmuli. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe qendra Wiesenthal në Jeruzalem që e cilëson totalisht të pabazë deklaratën e Netanjahut. Gjithë zemërim, ka reaguar edhe lideri palestinez Abu Mazen. “Netanyahu po përpiqet të ndryshojë historinë e popullit hebre”-ka thënë Mazen.

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Mësuesi amerikan në Tiranë mbyt gruan, vret 2 qentë e var veten! Në një letër me shkrim dore ishte përshkruar çdo veprim i autorit

Mësuesi amerikan në Tiranë mbyt gruan, vret 2 qentë e var veten! Në një letër me shkrim dore ishte përshkruar çdo veprim i autorit