Myslimanët festojnë sot Fitër Bajramin, teksa qindra besimtarë iu drejtuan sot sheshit “Skënderbej”, Tiranë për faljen e namazit. Për këtë ditë të shënuar për besimtarët myslimanë nuk kanë munguar edhe urimet nga politikanët. Gjithashtu, nuk kanë munguar edhe mesazhe për politikën.
Komunitetin Mysliman të Shqipërisë e vizitoi gjithashtu Arqipeshkvi mitropolit i Tiranë – Durrësit, Imzot Xhorxh Frendo, i cili uroi gjithë besimtarët myslimanë për Fiter Bajramin.
Kryebashkiakiu Erion Veliaj ka shtruar në ambientet e një prej qendrave sociale drekën e Bajramit të Madh për njerëzit në nevojë. Ai ka shërbyer, së bashku me deputeten e PS, Blerina Gjylameti ushqimin për dhjetëra persona, të cilët kjo ditë e shenjtë i ka gjetur në shtëpitë e tyre me tryeza të boshatisura.
Bashkëjetesa fetare mësim për politikën! Ky ka qenë mesazhi që kanë dhënë në këtë ditë Bajrami kryebashkiaku Erion Veliaj dhe deputetja e PS, Blerina Gjylameti nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane.
"Politika, mos të jap mend fesë, por të marrë mend nga feja", tha Veliaj.
"Moment shumë i reflektuar për të gjithë, më shumë të angazhuar për të çuar përpara Shqipërinë. Politika të marr mësim nga feja", tha Gjylameti.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka uruar sot të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë për ditën e Fitër Bajramit. I shoqëruar nga kandidatë për këshilltarë në Bashkinë e Tiranës, kryebashkiaku Veliaj zhvilloi një vizitë në selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar, nga ku edhe i përcolli urimet e tij kreut të këtij komuniteti, Bujar Spahiu. Nuk kanë munguar edhe mesazhe për politikën.
“Te kjo derë keni parë, apo tek të gjitha dyert e komuniteteve fetare keni parë politikanë që predikojnë pafundësisht për harmoninë fetare, vëllazëri. Në fakt unë lart lashë Monsinjorin dhe kryetarin e Komunitetit Mysliman. Komunitetet fetare kanë pasur vëllazëri prej 100 vitesh ne nuk kemi pasur asnjë problem. Njerëzit që janë më sherrxhinj, më të përçarë dhe më helmaxhinj në shoqërinë tonë iu japin mend komuniteteve që kanë një harmoni perfekte dhe pasi japin mend këtu kalojnë rrugën atje me molotov me zjarr dhe me tulla kokës,vëllezërve të tjerë shqiptarë që janë me uniformë të policisë. Kështu që sot është një ditë e mirë për besimtarët, por një ditë e trishtë për politikanët ku besoj duhet të reflektojmë”, theksoi Veliaj.
Ai shtoi se është koha për të nxjerrë mësime nga komunitetet fetare, duke marrë mësime nga ata që vëllazërinë e kanë kthyer në mënyrë jetese dhe jo nga ata që thonë fjalët e duhura, por pasi kalojnë trotuarin bëjnë veprimet e gabuara.
“Nuk mund t’i predikojmë për harmoni Monsinjorit dhe Imamit ndërkohë që vetë nuk ulemi të flasim nuk përqafojmë njëri-tjetrin, shkojmë në shtëpi rrahim gratë, shkojmë në stadium rrihemi me njëri-tjetrin, shajmë njerëzit. Kështu që është shumë e rëndësishme që të jetojmë jetën që predikojmë. Nëse predikojmë këtë jetë dhe japim këto mesazhe duhet ti japim njësoj si nga kjo anë e trotuarit dhe nga ana tjetër, ndryshe do hyjmë në histori si hipokritë. Ndaj dhe unë besoj se detyra e secilit prej nesh është që të jetoj jetën që predikon edhe të nxjerri mësime nga komunitetet fetare. Sot është koha të ulim kokën dhe të marrim mësim nga ata që vëllazërinë e kanë kthyer në mënyrë jetese dhe jo nga ata që thonë fjalët e duhura por pasi kalojnë trotuarin bëjnë veprimet e gabuara. Paçi paqe të gjithë më shumë dashuri, më shumë fokus te familjet tona”, nënvizoi Veliaj.
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në urimin e saj për besimtarët myslimanë për Bajramin thotë se të gjithë jemi mëkatarë, por më të mirët janë ata që pendohen dhe kërkojnë falje.
"Gëzuar Fitër Bajramin! Nga zemra dua të uroj sot çdo shqiptar e veçanërisht besimtarët mysliman për festën e Bajramit të madh! Dita e sotme fillon ndryshe për të gjithë agjëruesit e muajit të bekuar të Ramazanit dhe unë dua ti bashkohem urimit për agjërim të pranuar e lutje të plotësuara! Vetpërmbajtja, sakrifica, përkushtimi dhe fokusimi tek e mira janë mësimet më të volitshme nga muaji i Ramazanit, mësime të cilat ne duhet ti përthithim e ti bëjmë pjesë të jetës tonë të përditshme!
Ne të gjithë jemi mëkatar, e tillë është qenia njerëzore, ama më të mirët ndër ne janë ata që pendohen me sinqeritet dhe kërkojnë falje. Prandaj është koha më e volitshme për ti thirrur arsyes dhe për të reflektuar, gjithmonë mbetet në fuqi shprehja më mirë vonë se kurrë!
Sot kur të gjithë japin diçka nga vetja për më të pamundurit, le të reflektojmë e të vlerësojmë më shumë jetën! Të bashkuar rreth të mirës mund të bëjmë shumë më shumë për veten, familjen e vendin! Zoti e bekoftë Shqipërinë e shqiptarët" tha ajo.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, me rastin e festës së Bajramit të Madh, u dërgoi një mesazh urimi besimtarëve myslimanë. “Me rastin e festës së Bajramit të Madh, u dërgoj urimet e mia më të mira të gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë, kudo ku ndodhen. Shëndet, lumturi e bujari në familjet tuaja! Kjo ditë festohet pas një muaj agjërimi e sakrificash, lutjesh e dëshirash, shkëmbimi urimesh e dhuratash, solidariteti e përgjegjësie. Si një ndër pesë kolonat e besimit Islam, muaji i Ramazanit i bën të gjithë besmitarët më të mirë, më të duruar, më të virtytshëm dhe më të gjendur për njeri-tjetrin. Agjërimi nuk është thjesht një vetëkufizim në stilin e jetesës së përditshme, por edhe vetëpërmbajtje nga mëritë, grindjet, veset dhe pasionet njerëzore. Besimi dhe sakrifica zhvillojnë ndjenjat dhe shprehitë e përgjegjësisë individuale, fetare e shoqërore, e cila kalon nga besimtarët të komuniteti e shoqëria.
Besimi sjell urtësi dhe orientim drejt të mirës dhe përgjegjësindaj atyre që janë në varfëri e në nevojë. Shoqëria duhet t’i përdorë cilësitë e besmitarëve për tu bërë më e drejtë, mëtolerante, më e respektueshmë ndaj dinjitetit njerëzor dhe mëe hapur ndaj progresit. Myslimanët shqiptarë janë shumica e popullsisë jo vetëm për nga numri, por nga vlerat, dashuria dhe përkushtimi për njerëzit, familjen dhe atdheun. Të gjithë besimtarëve duhet tu jemi mirënjohës për tolerancën, por ky tipar ka më shumë vlerë kur manifestohet nga ata besimtarë e komunitete që janë në shumicë. Mësimet e vogla e të përditshme që nxjerrim nga çdo vlerë e besimtarëve myslimanë le të na shërbejnë për të ndërtuar njëshoqëri harmonike, që ndjen dhimbjen njerëzore dhe e lehtëson atë; që dallon veset dhe i lufton ato; që kupton pabarazinë dhe përpiqet ta ngushtojë atë; që është e vetëdijshme për padrejtësitë dhe ngrihet kundër tyre.
Sot, kur shoqëria shqiptare është kthyer përfundimisht me mendje e shpirt drejt familjes europiane, është dita të kujtojmëse asnje vyrtyt mysliman nuk vjen kunder vlerave europiane,qytetëruese e perëndimore. Islami dhe besimtarët myslimanë shqiptarë janë pro modernizimit, europianizimit dhe perëndimizimit. Kam një urim të veçantë për myslimanët shqiptarë në Diasporë: Qofshi gjithmonë të lumtur e të vyrtytshëm dhe ju jemi të gjithë mirënjohës që vlerat më të mira të botës shqiptare i kini mbjellë dhe po i kultivoni kudo ku jetoni, në shoqëritë perëndimore. Shqipëria do t’i bashkohet familjes europiane me të gjithëbukurinë, pasurinë dhe ndriçimin që buron nga mozaiku dhe diversiteti ynë fetar. Myslimanët shqiptarë kanë kontribuar e kontribojnë për zhvillimin e vendit e të demokracisë dhe rritjen e mirëqeniese të tolerancës. Ata janë një bekim për Shqipërinë dhe jetët tona. E kam thënë dhe po e përsëris: Le të shkëlqejnë gjithë botashqiptare dhe jetët tona, ashtu si ndrisin vlerat, qytetaria dhe fisnikëria e besimtarëve shqiptarë. Të gjithë ne, myslimanë, katolikë dhe ortodoksë, besimtarë e jobesimtarë, jemi njëfamilje e madhe, në Shqipërinë tonë, shtëpinë që duhet ta bëjme akoma më të bukur”, shkruan midis të tjerash në urimin e tij Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Zv/ kryeministri Erjon Braçe ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për Fiter Bajramin, ndërsa u ka kërkuar ndjesë për cdo shqetësim të ardhur në mënyrën më të pashembullt nga politika, referuar aktualitetit pas protestave të opozitës. "Sot nuk është dita e hipokritëve që urrejnë e ndajnë mes njerëzish, vjedhin e vrasin, djegin e shkatërrojnë, duke kërkuar të fshihen tek Zoti" shkruan ai.
Postimi i plotë i Erjon Braçes
Cdo shqiptari te besimit islam,
dua ti uroj me gjithe shpirt:
GEZUAR BAJRAMIN E MADH!
Posacerisht njerezve te mire e punetore ne Cerme te Siperme, Cerme Sektor, Cerme Proshke, Cerme Pasha, Kamp,
Cerme Shkumbin, Sulzotaj, Shen e Premte, Grabian, Tre Ura, Stravec, Ferras, Sopez, Spolate, Babunje, Gur, Mucias, Remas, Bedat, Adriatik, Kamenice, Kryekuq, Zharnec, Mize, Xeng, Bishtcukas, Germenj, Hallvaxhias, Bregas, Dushk Can;
Kudo ku ka shqiptare besimtare ne Divjake, Lushnje padiskutim, Berat,
kudo;
Paci cdo te mire ne shtepite tuaja, familjet,
per prinderit e femijet se pari, pastaj per miqte e shoket,
vetem miresi e dashuri,
drejtesi e solidaritet!
E di qe jeni plot ne shpirt pas ketij muaji te paqte, shenjuar nga lutja,
reflektimi e sakrifica, ndaj dua tu kerkoj ndjese per cdo shqetesim ardhur ne menyren me te pashembullt nga politika!
I keni dhene mesim te qarte ju,
gjithkujt nder politikane qe kete muaj,
ne dite si kjo, kujtohen per zot e besim,
flasin ne emer te tij e tyre,
ne emrin tuaj;
Kurre nuk kujtohen qofte edhe nje cast kur vjedhin, dhunojne, djegin, vrasin, urrejne, shajne e mallkojne,
nuk ndalen te mendojne, reflektojne,
mbeshtetur e mbi baze te vlerave te ligjit e besimit!
Sot eshte dita e besimtareve,
atyre qe duan e gjenden per tjetrin;
Sot nuk eshte dita e hipokriteve qe urrejne e ndajne mes njerezish,
vjedhin e vrasin, djegin e shkaterrojne,
duke kerkuar te fshihen tek Zoti!
Nder e respekt per cdo burre e grua qe beson e sillet si i tille cdo dite,
qe gjendet per tjetrin me dashuri e perkushtim,
ndan gjithe cka me cilindo ne nevoje!
Edhe kryetari i PD-së Lulzim Basha ka uruar besimtarët myslimanë dhe në veçanti ata që agjëruan muajin e shenjtë të Ramazanit. "Të nderuar besimtarë e veçanërisht ju që keni agjëruar në muajin e shenjtë të Ramazanit, ju uroj nga zemra Gëzuar Fiter Bajramin! Zoti e pranoftë sakrificën dhe lutjet tuaja, sjelltë mbarësi për ju e familjet tuaja dhe e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë!" shkruan ai.
Kryeministri Edi Rama ka uruar besimtarët myslimanë për Fiter Bajramin. Kreu i qeverisë ka postuar në faqen e tij në rrjetet sociale një foto nga Xhamia e Namazgjasë, që po ndërtohet, ndërsa mbi të shkruan 'Gëzuar Bajramin".